
Një foto botuar nga 27.al ku tregohet anëtari i SPAK Altin Dumani në një kafene së bashku me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka vënë në diskutim integritetin e Zotit Dumani dhe organeve të reja të drejtësisë.
Portali 27.al pretendon se fotoja është shkrepur të dielën (15 dhjetor), një ditë përpara se Zoti Dumani të kandidonte për Kryetar SPAK-ut, garë në të cilën mori 4 nga 6 vota që duheshin minimalisht. Pro votuan: Tartar Bazaj, Besnik Cani, Esmeralda Cani e Arben Dollapaj.
Ndryshe nga ai, 6 vota për Kryetar mori Arben Kraja.
Zoti Dumani thuhet se qëndroi gjatë nën shoqërinë e Zotit Manja, i akuzuar nga opozita për përfshirje në manipulimet e votave në zgjedhjet lokale të Dibrës 3 vite më parë.

Anëtarëve të SPAK-ut u ndalohet të kenë kontakte me kriminelët dhe politikanë, të cilët duhet të jenë objekt i punës së tyre.
Portali 27.al ironizon me simbolikën e kafes duke nënkuptuar përpjekjen për të shfrytëzuar influencat, apo ndikimet e mundshme të socialistit Manja në garën për kryetar të SPAK-ut.
Pasi u zgjodh kryetar i SPAK-ut, Zoti Kraja tha se “SPAK do i ndjekë politikanët e korruptuar këmbë pas këmbe”, por në rastin konkret anëtarë të saj nuk kanë pse t’i ndjekin, pasi me politikanë ulen kafeneve.