
Dy oficerë grek janë vënë nën hetim, pasi akuzohen për neglizhencë ndaj ankesës së shtetases shqiptare, Anisa Sheu, e cila u vra të premten nga bashkëshorti i saj,Florand Sheu.
Hetimi erdhi pas publikimit në mediat greke të një denoncimi të bërë nga fqinjët e çiftit më 11 korrik, i cili nuk u trajtua me seriozitet nga policia.
Sipas një raportimi nga Shqiptarja.com, vetë viktima kishte akuzuar policinë për neglizhencë, përmes një statusi në rrjetin social Facebook.
Ajo u shpreh e zhgënjyer për mosreagimin e oficerëve, të cilët pasi ishin paraqitur me vonesë, thjesht kishin kontrolluar nga makina dhe ishin larguar, pa ndërrmarr asnjë veprim të mëtejshëm.
Dalja në dritë e këtyre fakteve ka shkaktuar indinjatë në opinionin publik grek, pasi ndërhyrja e policisë do të kishte shpëtuar jetën e gruas.
Shtetasi shqiptar, me origjinë nga Buzi i Tepelenës, citoi si shkak të vrasjes xhelozinë ndaj bashkëshortes.