Si çdo gjë tjetër që ndodh në Shqipëri dërgimi i 10 mjekëve dhe 20 infermierëve në Itali po komentohet jo nga vetë merita e veprimit por nga mendimi apo ndjenja e secilit karshi vendim-marrësit, pra Edi Ramës.
Gjatë ditës u përpoqa ta shmang zhurmën e këtij debati nuk mendova për të. Por befas fillova të merrja mesazhe falenderimi dhe mirënjohje nga miq të mi italianë.
Mesazhin e parë e prita me indiferentizëm, por mbasi mesazhet u bënë 5, 6, 8, 10…—madje nga dy shokë shkolle që kisha dy dekada pa komunikuar më ta e më gjetën në Facebook, fillova të reflektoja.
Për të qenë i ndershëm me veten dhe me të gjitha ata miq italianë që ndjehen kaq mirëmjohës për një veprim thuajse simbolik pa ndonjë domethënie të madhe praktike, vendosa të mposht cinizmin e zakonshëm dhe të ndaj një tjetër vështrim.
Dërgimi i 30 mjekëve në Itali mund të jetë bërë për propagandë por ka disa të vërteta përtej kësaj.
Kryesorja është se ata 30 mjekë dhe infermierë janë njerëz të vërtetë, që do rrezikojnë jetën e tyre, do punojnë, do mundohen dhe të ndihmojnë. Për veten e tyre, ata janë në një mision të vërtetë, si mjekë dhe si njerëz—sjellja dhe puna e tyre është e vërtetë dhe jo propagandë.
Duke u përqëndruar tek përdorimi i misionit si propagandë, ne harrojmë që ata njerëz, ata mjekë janë e vërteta kryesore dhe e vetmja gjë që ka rëndësi në këtë histori.
Përtej kësaj, ka katër efekte të tjera që, pavarësisht nga motivimi i misionit, janë kthyer në një realitet pozitiv gjatë ditës së sotme dhe do të vazhdojnë të mbetën kështu në ditët e ardhshme:
1. 30 mjekët e infermierët shqiptarë po japin një ndihmë konkrete ndaj italianëve për jetët e të cilëve ndihma e tyre mund të bëjë shumë. Nuk ka rëndësi nëse këta janë vetëm 2, 4, 10, 20 italianë—rëndësi ka se disa njerëz po marrin një ndihmë e cila ndoshta do ju mungonte pa mjekët shqiptarë përballë një sistemi shëndetësor të shtrirë dhunshëm nga epidemia përtej kapaciteteve të tij.
2. Misioni i ndihmës shqiptare po i jep mundësi Italisë të përdorë këtë fakt për të rritur presionin ndaj Bashkimit Europian për më shumë ndihmë, për të cilën Italia ka aq shumë nevojë. Mund të mos kuptohet qartë, por fakti që Shqipëria e varfër dhe në krizë po dërgon ndihmë, patjetër është një narrativë e fuqishme për qeverinë dhe politikanët italianë përballë atyre të BE-së. Kjo është ndihmë për Italinë.
3. Është e pabesueshme të shikosh se çfarë ndikimi ka patur në media, opinionin publik dhe vetë qytetarët e thjeshtë italianë ky mision. Italianët janë ndjerë shumë mirë, sepse ata ndjenë se nuk janë vetëm; kuptuan se ata kanë mirënjohjen e botës, të cilës i kanë dhënë aq shumë, ndoshta u ndjenë ende të rëndësishëm për botën edhe pse fuqia e tyre ekonomike dhe ndikimi i tyre në të ka rënë dekadat e fundit. Italianët janë prekur sinqerisht.
4. Misioni ka bërë për imazhin shqiptar në një ditë të vetme më shumë se çka bërë politika jonë në vite. Ky veprim i ka dhënë shkëlqim imazhit jo aq të shkëlqyer të shqiptarëve (të paktën të atyre që jetojnë ende në Shqipëri). Misioni për Italinë na ka bërë mirë edhe ne shqiptarëve—ju ka bërë mirë sidomos shqiptarëve që jetojnë në Itali, që jam i bindur kanë marrë më shumë falenderime e mirënjohje dhe më shumë emocione se sa kam marrë unë sot. Kjo është arsye që të ndihemi mirë.
Sa për të tjerat, për politikën, propagandën, për cinizmin, ka gjithmonë një tjetër ditë nesër. Të paktën sot politika nuk na bëri dëm.