Projekti i bashkisë së Durrësit për ndërtimin e një nënkalimi me platformë betoni dhe plani për ngritjen e pallatit të Drejtësisë në lulishten e Mauzoleumit të Dëshmorëve rrezikojnë me zhdukje pjesën e mbijetuar deri më sot të lagjes antike romake-dhe sipas arkeologëve një epokë historike të shkëlqimit të qytetit bregdetar.
Në fillim të viteve ’80, arkeologu Fatos Tartari gërmoi pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve në Durrës dhe zbuloi mozaikë dhe një afresk të ruajtur si pjesë e një banese luksoze romake. Tartari kujton se gjetjet u konservuan dhe u mbuluan sërish, ndërkohë që mbi to gjendet sot një nga rrugët kryesore të qytetit dhe disa lulishte.
Prej asaj kohe, zona me gjetje arkeologjike u rrethua nga pallate shumëkatëshe që varrosën në themelet e tyre një pjesë të lagjes romake të Durrësit, ndërsa pjesa tjetër nën lulishtet rreth Mauzoleumit mbeti e paprekur.
Megjithatë, edhe kjo pasuri e shpëtuar kërcënohet sot nga dy projekte infrastrukturore të miratuara nga bashkia e Durrësit.
Prej vitit 2016, Bashkia e Durrësit ka planifikuar ndërtimin e një tuneli nëntokësor me vlerë rreth 950 milionë lekë mbi mbetjet arkeologjike. Po ashtu, në lulishtet pranë Mauzoleumit parashikohet ndërtimi i një godine të re për Gjykatën dhe Prokurorinë e Durrësit, me vlerë të përafërt 1.6 milionë euro.
Të dyja projektet kundërshtohen ashpër nga arkeologët, të cilët thonë se rrezikojnë me zhdukje pjesët e pacënuara të lagjes romake, që mbart rëndësi të veçantë për historinë e qytetit të Durrësit.
“Janë të gjitha banesa luksoze, pra kjo tregon se është lagjia e senatorëve romakë. Aty janë të gjitha veprat e artit, ka një galeri në natyrë po të zbulohen, ka mozaikë dhe afreske,” tha për BIRN arkeologu Fatos Tartari.
“Kjo përfaqëson shkëlqimin e Durrësit dhe nëse i hiqet Durrësit kjo epokë, atëherë ky qytet merr fund,” shtoi ai.
Prej vitit 1961, nëntoka e Durrësit është shpallur muze dhe mbrohet me një ligj të veçantë si rrjedhojë e VKM nr. 172, datë 2 qershor 1961 ‘Për nëntokën e Durrësit’”. Megjithatë, statusi i mbrojtjes ligjore është injoruar në vazhdimësi nga autoritetet, të cilët u kanë dhënë prioritet projekteve të ndërtimit mbi vlerat arkeologjike të qytetit.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se bashkia e Durrësit i ka avancuar planet e veta infrastrukturore në mungesë të një sondazhi arkeologjik, përmes buxhetimit të projektit dhe kontraktimit të një studioje për hartimin e projektit dhe Vlerësimin Paraprak të Ndikimit në Mjedis.
VNM-ja është hartuar nga studioja Gjeokonsult & CO sh.p.k, e cila paraqet një situatë kontradiktore sa i përket vlerave arkeologjike dhe historike të zonës.
“Zona ku ndodhet objekti dallohet për objekte të veçanta arkitekturore e historike si dhe gjetje arkeologjike,” thuhet në VNM.
“Sipas studimit gjeologjik, karakteristikat gjeomorfologjike dhe arkitektonike janë të zakonshme, e deri sot nuk përfaqësojnë ndonjë objekt të veçantë për t’u marrë në mbrojtje ligjore,” shkruhet në fjalinë pasardhëse.
Të kontaktuar nga BIRN, Bashkia e Durrësit dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, ASHA u përgjigjën se kishin planifikuar realizimin e një sondazhi arkeologjik para fillimit të punimeve. Por plani i ndërtimit ka ecur shumë herë më shpejt sesa sondazhi për dokumentimin e vlerave arkeologjike dhe historike të zonës.
Në mungesë të sondazhit, bashkia e Durrësit ka alokuar rreth 199 milionë lekë nga buxheti i saj për lotet e para të punës. Ndërkohë, një vendim i Këshillit Bashkiak i vitit 2015 është miratuar që lulishtet te Mauzoleumi të kthehen në shesh ndërtimi për “Pallatin e Drejtësisë”.
Beton mbi arkeologjinë
Bashkia Durrës, e cila fitoi çështjen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë u detyrua më herët të ndryshonte projektin për të konservuar disa prej gjetjeve arkeologjike, por ky korrektim nuk i kënaqi pritshmëritë e shoqërisë civile. Ndërkohë, leje ndërtimi të dhëna në zona me pasuri arkeologjike ndër vite, kanë shkaktuar sipas specialistëve dëme të pakthyeshme për historinë e qytetit.
Ngjashëm, projekti i Bashkisë së Durrësit për një tunel që fut nëntokë disa segmente të rrugëve kryesore të qytetit dhe ai për ndërtimin e një “Pallati Drejtësie” në të njëjtën zonë, janë sipas arkeologëve një “krim i ri” mbi historinë e qytetit.
Arkeologu Moikom Zeqo, i cili njësoj si Tartari e nisi karrierën e tij me eksplorimin e nëntokës së Durrësit i tha BIRN se zona ku janë planifikuar ndërtimet është e “dorës së parë” për historinë e qytetit.
“Ky projekt është i gabuar, sepse aty gjendet lagjia romake dhe kjo u vërtetua në mënyrë absolute tek lagjja romake që u zbulua tek ish-Lulishtja 1 Maji. Ajo lagje nuk ka qenë e veçuar. Në bazë të sistemit urbanistik hipodamik, rrugët vijojnë edhe në këtë drejtim dhe e gjithë ajo hapësirë, nga zona e ish-Lulishtes 1 Maji e deri tek Mauzoleumi i Dëshmorëve është një zonë e pasur arkeologjike,” tha Zeqo për BIRN.
Zeqo shprehet i bindur se ndërtimi i tunelit aty do të prishë shtresa të mëdha kulturore të qytetit të antik.
“Do të thotë që një pjesë shumë të rëndësishme të qytetit të Durrësit ta varrosësh dhe ta betonosh,” shton ai.
Tartari dhe Zeqo nuk janë të vetmit që ngulmojnë për ruajtjen e lagjes romake. Prej tre vitesh, arkeologë shqiptarë dhe francezë po zhvillojnë aty projektin e quajtur “Topografia e Epidamn-Dyrrahut”, i cili në verën e vitit 2017 identifikoi strukturat e një terme (banjo) të periudhës romake në lulishten e Mauzoleumit të Dëshmorëve.
Arkeologu Eduart Shehi, i cili drejton projektin kërkimor shqiptaro-francez i tha BIRN se kjo zonë dallon nga zbulimet arkeologjike të mëparshme.
“Ne kemi gërmuar në pjesën e lulishtes, që është territor tërësisht i ri [nga zbulimet arkeologjike të mëparshme], por ndoshta pjesë e së njëjtës ndërtese,” tha Shehi.
Projektet e reja të ndërtimit shihen me shqetësim edhe nga operatorët turistikë, të cilët e konsiderojnë arkeologjinë si një ndër arsyet kryesore për tërheqjen e turistëve. Rigels Lenja, guidë turistike në Europën Juglindore i tha BIRN se ndërtimet e reja e bëjnë vendin më pak tërheqës.
“Arsyeja kryesore përse Durrësi është në një plan të dytë apo të tretë për t’u vizituar, është se nuk ka një vend ku turistin mund ta dërgosh dhe ta kuptojë historinë e qytetit që nga embrioni e deri në ditët e sotme”, u shpreh Lenja.
“Një turist nuk mund të qëndrojë më shumë se dy orë sot në Durrës,” shtoi ai me keqardje.
Projekti, në zonën A dhe B
Në fund të sheshit pritet po ashtu të ngrihet një godinë, e cila është planifikuar të shërbejë si strehë e re për Gjykatën dhe Prokurorinë e Durrësit.
Në një përgjigje me shkrim për BIRN, bashkia e cilësoi kalimin nëntokësor të nevojshëm për lehtësimin e lëvizjes në të dyja kahet e qytetit, ndërsa shtoi se është duke gjetur mundësitë për financim me qeverisjen qendrore, Bashkimin Europian dhe donatorë të huaj.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë i tha BIRN se Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar vënien në dispozicion të sheshit për pallatin e Drejtësisë që në vitin 2015, ndërsa shtoi se ky projekt është parashikuar të financohet nga Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor.
“Parashikimi për ndërtimin e një Gjykate të re dhe ndërtimi i godinës për Prokurorinë ka ardhur për arsye të kushteve dhe hapësirave të sallave për zhvillimin e gjyqeve, të cilat janë të papërshtatshme,” shkruan ministria e Drejtësisë. Kjo godinë parashikohet të zërë një hapësirë prej 2500 metrash katrorë.
E pyetur për vlerat arkeologjike në gjurmët e ndërtimit të projektuar, bashkia e Durrësit u përgjigj fillimisht se ky vlerësim i përket një faze të mëvonshme.
“Përsa i takon çështjes së problematikës arkeologjike, referuar dhe legjislacionit në fuqi, marrëdhënia me institucionet përkatëse arkeologjike dhe çdo lloj marrëveshje apo bashkëpunimi do të bëhet në një moment të mëvonshëm,” u përgjigj bashkia.
Por studioja e kontraktuar nga bashkia për Vlerësimin Paraprak të Ndikimit në Mjedis, Gjeokonsult & Co i tha BIRN se projektet e studiuara prej saj bien në zonën arkeologjike B.
“Zona ku bëhet ‘studim, projektim, zbatimi i sheshit publik dhe godina shërbimi institucionale pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve Durrës’ është në zonën B. Përgjigjen mund ta merrni pranë bashkisë Durrës,” u përgjigj Gjeokonsult &Co.
Agjencia e Shërbimit Arkeologjik nën varësinë e Ministrisë së Kulturës, e cila ka vendosur realizimin e një koncepti për sondazhe arkeologjike në zonën e projektit ka një qëndrim të ndryshëm. E pyetur nga BIRN se në cilën zonë shtrihet gjurma e këtij projekti, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik u përgjigj: “ ky projekt shtrihet pjesërisht në zonën “B” dhe “A” të qytetit të Durrësit”.
Agjencia e Shërbimit Arkeologjik bëri me dije se bashkia e Durrësit ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me shoqërinë e licensuar AD-Star sh.p.k për kryerjen e sondazheve arkeologjike në zonë që prej 26 tetorit 2017.
Në një përgjigje të dytë për BIRN, Bashkia e Durrësit konfirmoi marrëveshjen me studion e licensuar dhe sipas saj, ka filluar sondazhet arkeologjike në zonë. E kontaktuar nga BIRN, AD-Star tha se nuk kishte filluar ende nga puna.
Shkatërrimi i Durrësit
Indrit Rexhepi, administrator i një kafeneje në këtë zonë i tha BIRN se nuk ishte informuar dhe nuk e dinte nëse duhej të lironte hapësirën përpara kafenesë së tij. Të tjerë pronarë kafenesh në rrugë ngritën supet në padijeni për projektin.
Lartësia e sheshit të ri, që pritet të ngrihet paralel me katin e parë të dy blloqeve të pallateve në të dyja anët e rrugës pritet me shqetësim nga banorët.
“Vangjushi e ka bërë Durrësin beton të gjallë… E mira është të vendosin stola që të ulemi ne pensionistët”, shprehet Suzana Karagjozi, banore e katit të parë në një prej pallateve të zonës.
Artan Kacani, lektor për planifikimin e territorit, i cili analizoi renderat e pjesshëm të projektit që BIRN mori nga bashkia Durrës tha se sheshi i planifikuar është një platformë e madhe blloku prej betoni, që ngrihet mbi tunelin e nëndheshëm me 8 metra lartësi.
“Kjo hapësirë nuk është menduar as për funksion parkimi, as për ndonjë funksion tjetër. Mbi të gjitha do t’i bëjë një hije të dy pallateve që janë të përpara viteve’ 90 dhe do të margjinalizojë ato pak sheshe që janë,” argumentoi Kacani për BIRN.
Planifikuesi i territorit ka gjithashtu dyshime nëse kjo ndërhyrje do të lehtësojë trafikun në këtë zonë. “Në aspektin e lëvizshmërisë së automjeteve nuk ndryshon asnjë lloj gjëje sepse forma mbetet po ajo. Ndërsa në aspektin e lëvizjes së këmbësorëve, fragmentohet tërësisht,” shtoi Kacani.
Kacani dhe dy arkeologët me të cilët BIRN bisedoi thanë se projektet e reja duhet të zhvillohen në “Durrësin e dytë”- zona e ish-Kënetës dhe jo më në qendrën e vjetër të qytetit.
“Mendoj se investimet e radhës duhet të spostohen tërësisht. Nuk e di përse vitet e fundit është rikthyer ky lloj perversiteti për t’ju rikthyer qendrës dhe me investime në parcela, as në blloqe jo, duke i neglizhuar tërësisht pjesët historike. Është e pakuptimtë,” tha Kacani.
Zeqo e mbështet idenë e Kacanit, ndërkohë që thotë se është i nevojshëm një moratorium që ndalon ndërtimet e reja në zonën me pasuri arkeologjike.
Ndërsa Tartari thotë me trishtim se dëmi i shkaktuar ndër vite është aq i madh, sa qyteti nuk ka më një pikë referimi.
“Durrësi ka dalë nga përmbajtja e tij. Durrësi përfaqëson qendrën më të shëmtuar në botë, që nuk ka një pikë referimi, që nuk ka një qendër historike. Qytetërimi mesdhetar ka një fizionomi, nuk ka ndërtime prej betoni, ndërtime 20 katëshe,” përfundoi ai.