Pas politikanëve gjermanë edhe mediat gjermane kanë filluar të flasin për situatën shqetësuese të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit nga Shqipëria, e cila po bëhet shkas për ndalimin e hapjesë së negociatave me BE-në.
Sot, televizioni publik gjerman MDR – Mitteldeutscher Rundfunk transmetoi një reportazh për kanabisin në Shqipëri duke e cilësuar vendin si Kolumbinë e Europës. Në shkrimin “Shqipëria prodhuesi më i madh i kanabisit në Europë” shkruhet se:
Shqipëria kërkon sot të hyjë në BE. Por ka pengesa, si krimi i organizuar dhe trafiku i drogës që janë probleme të mëdha. Veçanërisht Shqipëria është lider në Europë në prodhimin e kanabisit.
Në fillim të javës ishte Kryetari i Komisionit të Çështjeve Europiane të Bundestagut gjerman që ngriti problemin e drogës dhe të krimit të organizuar që po depërton në politikë dhe ekonomi, duke pohuar se pa patur përparime në këtë drejtim nuk do të ketë hapje të negociatave.
Më pas deputeti austriak Michael Hammer, një tjetër politikan evropian ngriti problemin e kultivimit të drogës në Shqipëri duke e konsideruar atë pengesë serioze për integrimin në Evropë.
Para katër ditësh, televizioni publik gjerman ARD transmetoi një reportazh për kanabisin në Shqipëri duke ju referuar vendit si prodhues në masë i kanabisit dhe duke vënë në dyshim gatishmërinë e Shqipërisë për të filluar negociatat me BE-në.
Para dy javësh ishte edhe televizioni publik italian RAI, i cili shfaqi dy reportazhe në lidhje me kanabisin duke ekspozuar lidhjet e policisë shqiptare me kanabisin dhe duke kritikuar ashpër Ministrin Tahiri për fshehje të këtij realiteti.