Dy sulme terroriste, me pasojë vdekjen e të paktën 13 personave, ndodhën dje në Spanjë, në rajonin e Katalonjës.
Çfarë dihet deri më tani?
Të enjten pasdite, rreth orës 16:50, një kamion hyri në rrugën pedonale të famshme për turistët Las Ramblas në Barcelonë.
Shoferi i kamionit u përpoq që duke bërë zig-zage të godiste sa më shumë persona.
13 qytetarë u vranë, më shumë se 100 të tjerë u plagosën dhe shoferi arriti të largohet nga skena e ngjarjes.
Policia e ka cilësuar sulmin si terrorist.
Deri më tani ka disa të arrestuar, por sipas policisë asnjë prej tyre nuk është shoferi i kamionit.
Policia ka shpallur në kërkim një 28-vjeçar nga Maroku, i cili ka marrë me qira kamionin me të cilin është kryer sulmi, por ka dyshime se marokenit i është vjedhur identiteti nga organizatorët e sulmit.
Sulmi i dytë
Rreth tetë orë më vonë, një makinë e markës AUDI u fut mes një rruge këmbësorësh në qytetin turistik bregdetar të Cambrils, 110 kilometra në jug-perëndim të Barcelonës.
Gjashtë qytetarë dhe një officer policie u plagosën .
Pesë sulmues, disa prej të cilëve mbanin rripa me municione, u qëlluan nga policia. Katër prej tyre ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa i pesti humbi jetën pak më vonë nga plagët e marra.
Pas ndërhyrjes së policisë, u mësua se rripat shpërthyes ishin të rremë.