Është koha të flasim për ndërkombëtarët

Nga Rezearta Çaushaj
Është koha të flasim për ndërkombëtarët

Demokracia kërkon që llogari t’u kërkohet vetëm përfaqësuesve të zgjedhur me votë, qeverisë e çdo zyrtari që paguhet me para publike. Thënë kjo, është e vështirë të vësh para përgjegjësisë përfaqësuesit e huaj në Shqipëri, të cilët nuk i zgjedhim e nuk i paguajmë.

Por këta përfaqësues duhet të ruajnë paanësinë dhe nuk duhet të tentojnë të ndërhyjnë në çështjet e politikës së brendshme. Ata janë mëkëmbës të qeverisë së tyre dhe vetëm përcjellin mesazhe, që kanë për detyrimin të jenë të paanshme.

Sipas Konventës së Vjenës:

Misionet diplomatike nuk duhet të përfshihen në vendimmarrjen e shtetit pritës, sepse ato mund të përfaqësojnë jo vetëm interesa të ndryshme, por edhe të kundërta me të. Më keq akoma, qytetarët e vendit pritës nuk i kërkojnë dot llogari atyre. Ndërhyrja apo tentativa për të ndikuar në zhvillimet e brendshme konsiderohen shkelje e sovranitetit të një vendi.

Por a janë të paanshëm ambasadorët e huaj në Shqipëri?A përputhen interesat e këtyre diplomatëve me interesat tona si qytetarë?

Janë pyetje që meritojnë të trajtohen gjatë, me seriozitet dhe pa komplekse, edhe përtej këtij artikulli.

Në zhvillimet e muajve të fundit, jemi furnizuar me aq deklarata kontradiktore e joetike nga komuniteti ndërkombëtar, sa mund të përgjigjemi direkt se ata nuk janë treguar të paanshëm dhe kanë abuzuar me rolin e tyre në Shqipëri.

Shembulli më i mirë për ta ilustruar dhe për të zbërthyer krizën që vendi po kalon, është analizimi i qëndrimeve të tyre për reformën në drejtësi.

Pa asnjë përjashtim, këto qëndrime i kanë radhitur ato qartë në krah të qeverisë.

Ministri gjerman për Europën Roth, e quajti reformën në drejtësi në Shqipëri “një proces unik në botë”, që po largon gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.

Komisioni Europian, në progres raportin mbi Shqipërinë, u tregua bujar kur foli për ecurinë e reformës, pasqyruar në qëndrimet mburrëse të Mogherinit, Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme të BE. Mogherini e katheksuar karakterin trasformues të reformës në drejtësi, duke e quajtur “të paprecedentë dhe një shembull për vendet e BE-së”.

Duke i dëgjuar këto pohimi, shqiptari i thjeshtë mund të mos jetë fort i sigurtë nëse ata flasin për të njëjtën reformë që shkatërroi Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë; që lejoi emërimin e Kkyeprokurores së përkohshme në shkelje të Kushtetutës; që lejoi konfirmimin në detyrë të prokurores së korruptuar Donika Prela ,e plot probleme të tjera.

Këto raste e shumë të tjera, veçanërisht qëndrimet e hershme të ambasadorëve Vlahutin e Lu, kanë rritur kritikat se misionet diplomatike kanë kontribuar aktivisht në gjendjen e krizës ku vendi ndodhet.

Duhet thënë parasa së gjithash se jemi vetë ne, që kemi lejuar ndërkombëtarët të tejkalojnë kompetencat që u lejon posti, për shkak të psikozës sonë kolektive se të huajt dinë gjëra që ne nuk i dimë apo se ata janë të pakorruptueshëm.

Këtë psikozë, ambasadorët e kanë shfrytëzuar për të fuqizuar pozicionin e tyre, për të ndërhyrë në politikën e brendshme, për të rishpikur rolin e tyre si arbitër që vendos kush ka të drejtë, jashtë çdo lloj standardi dhe etike diplomatike që u kërkon atyre të jenë asnjanës.

Një shembull i shpërfilljes dhe arrogancës me të cilën ambasadorët flasin në Shqipëri është përcaktimi nga ana e kreut të OSBE, Borchardt, i protestave të opozitës si veprime të një grupi të vogël me interesa të ngushta, përkundër protestave të grupeve tjera më të vogla që, sipas tij, janë më tepër përfaqësuese.

Përveç përputhjes së fjalëve të tij me qëndrimet e qeverisë, pyetja shtrohet a mund t’i lejohet një ambasadori të huaj të vendos cilat protesta janë legjitime e cilat jo!

Një tjetër që ka folur me superlativa, për arritjet e reformës në drejtësi është Ambasadori i BE-së Soreca.

Para pak ditësh, u publikuan disa mesazhe mes tij dhe Ramës, ku binte në sy afrimiteti mes tyre, por edhe një dakordësi për të dobësuar pozicionin e opozitës në krizën që vendi po kalon.

Gjithë sa përmendëm ofrojnë kontekst mbi konsideratat e Zotit Roth e Zonjës Mogherini, të cilët rrahin gjoksin se gjoja kanë shpikur një metodë krejt të re për të reformuar drejtësinë e një vendi.

Por në thelb, ato na konfirmojnë se asnjë vend, sado autoritar të ketë qënë, nuk e ka lënë kurrë vendin pa sistem drejtësie, qoftë edhe për fasadë.

Ne jemi i vetmi vend në botë që ka pranuar apo i është imponuar një eksperiment nga jashtë, ku hallka gjyqësore zhbëhet me afat të papërcaktuar, me pretendimin se do të ringrihet nga e para.

A është kjo si pasojë e gjenisë së ambasadorëve të huaj apo sepse kostot e një procesi të tillë, të paaplikuar më parë në ndonjë vend, nuk ka asnjë studiues objektiv të shkencave politike apo doktrinës juridike, që merr përsipër t’i justifikojë?!

Përgjigja na vjen nga “ngërci” i fundit politik i krijuar si pasojë e mungesës së Gjykatës Kushtetuese: anulimi i dekretit që shpallte datën 30 qershor si ditën e zgjedhjeve nga Presidenti.

Qeveria pretenton se presidenti ka shkelur Kushtetutën, por kjo duhet të shqyrtohet nga GJK. Po ashtu, shkarkimi i Presidentit, i iniciuar nga qeveria, mund të ndodh vetëm pas vërtetimit të shkeljeve nga GJK-se. Në mungesë të saj, qeveria nuk njeh asnjë autoritet tjetër veç vetes. Si reagim për kërcënimin nga qeveria, Presidenti mund të shpërndajë Parlamentin, duke thelluar krizën. Të gjitha këto skenare do të ishin të pamundura nëse do të kishim Gjykatë Kushtetuese.

Reagimi i komunitetit ndërkombëtar?! Një mbledhje rresht me një të thirrur nga Rama, ku ishin ambasadorët e vendeve kryesore të BE-së.

Fakti që misionet diplomatike “informohen” direkt nga qeveria për zhvillimet në vend është shumë shqetësues po të marrësh parasysh pozicionin që ato duhet të mbajnë.

Është ironike se si përfaqësuesit e huaj u shprehen se nuk do të ndërhyjnë për të zgjidhur krizën dhe palët duhet të dialogojnë, por nga ana tjetër, mbështetja pa kushte e qeverisë është, de facto, një ndërhyrje për të influencuar situatën politike në favor të saj.

Zëdhënësja e BE-së Koçijançiç deklaroi se është thelbësore që të ruhet e drejta kushtetuese e qytetarëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet lokale. Kreu i OSBE-së Lajcak foli pak a shumë në të njëjtat linja.

Ironia, madje, u materializua dje në qëndrimin e Presidentit të KE-së Juncker, që për pak largohet nga detyra dhe që, para se të mbështeste publikisht mbajtjen e zgjedhjeve, pyeti Ramën live nëse ato do të zhvilloheshin në muajin prill.

Këto qëndrime vijnë nga e njëjta shpurë ndërkombëtarësh që u bë “garantuese” e reformës duke ditur që nuk kishin asnjë fuqi juridike për ta kontrolluar atë dhe për interesa që as na interesojnë, e që shumë prej nesh bëjmë sikur nuk i kuptojmë.

Qartësisht ama, këto nuk janë interesat tona.

Kjo u duk kur të njëjtët njerëz që predikonin se donin të “reformonin” drejtësinë, e merrnin drejtësinë vetë në dorë duke përdorur kërcënime ndaj kritikëve; të njëjtit njerëz përdorën frazat abstrakte “Po ç’rrënjosim korrupsionin në drejtësi” pa asnjë referencë ndaj procesit konkret që po ndodh.

Këto tregojnë mbi bashkëfajësinë e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë për krijimin e krizës ku ndodhemi.

Më herët, përmes heshtjes së ndërkombëtarëve e kërcënimeve të maskuara si “drejtësi perëndimore”, u lejua që qeveria ta shndërronte debatin mbi reformën në “detaje teknike”, duke vrarë mundësinë e debatit mbi parimet demokratike, që do të nxirrnin në pah se ku çalonte ky projekt.

Duke e shndërruar në debat teknik, jo vetëm që qeveria mori nën kontroll debatin, por ajo përjashtoi automatikisht qytetarët nga ky debat.

Nëse do të kishte debat gjithëpërfshirës, edhe studiuesi më mediokër do ta kuptonte se nëse vetingu supozohet të heqë “dreqin” nga djepi, zhdukja e Gjykata Kushtetuese garantonte që ai të zëvendësohej me “shejtanin”.

Ky rrezik u paralajmërua nga kritikët e reformës qysh në 2016-ën.

Por ambasadorët nuk duan të pranojnë se zhdukja pa afat e GjK-se ka sjellë humbjen e çdo kontrolli kushtetues ndaj ligjeve që Parlamenti miraton dhe rrjedhimisht, edhe ndaj qeverisë.

Duke u ushqyer nga besimi që shqiptarët u kanë dhënë, ata kanë prishur balancën mes pushteteve, kanë zhdukur kontrollin ndaj qeverisë dhe kanë vendosur gjithë sistemin gjyqësor nën thundrën e kësaj të fundit, për hir të interesave të tyre.

Ata kanë dobësuar vendin dhe e kanë bërë fushëbetejë të luftës ideologjike midis të majtës dhe të djathtës, që po zhvillohet në botë.

Pak ditë më parë deputetja italiane Erica Mazzetti u shreh se Italia duhet të ndërhyjë për të zgjidhur krizën në Shqipëri, për të mbrojtur interesat e sipërmarrësve italian.

A nuk është ky tregues se jemi aq të cënueshëm sa shtetet e tjera ndjehen të lira të imponojnë axhendat e tyre?! Sa vende mendojnë si Italia?

Dhe sërish, asgjë nga këto nuk është aq e rrezikshme sa dëmi “i fshehur” që kanë shkaktuar ambasadorët, të cilët kur ikin, nuk mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre.

Ky komunitet ka ndihmuar, aktivisht e pasivisht, për të shtrëmbëruar edhe ato pak koncepte mbi demokracinë që shqiptarët mësuan në mënyrë të dhimbshme gjatë tranzicionit, duke thelluar ndarjet dhe mundësinë e një konflikti të brendshëm.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>