Artikujt e botuar në median hollandeze kohët e fundit, mbi rritjen e aktivitetit kriminal të shqiptarëve kanë vënë alarmin se qeveria hollandeze mund të miratojë rivendosjen e vizave për qytetarët shqiptarë.
Pavarësisht përgënjeshtrimeve të vazhdueshme nga ana e ambasadës shqiptare në Hollandë, duket se problemi është i vërtet dhe faktet që dalin në pah të shtyjnë të mendosh se ka motive të arsyeshme që një grup deputetësh hollandezë të kërkojë rivendosjen e sistemit të vizave.
Sipas disa burimeve për Exit.al policia hollandeze i ka kërkuar kompanive të internetit të verifikojnë se sa përdorues hollandezë janë lidhur në një periudhë të caktuar me faqe interneti në gjuhën shqipe, për të marrë vesh numrin e shqiptarëve që ndodhen në Hollandë.
Dhe sipas të dhënave përdoruesit që kanë vizituar më shumë se një herë një faqe interneti në gjuhën shqipe janë rreth 30 mijë, ndërkohë që numri i shqiptarëve banues të përhershëm në Hollandë është diçka tek një mijë persona.
Ndoshta këto 30 mijë persona janë studiues të gjuhës shqipe, ose këto janë faqe ineterneti me interes për qytetarët hollandez. Ashtu sikurse mund të ketë shumë shqiptarë që gjatë viteve kanë fituar nënshtetësinë hollandeze dhe nuk janë numëruar. Por cilado qoftë arsyeja ky numër i lartë është tregues i një pranie jonormale të qytetarëve shqiptarë në Hollandë.
Sipas një statistike të kryer nga Exit.al mbi lajmet e arrestimeve të qytetarëve shqiptarë në Itali, shihet se pjesa më e madhe e të arrestuarve nuk kanë leje qendrimi në Itali, por qendrojnë në mënyrë të paligjshme në territorit italianë, ose më thjeshtë hyjnë dhe dalin rregullisht nga Italia me justifikimn e vizitës turistike. Kjo mundësi është fituar pas hyrjes së Shqipërisë në zonën shengen.
Përdori i të rinjve të padënuar dhe pak të njohur, ndoshta të veshur mirë dhe që flasin italisht. Ato mund të hyjnë në Evropë për periudhën e lejuar nga kushtet e vizitës turistike, për të administruar aktivitetin e shpërndarjes së drogës së çdo lloj. Kjo strategji e përfitimit nga të drejtat e lëvizjes se lirë, përveçse bëjnë të mundur përhapjen e bazës së rekrutimit të shpërdarësve, duket se është një strategji e mirëfilltë e vënë në veprim nga drejtuesit e narkotrafikut për të ulur rrezikun e identifikimit nga policia.
Për këtë gjë me siguri është i informuar edhe Ministri i Brendshëm shqiptar Xhafaj, i cili, edhe pse hesht, që kur ka marrë detyrën ka rritur kontrollin e personave që dalin nga Shqipëria, me vëmendje të veçantë ndaj të udhëtarëve meshkuj të rinj. Ndoshta në përpjekje për të shmangur atë që mund të kthehet në një katastrofë të vërtete politike dhe dëmi i disatë i shkaktuar nga narkotrafiku ndaj qytetarëve të ndershëm: përjashtimi i qytetarëve shqiptarë nga lëvizja e lirë në zonën shengen.