Thuajse shtatë vjet pasi i ka mbaruar mandati, gjyqtari Ardian Dvorani vazhdon të këmbëngulë për të mos lëshuar vendin e tij.
Kur çështja e mandatit të tij është kthyer sërish në vëmendje, ai po përpiqet të krijojë insinuata dhe makinacione intepretative ligjore për të legjitimuar vazhdimin e qendrimit të tij në Gjykatën e Lartë.
Disa ditë më parë, Presidenti Meta i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Gjykatës së Lartë të shpallin mbarimin e mandatit të Dvoranit, por KLGJ në mënyrë të pashpejguar i ka kërkuar mendim Dvoranit para se të marrë një vendim.
Ditën e enjte, Dvorani i kërkoi KLGJ-së më shumë kohë për të argumentuar përgjigjen.
Në kërkesën e tij ndaj për KLGJ-në, Dvorani kërkon përveç kohës, të shqyrtohet ligjshmëria e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë.
“Ky diskutim [për mandatin] duket se lidhet pashmangshmërisht edhe me faktin nëse vetë KLGJ dhe Presidenti kanë respektuar Kushtetutën dhe ligjin në procesin që kanë ndjekur dhe përmbushur deri në emërimin e 3 gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë,” shkruan Dvorani.
Duket se me këtë insinuatë të qëllimshme, Dvorani kërkon të legjitimojë qendrimin duke hedhur dyshime se procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.
Megjithatë, ligjshmëria ose jo zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nuk legjitimon vazhdimin e qëndrimit të gjyqtarit Dvorani në GJL. Siç Exit ka argumentuar më parë, ai mban postin në kundërshtim me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar largimin e tij nga Gjykata e Lartë.
Mandati i tij mbaroi në vitin 2014 dhe Gjykata Kushtetuese ka një vendim që urdhëronte lëshimin e postit prej tij, por ai sërish nuk iu bind këtij vendimi, duke vendosur një rekord botëror për mbajtjen e mandatit 7 vjet pasi mbarimit të tij.
Ndërkohë, që sipas ligjit, Dvorani nuk duhet të kishte shërbyer si gjyqtar pasi Ligji i Lustracionit ndalon ish-prokurorët e regjimit komunist të përfshirë në procese politike të shërbejnë në organet e sotme të drejtësisë. Dvorani ka qenë prokurori që heti dhe akuzoi disa qytetarë shkodranë u akuzuan për hedhjen e bustit të Stalinit duke i kërkuar trupit gjykues burgosjen e tyre.
Duhet theksuar, gjithashtu se Dvorani e kaloi procesin e vetingut në rrethana të debatueshme, duke mos justifikuar qindra milionë lekë dhe me deklarime qesharake huash marramendëse nga familjarë.