Ditët e fundit në media dhe portale është shfaqur një tendencë për të paraqitur Erion Veliajn dhe Fatmir Xhafajn si dy lojëtarë dhe faktorë që po sfidojnë autoritetin e Edi Ramës.
Veliaj paraqitet si një ‘dishepull ambicioz’ që ka nisur tashmë planin e vet për të kapur kreun e Partisë Socialiste madje si një lojëtar që ruan partneritetin me LSI-në në mënyrë personale, pa pyetur për Ramën.
Ndërsa Fatmir Xhafaj nga ana tjetër paraqitet si një sfidues ‘trim e sypatrembur’ i kryeministrit, aq sa është krijuar ideja sikur ishte Fatmir Xhafaj ai që e detyroi Ramën të lironte nga detyra Haki Çakon, ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.
Përveç këtyre pretendimeve asnjë motiv dhe arsye tjetër nuk paraqitet në mbështetje të tezës se ‘Veliaj dhe Xhafaj po sfidojnë Edi Ramën’.
Por teza e një lufte të brendshme në PS po forcohet dita ditës, ndonëse përfituesi kryesor nga kjo tezë, me gjasë është vetë Edi Rama dhe zyra e tij e shtypit që përhap më së shumti këtë version.
Zoti Rama është sinkronizuar në mënyrë perfekte me Veliajn në vitet e fundit. Si kryetar bashkie, Veliaj ka zbatuar me përpikmëri të gjitha kontratat e mëdha të ndërtimit të urdhëruara nga Edi Rama. Biznesmenët e mëdhenj me të cilët bashkëpunon Rama, kanë arritur çdo objektiv që kanë dashur në Tiranë dhe kanë avancuar pa asnjë problem, Veliaj ka qenë thjesht një ‘noter’ i marrëveshjeve të Ramës me ta.
Edi Rama nga ana tjetër, i ka dhënë Veliajt edhe mision politik ndaj LSI-së. Rama ka ndjekur kryesisht dy linja paralele në raport me LSI-në. E para ishte linja e kërbaçit, ku zyrtarë të lartë si Saimir Tahiri apo Damian Gjiknuri ishin gjithnjë gati për luftë me ish-aleatin.
Por paralel Rama mbante dhe linjën e kulaçit, nëpërmjet Veliajt. Ky qëndrim i dyzuar është tipik për Ramën, në çdo rast i kishte aty të dyja opsionet gati- edhe kulaçin dhe kërbaçin.
Interpretimet sikur Veliaj ka sfiduar Edi Ramën duke bashkëpunuar me LSI-në janë instrument i lojës që vetë Ramës i intereson.
Rama ka qenë vetë kryetar bashkie dhe e di shumë mirë se votat e Këshillit Bashkiak janë jetike për zbatimin e projekteve të rëndësishme. Nisur nga kjo përvojë, Rama është i pari që e kupton nevojën për bashkëpunim të Veliajt me faktorët përcaktues në Këshillin Bashkiak.
Një tjetër motiv që ka afruar Veliajn me LSI-në ishte kundërshtari i përbashkët i tyre: Saimir Tahiri.
Sot Tahiri është pa pushtet dhe po heq telashe penale, por për afro 4 vite Saimir Tahiri ishte njeriu më i pushtetshëm në institucionet e sigurisë së vendit. Ai u kthye në makthin e kundërshtarëve të tij, sidomos të kundërshtarëve brenda llojit. Interceptimet elektronike dhe përgjimet shkaktonin paranojë, aq sa në vitin 2016 në katin ku ka zyrën bashkëshortja e Veliajt në ‘Sky Tower’, u instaluan dhe disa mjete zhurmuese që parandalonin përgjimet.
Tashmë që Tahiri është thuajse i ‘djegur’, zyra e shtypit të Edi Ramës po synon të emërojë si sfidues dhe gjasme-kundërshtarë të tij Veliajn dhe Xhafajn.
Në këtë mënyrë Rama vijon të duket sërish ‘mbi palët’ dhe aspak favorizues për njërin apo tjetrin klan në PS, ndonëse është e qartë se Tahirit i janë mbyllur shtigjet dhe se Veliajt i është hapur rruga dhe në horizont nuk duket ndonjë pengesë.
Interesant është fakti se në krye të zyrës së shtypit të Edi Ramës është shoku dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Veliajt, Endri Fuga. Koordinimi s’mund të jetë dhe aq i vështirë.
E njëjta logjikë vlen dhe për rastin Xhafaj. Disa media po përpiqen ta shfaqin Xhafajn si ministër që ka axhendën e vetë dhe që nuk pyet shumë për Ramën. Mediat referojnë rastin e shkarkimit të Haki Çakos dhe rrjetit të policëve të implikuar në kanabizimin e vendit.
Mirëpo asgjësimi i këtij rrjeti policësh aq sa mund të jetë zell i Xhafajt, aq është dhe leverdi e Edi Ramës.
A do mundej dot ndonjë shef policie të lejonte kanabizimin nëse do mungonte vullneti dhe mbrojtja e kryeministrit për ta bërë atë gjë?
Është e pamundur të ndodhte pa aprovimin e heshtur të Ramës. Ndaj dhe kanabizimi nuk është një fenomen që njollos dhe shkakton probleme për policët, por është implikim i rëndë politik në radhë të parë për vetë Edi Ramën.
Spastrimi që po bën Xhafaj, është një ndëshkim i sforcuar institucional për të ruajtur pushtetin politik. Përfitues është sërish Edi Rama, sepse ai është në krye të pushtetit.
Fatmir Xhafaj jo vetëm që nuk po e sfidon Edi Ramën, por ai është kthyer në instrumentin e çmuar që Ramës i duhet për të larë duart me problemin e kanabizimit. Xhafaj është ministri që Rama ka caktuar për të spastruar bashkëpunëtorët e tij të dikurshëm në polici.
Ndaj dhe është më mirë që nëpër media të përflitet sikur Xhafaj po e sfidon Edi Ramën, ndërsa Rama është i qartë se Xhafaj po bën pikërisht atë që i duhet atij më shumë.
Veliaj dhe Xhafaj nuk rezultojnë askund kundërshtarë apo sfidues të Edi Ramës. Nëse zyra e shtypit të Ramës i emëron ata si kundërshtarë, Xhafaj dhe Veliaj mund të jenë në garë me Maqo Lakrorin, por jo me Edi Ramën. Hashtag.al
Ky artikull u botua më parë tek Hashtag.al.
Shënim mbi përmbajtjen: Karikatura e përdorur në shkrim është kolazh me punimet e Bujar Kapexhiut.