Dy prej ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetit që do të hetonin origjinën e Covid-19 në Kinë, nuk janë lejuar të udhëtojnë drejt Wuhanit, pasi rezultuan ‘pozitivë për antitrupat IgM’.
Ekspertët mbetën të bllokuar në Singapor, ndërsa të tjerët udhëtuan për në Wuhan.
Antitrupat IgM janë ndër shenjat më të hershme të mundshme të një infeksioni koronavirus, por mund të shfaqen edhe tek dikush që është vaksinuar ose infektuar më parë (por nuk është më bartës) i virusit.
Që nga nëntori i vitit 2020, udhëtarët që fluturojnë në Kinë duhet të kenë me vete dy teste negative: një test të antitrupave IgM dhe një test PCR, para se të lejohen të hyjnë.
Ekspertët e bllokuar në Singapor po ristestohen, dhe më parë ishin testuar dhe kishin dalë negativë për koronavirusin shumë herë, tha OBSH.
Pjesa tjetër e ekipit do të fillojë punën menjëherë gjatë protokollit të karantinës 2 javore për udhëtarët ndërkombëtar.
Më pas ata do të takohen dhe me ekspertë të tjerë kinezë.
“Studimi do të nisë në Vuhan për të identifikuar burimin potencial të infektimit për rastet fillestare”, ka njoftuar OBSH.