Rreth 60 familje të një pallati 13-katësh në lagjen nr. 5 në Durrës protestuan sot kundër neglizhencës së qeverisë për vlerësimin e pallatit të tyre.
Banorët thanë se që prej një jave po jetojnë të pasigurtë në pallatin e dëmtuar nga tërmeti, pasi asnjë institucion shtetëror nuk ka bërë vlerësim të plotë të strukturës së pallatit.
Sipas banorëve, disa grupe nga bashkia kanë bërë një inspektim me sy të lirë të godinës dhe kanë shprehur nevojën për vëzhgim më të specializuar të strukturës së pallatit, por deri më tani nuk ka ardhur një grup i dytë ekspertësh.
Njëri prej banorëve sqaroi:
“Pallati është i dëmtuar deri në katin e tetë. Ka dëmtime shumë të rënda tek muret e brendshme dhe të jashtme. Pjesa e shkallëvë rrezikon sepse ka disa struktura hekuri. Këto evidentime i kemi bërë vetë ne dhe me ndihmën e ekspertëve që kanë ardhur nga bashkia.
Ata për momentin kanë thënë se pallati ka dëmtime vetëm në muret e brendshme dhe të jashtme, por për pjesën e strukturës presim një ekspertizë më të specializuar nga ekspertët francezë apo zvicerianë. Na kanë thënë që do të vijnë me aparatura për të matur dendësinë e kollonave por deri tani s’ka asgjë konkrete.”
Banorët pohuan se pallati kishte pësuar dëme dhe nga tërmeti i 21 shtatorit, por se askush nuk kishte shkuar për të vëzhguar apo hartuar në raport zyrtar për gjendjen e pallatit.
Foto të pallatit 13-katësh marrë nga ABC News: