Në 18 qershor, ministrja e arsimit, zonja Besa Shahini ka shkruar në Facebook në lidhje me pedagogët e arsimit universitar:
“Kjo frikë i nxjerr ata nga vetja dhe i çon nëpër debate televizive për të bërë edhe luftën e tyre të fundit kundër të pashmangshmit modernizim, i cili ka filluar tashmë në arsimin parauniversitar, por që nuk po arrin të depërtoje në arsimin e lartë”.
Ministrja Shahini harron një fakt të thjeshtë në lidhje me kohën e izolimit, që nëse sistemi universitar shtetëror bënte mësim online me platforma elektronike me studentët (Google, Zoom, Microsoft Teams), ashtu siç do të kishin bërë normalisht në auditorë, kjo nuk ndodhi me arsimin parauniversitar shtetëror.
“Shpjegimi” u mjaftua me udhëzime në Whatsapp dhe me leksione të ngurta në Radio Televizionin Shqiptar, pasi për një mori arsyesh nuk kishin mundësi të lidheshin me platforma si ato të arsimit universitar e pasuniversitar, duke bërë që shpesh herë konceptet apo ushtrimet t’u shpjegoheshin fëmijëve nga vetë prindërit.
Kërkesës për modernizim arsimi universitar iu përgjigj në një kohë rekord, ndërkohë që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për infrastrukturën e ofruar nga arsimi parauniversitar shtetëror.
Më tej ministrja shkruan:
“Hendeku mes arsimit parauniversitar dhe atij universitar po shkon duke u zgjeruar, sepse reforma kurrikulare shkollore, me gjithë sfidat që ka në zbatim, po e çon arsimin drejt aftësimit të nxënësve për punë apo për jetë […]. Ndërkohë, pedagogët e universitetit po refuzojnë kokëfortësisht ta ndjekin këtë trend.”
Arsimi parauniversitar dhe arsimi universitar varen që të dy nga ministrja në fjalë dhe kurrikula shkollore e të dyja niveleve hartohet për arsimin parauniversitar dhe miratohet për universitarin nga drejtoritë përkatëse në varësi të kësaj ministrie.
Reforma e re në arsim që ka ndërmarrë Rilindja, kishte synim të sillte arsim më cilësor, mirëpo është vetë ministrja që me gojën e saj po pranon se “hendeku po thellohet”, pra, reforma nuk po sjell rezultatet e pritshme.
Kjo do të thotë që ministria nuk është e aftë të bashkërendojë dy drejtoritë përkatëse. Është e njohur në botën akademike trysnia që po ushtron ministria për të zhdukur pavarësinë universitare, duke u përpjekur të futë duart aty ku nuk i takon.
Po përtej sulmit me këtë qëllim, fjalët e ministres provojnë më së miri se reforma arsimore që ajo po kryeson është e dështuar për shkak se ka mungesë koordinimi në planifikimin e zbatimin e saj.
Për ta mbyllur, para dy ditësh doli një deklaratë për shtyp, në lidhje me testin e debatuar të letërsisë, ku ministria që drejton zonja Shahini njoftonte që:
1 – Do të heqë nga vlerësimi pyetje specifike që rezultojnë të kenë pasur nivel më të lartë vështirësie se sa niveli i njohurive të nxënësve.
Pra, ministria me këtë deklaratë, pranon se testi ka pasur pyetje me “nivel më të lartë vështirësie se sa niveli i njohurive të nxënësve”. Kjo tregon se specialistët që kanë bërë testin në rastin më të mirë kanë dashur qëllimisht të penalizojnë nxënësit dhe në rastin më të keq, nuk njohin thellësisht programin ose bazat e pedagogjisë, mbi të cilën duhet të hartojnë pyetjet.
Përtej leximit të fjalëve të ministres dhe vartësve të saj, ka ardhur koha që të hapen publikisht edhe tezat dhe rezultatet e viteve të mëparshme, për të vlerësuar profesionistët përballë publikut nëse kanë ndodhur probleme edhe më herët, për t’i dalë para një problemi që mund të përsëritet sërish në të ardhmen.
Edhe hartuesit e tezës janë profesionistë që duhet të mbajnë përgjegjësi ndaj atyre prej të cilëve paguhen përmes taksave dhe jo të fshihen pas gishtit sulmues të ministres dhe të institucionit që ajo drejton.