Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klafisikuar (DSIK) i ka dhënë Gent Cakajt certifikata sigurie në shkelje të ligjit.
Ky fakt është bërë i ditur në letrën që Presidenti Meta i ka dërguar Kryeministrit Edi Rama për ta informuar për mosdekretimin e Gent Cakajt në postin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ky post kërkon që kandidati të jetë i pajisur me një sërë certifikatash sigurie, që lëshohen nga DSIK, e cila është në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit, në bashkëpunim me agjenci të huaja. Si rrjedhojë, investigimet për të shkuarën e cilitdo kandidat kërkojnë kohë relativisht të gjatë.
Në letrën drejtuar Kryeministrit Rama për mosdekretimin e Cakajt, Presidenti Meta nxjerr në pah në mënyrë të detajuar, me gjuhë korrekte për rëndësinë e çështjes dhe të denjë për postin e tij, shkeljet ligjore nga ana e DSIK të ligjit dhe akteve nënligjore që rregullojnë punën e saj.
Exit paraqet në vijim shkeljet në fjalë:
– DSIK e ka lëshuar certifikatën e sigurisë për Gent Cakajn brenda një dite nga aplikimi i tij. Cakaj e ka bërë aplikimin në datën 3 janar dhe DSIK e ka pajisur atë me certifikatë në datën 4 janar. Brenda një dite DSIK ka lëshuar certifikatë sigurie të nivelit më të lartë për njohjen me informacione të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të BE-së, me vlefshmëri pesëvjeçare. DSIK nuk ka kryer një proces të mirëfilltë verifikimi sipas kushteve, detyrimeve, kritereve dhe procedurës së parashikuar në aktet ligjore.
– Cakaj ka qenë i detyruar me ligj për të aplikuar tek DSIK për certifikatë sigurie kur ai është emëruar zëvendës-ministër, në muajin qershor 2018. Cakaj nuk e ka kryer këtë detyrim.Ai ka qëndruar në postin e tij për mëse shtatë muaj pa certifikatat e domosdoshme të sigurisë.
– Gent Cakaj është lindur në Kosovë dhe ka jetuar në Kosovë, Hungari dhe Belgjikë. DSIK ka pasur detyrimin ligjor për të kryer një verifikim të thelluar në këto shtete të të dhënave të paraqitura nga Gent Cakajt. DSIK duket se nuk e ka kryer këtë procedurë.
– Procesi i verifikimit nga ana e DSIK nuk është kryer i plotë, nuk ka qenë objektiv, por është kryer në kushte urgjence dhe në përmbushje vetëm të procedurës, duke lënë mënjanë rëndësinë e përmbajtjes.
Me argumentimin për mosdekretimin e Gent Cakajt, Presidenti Meta duket se ka zbuluar një problem edhe më të rëndësishëm.
DSIK është institucion kyç në reformën në drejtësi, në procesin e rivlerësimit të magjistratëve. Ajo i jep informacion Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) rreth pastërtisë së figurë së gjyqtarëve dhe të prokurorëve.
Argumentimi i Presidentit Meta tregon se DSIK nuk zbaton ligjin dhe nuk ndjek interesin publik dhe kombëtar. Në kushtet e varësisë së saj institucionale dhe praktike nga Kryeministri Edi Rama, shkelja e ligjit dhe joprofesionalizmi e DSIK dëmton rëndë edhe besueshmërinë e reformës në drejtësi.