Javën e shkuar, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Ardian Dvorani pohoi për Reporter.al se kandidatët për Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD) nuk do të kalojnë procesin e vetingut përpara se të emërohen.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për katër kandidatët e parë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, të shpallur nga KED, Dvorani deklaroi:
“Ne nuk kemi verifikuar asgjë mbi pasurinë dhe figurën e kandidatëve magjistratë, pasi vendimin për ta do ta japin institucionet e vetingut. Por Këshilli ka afate ligjore për të përfunduar procesin dhe, ndryshe nga SPAK, dispozitat për dy postet nuk parashikojnë vendim të formës së prerë nga vetingu.”
Kjo deklaratë është jashtëzakonisht domethënëse, pasi është vetë KED-i institucioni që ka miratuar aktet nënligjore që “nuk parashikojnë vendim të formës së prerë nga vetingu”.
Me këtë veprim, KED-i e ka sjellë një situatë kontradiktore në të cilën kandidatët për Gjykatën Kushtetuese dhe ILD mund të zgjidhen pa kaluar vlerësimin e pasurisë dhe figurës, ndryshe nga parashikimet kushtetuese dhe ligjore.
Për më tepër, duket se KED-i, në kundërshtim me deklaratat e Dvoranit, aktualisht është përfshirë në verifikimin e pasurisë, sikurse e kërkon Ligji për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë, duke shqyrtuar raportet e ILDKPKI-së .
Për shembull, kandidatura e zëvendëskryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Denar Biba u refuzua, pjesërisht për shkak të një deklarate të munguar të pasurisë.
Dvorani pranoi se “nuk do t’i bënte nder procesit” nëse anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të miratuar nga KED-i, do të shkarkoheshin më vonë nga institucionet e vetingut dhe do të detyrohen të lirojnë vendet e tyre.
Në fakt, nuk do të ishte aspak e papritur nëse do të ndodhte kështu.
Bashkim Dedja u largua nga KED-i kur Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi vendimin e konfirmimit të tij nga KPK. E njëjta gjë ndodhi edhe me prokuroren Antoneta Sevdari, e cila u largua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Deri sa u shkarkua nga KPA, Sevdari kishte marrë pjesë në disa vendime të rëndësishme të KLP-së.
Një skenar i ngjashëm do të ishte shkatërues për Gjykatën Kushtetuese. Ka disa çështje shumë urgjente që duhet të shqyrtohen nga Gjykata e re, përfshi ligjin special për Teatrin Kombëtar, zgjedhjet lokale të 30 qershorit dhe shkarkimin e mundshëm të Presidentit Ilir Meta.
Nëse vendimet për këto çështje do të merreshin nga gjyqtarë të pavetuar, jo vetëm do të kompromentohej fatalisht gjykata më e rëndësishme e Shqipërisë, por do të thellohej më tej kriza politike dhe kushtetuese e vendit. Vetëm një Gjykatë Kushtetuese e pavarur, apolitike dhe plotësisht e vetuar do të mund të vendoste stabilitet në gjendjen aktuale politike.