Dy standartet e BE-së për zgjedhjet

Dy standartet e BE-së për zgjedhjet

Komisionerja e BE-së për Drejtësinë dhe Barazinë Gjinore Vera Jourova i ka bërë thirrje partive politike të vendeve anëtare të BE-së të bashkojnë forcta e tyre për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme për parlamentin evropian.

“Unë pres që të gjithë aktorët politikë të marrin përgjegjësitë e tyre; në të njëjtën kohë të gjitha masat e reja do të sigurojnë respektimin e ligjeve,” tha ajo në deklaratën për shtyp.

Në shtator, Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Junker propozoi disa masa të reja përpara zgjedhjeve evropiane për përforcimin e demokracisë dhe promovimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Në vazhdën e kësaj, Komisionerja Jurova i ka shkruar të gjitha partive të jenë transparente dhe të respektojnë ligjet evropiane mbi mbrojtjen e të dhënave të zgjedhësve gjatë fushatave të tyre.

Paketa e masave u miratua nga të gjitha vendet e BE-së në shtator me qëllim transparencën e partive politike dhe fondacioneve të BE-së për rritjen e demokracisë.

Ndër masat e marra më kryesorja është transparenca me reklamat politike në veçanti reklamat e transmetuara online. Të gjitha partitë duhet të tregojnë në faqet e tyre se kush i financon reklamat dhe si e kanë targetuar publikun, të cilit i shfaqet reklama. Mbi të gjitha duhet të respektojnë ligjin për mbrojtjen e të dhënaave personale të votuesve.

Nevoja për këto masa të reja lindi pasi gjatë zgjedhjeve dhe referendumeve u vunë re kërcënime dhe përdorimi i paligjshëm i të dhënave personale të votuesve.

Çdo parti e cila nuk e zbaton këtë rregull do të gjobitet deri në 5 përqind të buxhetit të saj dhe nuk do të mund të aplikojë për asnjë fond nga BE për 1 vit.

“Zgjedhjet tona dhe kohët e fundit edhe demokracioa jonë po përballet me kërcënime të reja. Sot, unë i bëj thirrje partive politike të bëjnë pjesën e tyre në garantimin e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira.

Votuesit meritojnë transparencë për të zgjedhur në mënyrë të pandikuar. Reklamat politike online duhet të jenë po aq transparente sa dhe reklama e transmetuar në televizione apo në pankarta.

Partitë politike gjithashtu duhet të sigurojnë faqet e tyre online nga sulmet kibernetike dhe duhet të respektojnë ligjet e mbrojtjes së të dhënave”, tha Komisionerja Vera Jourova.

Por ndërsa BE është e shqetësuar për ndërshmërinë dhe lirinë e zgjedhjeve në BE, euroburokratët tolerojnë dhunimin dhe manipulimin e zgjedhjeve jashtë BE-së. Edhe pse Shqipëria është një vend kandidat dhe shpreson të nisë së shpejti negociatat për anëtarësim, dhe pas bërjes publike të përgjimeve ku faktohet se Kryebashkiaku socialist Dako përdori bandat kriminale për të vjedhur votat, Delegacioni i BE-së në Tiranë zgjodhi të mos bënte asnjë koment.

Madje, Delegacioni i BE-së nuk reagoi edhe kur prokuroria hapi hetime për gazetaren që i publikoi përgjimet e rrjedhura, dhe nuk hapi hetim për kryebashkiakun e socialist dhe anëtarë të tjerë të Partisë Socialiste të përfshirë në vjedhjen e votave.

Dhe seërisht, pavarësisht këtyre fakteve, në mënyrë sfiduese, Delegacioni i BE-së në Tiranë e konsideron parlamentin legjitim.

Shqipëria u kritikua rëndë nga departamenti i shtetit në raportin e fundit mbi të drejtat e njeriut, ku në vecanti u theksua vjedhja e votave dhe politizimi i institucioneve zgjedhore.

— Alice Elizabeth Taylor

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>