Duke menduar vetmevet si për 1 qershor

Nga Anxhela Çikopano
Duke menduar vetmevet si për 1 qershor

Mendja, miq, është një çudi e madhe. Sivjet çuditërisht për 1 qershor nuk m’u kujtua se si ngrinim balona (e di që nuk ngriheshin më 1 qershor, po hajde thuaja mendjes sime, që me të do ta lidhë); sivjet m’u kujtua se si u prishën shtëpitë njëkatëshe dhe pallatet 2-3 katëshe në lagje, për t’u ndërtuar me punë vullnetare blloku i ri “Enver” me parafabrikate. M’u kujtua që bashkë me shtëpitë ikën edhe trëndafilat e vegjël që zbukuronin si shtëllunga lulesh muret e shtëpive; dorëzonjat që veç nja dy vjet më parë na e kishin ndaluar t’u thithnim lëngun për shkak të Çernobilit; plepat dhe pushi i tyre që mbulonte rrugën ku kalonte karroca e akulloreve pesëlekshe; xixënjollat ferrave të lagjes dhe shumë kujtime në një apartament me “bahçe të fshehtë” që s’e shijuam dot kurrë se i ra plani. Blloku i ri ishte shumë i bukur: beton i gjallë dhe me rrugë me zift të zi! Në pallatet parafabrikate nuk luaje dot si dikur me merimangat që kishin bërë fole shekullore mes tullave të pallateve të vjetër, as topa luftash nuk të shijonte si te dheu i mëhallës së vjetër, le pastaj pesçe që dukej fare sterile me petën, që shkiste fort mbi asfalt sa e cikje.

Po që të mos e humb fillin, pallatet e reja ishin që të gjitha njësoj. I yni kishte dhe ka në mos gaboj 11 a 12 hyrje dhe veç njëra prej tyre kishte një tjetër format, për shkak të pozicionit: ishte dhomë-paradhomë (jo fort e leverdisshme, në fakt) dhe veç ballkonit aspak të volitshëm, se nuk ishte nga krahu i diellit, kishte edhe një ballkon të dytë në krahun tjetër, i cili ishte pothuajse jofunksional, veç në mos dilje tek pullë të pije një cigare ngutur aty, se më shumë se për një njeri në këmbë nuk kishte vend. E megjithatë ajo hyrja se si ishte… se si të dukej kur hyje në shtëpitë e asaj shkalle, ato ishin… ndryshe. Edhe ajo shkalla tjetër, aty nga mesi i pallatit që ishte saktësisht si gjithë të tjerat, pse mbi njërën driatare kishte në gdhendje “1908” dukej “ndryshe”. Ashtu siç dukej “ndryshe” edhe një shall i kuq pioneri prej atlasi, në morinë e gjithë shallave të kuq të shkollës, thuajse të gjithë ose prej basme të kuqe, ose bezeje të ngjyrosur.

Ajo që m’u kujtua këtë 1 qershor ishte se sa e rëndësishme ishte asokohe diçka “ndryshe”… Mbase këto që shkrova janë veç pak mes detajeve pafund që lidheshin asokohe me fjalën “ndryshe”, po ajo që më dhemb më shumë është që sot, më 1 qershor 2016, njerëzit e kanë mundësinë dhe nuk duan, nuk dinë, nuk kanë fuqinë dhe as guximin të jenë “ndryshe”.

Sot është dita e fëmijëve, unë nuk do të dal te liqeni të zihem si kokoshat e dyluftimeve për ca baste të jashtligjshme, por fort të duartrokitura, me makinerinë e propagandës së Bashkisë, që çdo ditë e më shumë më kujton Brehtin dhe epokën e errët me të cilën luftoi. Sot dua të pyes njerëzit pse e flakin në plehra mundësinë e të menduarit “ndryshe”? Pse sot ata njerëz që me zor kanë pritur të thoshin: “Hë e shikoni, bëri kënd dhe jo pallat!” fërkuan barkun me: “Oho, ç’u kënaqëm!” për muaj të tërë dhe nuk thanë kurrë: “Hej, zotëri, ndalo pak! Jam dakord për kënd fëmijësh, por unë e mendoj njëçikë më ‘ndryshe’. Sikur të më vësh një tavolinë shahu në vend të ping-pongut? Sikur të më tregosh me çfarë materiali do ta shtrosh, se mbase nuk jam dakord me këtë? Sikur të më bësh më shumë shilarëse dhe më pak basketboll? Sikur të ma bësh më natyral dhe pa beton? Sikur ta them edhe unë mendimin tim ‘ndryshe’, se në fund të fundit ato paratë që po shpenzon aty janë edhe të miat?”

Çdo pyetje zonja dhe zotërinj, çdo sugjerim është të mendosh “ndryshe” dhe të mos shohësh në dritë të syrit njeriun, që ashtu si Udhëheqësi Legjendar dikur, nuk pyeti askërrkënd se si mund të ishte një park publik “ndryshe” dhe i miratuar nga të gjithë, po futi beton sa për 10 kate pallat dhe mos thoni që këtë nuk e keni parë!

Si për dreq, këtë 1 qershor, nuk e heq dot nga koka shprehjen e Mark Tueinit: “Sa herë që do ta kapësh veten në krahun e shumicës, do të thotë se ka ardhur koha të ndalosh dhe t’i vësh gishtin kokës.”

Vërini gishtin kokës njerëz, mbase ka ardhur koha të filloni të mendoni prapë “ndryshe”…

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>