Observatori Francez i Ekonomisë (OFCE) raportoi të hënën se mbyllja e aktiviteteve dhe kufizimi i lëvizjeve gjatë dy muajve të fundit i kanë kushtuar Francës €120 miliardë humbje në të ardhura.
“Gjatë shtetrrethimit aktiviteti ekonomik ra me 32 për qind, rreth 5 përqinde e GDP-së vjetore të 2020-ës”.
OFCE thekson se rimëkëmbja ekonomike e Francës do të varet shumë nga politikat që ajo do të aplikojë pas heqjes së masave kufizuese.
Prej 17 marsit, kur u vu shtetrrethimi, qeveria franceze ka diktuar shkurtim shpenzimesh për të kursyer fonde, kursime që përllogariten të shkojnë deri në €55 miliardë.
Rreth 9.6 milionë francezë, ose ndryshe 1 në 7 qytetarë, mendohet se po vuan papunësinë për shkak të epidemisë.
Sipas vendimit të qeverisë rreth 84 për qind e pagës së tyre këto dy muaj është marrë përsipër nga shteti.
Ekspertët e ekonomisë mendojnë se defiçiti buxhetor i shtetit francez pritet të shkojë në 9 për qind shifra më kritike e pas-Luftës së Dytë Botërore.
Rreth 2,5 milionë njerëz janë infektuar me Covid-19 në gjithë botën, ndërsa 166 mijë prej tyre kanë vdekur, rreth 20 mijë janë shënuar në Francë.
Në fillim të prillit, banka e shtetit francez deklaroi zyrtarisht hyrjen në recesion të ekonomisë pasi në 3 muajt e parë të vitit ekonomia kishte shënuar rënie prej 6 për qind.
Organizata Botërore e Tregtisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë paralajmëruar efektet e rënda që pandemia do të sjellë në ekonomi ku hamendësohet se pas mposhtjes së infeksionit bota do të vuajë krizën më të thellë që prej viteve ’30.