Dritë hijet e rrëfimit në media të Xhisiela Malokut

Dritë hijet e rrëfimit në media të Xhisiela Malokut

Të hënën në mbrëmje, Xhisiela Maloku dha dy intervista, një të regjistruar paraprakisht për Eni Vasilin në Top Channel, dhe një drejtpërdrejtë në Opinion të Blendi Fevziut.

Në intervista, Maloku pohoi se ka dhënë dëshmi të rremë në komisariatin numër 3 në Tiranë, më 21 korrik 2017, kur ka kallëzuar Rexhep Rrajën për dhunim, përdhunim, kanosje me armë, torturë, djegie me cigare dhe përndjekje. Ajo ka shpjeguar se të gjitha këto akuza, dhe të gjitha tentativat e saj për ta kallëzuar Rexhepin, nga fundi i vitit 2017 deri në korrik 2018, i ka bërë nga xhelozia, pasi Rexhepi i kishte dhënë fund lidhjes me të dhe kishte shkuar me pushime me një vajzë tjetër.

Gjetjet e ekspertizës mjeko-ligjore të korrikut 2018, e cila ka arritur në përfundimin se mbi trupin e Malokut ishte ushtruar dhunë, përfshi djegie me cigare, ajo i ka hedhur poshtë me pretendimin se shenjat e dhunës ishin rezultat i një aksidenti, kurse djegiet me cigare i kishte bërë vetë mbi trupin e saj për shkak të xhelozisë.

Me këto pohime, Maloku ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e saj të mëparshme, të dhëna përgjatë disa muajve, përpara një sërë institucionesh shtetërore, përfshi dy komisariate policie, shërbimin e kontrollit të brendshëm të Ministrisë së Brendshme dhe shërbimit të ekspertizës mjeko-ligjore. Ligjërisht, Maloku ka rrezikuar të merret e pandehur për dëshmi të rreme.

Pohimet e Malokut janë pritur me skepticizëm në opinionin publik, një pjesë e të cilit është e bindur se pohimet e saj janë bërë nën presion dhe kërcënim për jetën e saj ose atë të familjes.

Një vështrim i disa fakteve dhe i mospërputhjeve në dëshminë e saj e përforcon më tej këtë perceptim. Më poshtë, ne analizojmë disa nga këto mospërputhje.

E pambrojtur nga policia dhe gënjeshtra me taksinë

Zyrtarisht Maloku është nën mbrojtjen e policisë, por ajo dje ka shkuar në Durrës për të dhënë intervistën për Eni Vasilin në shoqëri të panjohur dhe jo të policisë. Ndërkohë ajo ka gënjyer publikisht duke u shprehur se kishte udhëtuar me taksi, ndërkohë që Vasili dhe gazetarja Anila Hoxha e kanë parë atë të dalë nga një makinë e zezë me xhama të errët.

Mbrëmë gjatë emisionit Open, pas transmetimit të intervistës, duke ju drejtuar Vasilit, Hoxha u shpreh: “Ne ishim të dyja atje ishim jashtë dhe po prisnim Xhisielën. Kur e pyetëm me çfarë erdhe, na tha me taksi, por ne ishim atje dhe e pamë që nuk erdhi me taksi, por me një makinë tjetër, së bashku me disa persona të tjerë. Ne ishim aty, ishim dëshmitare dhe e pamë kur Xhisiela u largua po me atë makinë.”

Kur u ballafaqua me këtë fakt nga gazetari Mentor Kikia në studion e Opinion, Xhisiela këmbënguli se kishte udhëtuar me taksi, por mbas këmbënguljes së gazetarëve në Opinion, ajo pranoi se kishte gënjyer pasi nuk donte “të bënte publike jetën e të gjithë njerëzve përreth saj”.

Këmbëngulja për mostransmetimin e intervistës me Vasilin

Pasi ka regjistruar intevistën me Eni Vasilin, Maloku ka këmbëngulur që ajo të mos transmetohej. Por Vasili ka vendosur ta transmetojë intervistën. Edhe pse Maloku nuk ka mundur ta shikojë vetë transmetimim, pasi ne kohën e transmetimit ajo ndodhej në televizionin Klan duke u përgatitur për një intervistë të drejtpërdrejtë, ajo është shprehur se intervista e transmetuar nga Vasili ka qenë e montuar.

Mungesa e arsyeve bindëse për të justifikuar padinë ndaj Çitozit

Ndërsa padinë ndaj Rexhep Rrajës, Xhisiela e ka justifikuar me ndjenjën e xhelozisë, ajo nuk ka arritur të japë asnjë arsye pse ka paditur oficerin e policisë gjyqësore Gentian Çitozi në Shërbimin e Brendshëm të Ministrisë së Brendëshme. Zyrtarisht ajo e ka paditur Çitozin për trysni për të tërhequr padinë ndaj Rrajes.

Eni Vasili e pyeti vajzën për sjelljen e oficerit të Policisë Gjyqësore të Komisariatit të Fushë-Krujës, Makoku ka kallëzuar Rrajen tek oficeri Gentian Çitozi, më 20 korrik, por një ditë më vonë, më 21 korrik, ajo ka shkuar tek Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Minsitrisë së Brendëshme në Durrës dhe ka kallëzuar Çitozin për shpërdorim detyre, pasi sipas saj, ai kishte lejuar persona të tjerë (Rexhep Rrajen dhe dy kushurinjtë e tij) që të hynin në zyrën e tij dhe ta kërcënonin Malokun në sy të oficerit. Ky lloj rrëfimi mbështet edhe nga denoncimi i oficerit Emiljano Nuhu.

Por pyetjes së Vasilit në lidhje me këtë denoncim, Maloku i është ëprgjgijur në mënyrë të ngatërruar:

“Nuk më pëlqeu sjellja e tij. Nuk e di, por nuk më pëlqeu, kaq. Kshu e mendova unë. Ai shprehte mendimet e tij ‘Mirë po bën, tërhiqe [kallëzimin]’, por unë nuk u ndikova nga mendimi i tij. Pavarësisht se unë shkova me dëshirën time [për ta tërhequr kallëzimin ndaj Rexhepit], një oficer policie nuk ka pse të favorizojë asnjë palë. Nuk më kujtohen.”

Komentit të Vasilit se kallëzimi ndaj Çitozit ka logjikë vetëm nëse vajza nuk ka dashur ta tërheqë kallëzimin ndaj Rexhepit, por Çitozi e ka nxitur që ajo ta tërheqë, Maloku nuk ka ditur si t’i përgjigjej dhe e ka mbyllur diskutimin duke shprehur “nuk dua të flas për Çitozin, kaq!”

Lapsusi i ridhunimit

Në fund të intervistës me Vasilin, pasi kishte mohuar të ishte nën kërcënim, pasi kishte pohuar se ka bërë kallëzim të rremë për dhunë, përdhunim e torturë, pasi pohoi se ishte vetëdjegur me cigare, në një moment Xhisiela u shpreh:

askush nuk po shqetësohet për mua realisht, të gjithë këta që bëjnë thirrje për mbrojtje, nuk e di, mund të më vini në mbrojtje… të më mbështesni psikologjikisht. Edhe sikur të supozojmë se të gjitha këto janë të vërteta [akuzat e saj për dhunë e përdhunim nga Rexhepi], ato po më ridhunojnë sërish.”

Ky pohim duhet si thirrje për ndihmë dhe përdorimi i fjalës “ridhunim” mund të jetë në fakt një pohim që i ka shpëtuar pa dashje, por i vërtetë.

Braktisja e Opinionit për të shmangur pyetjet e gazetarëve

Në Opnion, Maloku përsëriti në mënyrë mekanike të njejtat pohime që bëri në Open. Por aty ajo u ballafaqua menjëherë me gazetarët që i vunë në dukje mospërputhjet apo boshllëqet e pohimve të saj në intervistën me Vasilin. Ajo u përball, gjithashtu, me një të vërtetë: nëse ajo kishtë bërë kallzim të rremë ajo do të ishte përgjegjëse penalisht.

Pasi nuk mundi te jepte asnjë përgjigje apo arsye bindëse, maloku vendosi të ndërpresë intervistën dhe të largohet nga studio, duke u shprehur se përgjigjet e saj do t’i jepte “atje ku duhej” dhe se ajo nuk do të jeptë më asnjë intervistë mediatike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>