Me sa duket unë jam njëra prej dy shtetasve të huaja, që u vunë në shenjestër nga autoritetet shqiptare për shkak të ngritjes së zërit kundër korrupsionit dhe çështjeve të tjera publike në Shqipëri.
Javën e kaluar — pavarësisht se gjithçka ishte në rregull dhe ishin plotësuar të gjitha kërkesat ligjore dhe administrative të ligjit shqiptar— leja e qëndrimit tim në Shqipëri u refuzua nga dikush “më lart” se Drejtori i Migracionit, i cili e kishte miratuar atë më parë.
Vendimi i pazakontë dhe i parregullt i refuzimit të lejes sime të qëndrimit u mor pasi raportova lidhur me situatën politike në Shqipëri në portalet e lajmeve vendase dhe të huaja. Gjithashtu, përveç refuzimit të lejes së qëndrimit, u përballa me një breshëri sulmesh të koordinuara nga media afër qeverisë. Këto media shkruan artikuj me akuza të pavërteta, plot shpifje dhe të paligjshme kundër meje dhe partnerit tim. Në lidhje me këtë rast reagoi edhe Këshilli i Europës, i cili i quajti veprimet e qeverisë dhe të medias si përpjekje për të frikësuar dhe sulmuar një gazetare.
Deri më sot, autoritetet kanë refuzuar të më japin një dokument zyrtar për refuzimin dhe për arsyet për të cilat m’u refuzua leja e qëndrimit. Mungesa e dokumentit zyrtar me arsyet e refuzimit më pengon ta ankimoj procedurën në gjykatë.
Por unë nuk jam e vetmja shtetase e huaj së cilës i janë shkelur të drejtat në mënyrë të paligjshme nga qeveria për shkak të guximit për të kritikuar publikisht situatën politike në Shqipëri.
Në vitin 2016, Catherine Bohne, një qytetare amerikane, që ashtu si unë u dashurua me Shqipërinë dhe vendosi të jetonte këtu, u shënjestrua në mënyrë të paligjshme vetëm sepse protestonte kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë.
Ajo kishte një hotel në atë zonë dhe ishte kundër projektit të qeverisë për ndërtimin e hidrocentraleve. Bohne denoncoi publikisht një sërë parregullsish dhe paligjshmërish të procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit për hidrocentralet, si nëpërnjet protestave, ashtu edhe duke e ndjekur në rrugë gjyqësore çështjen.
Si rezultat, në vitin 2016 ajo zbuloi se po ndiqej nga policia e migracionit, të cilët e akuzonin atë se ishte imigrante e paregjistruar – gjë që nuk ishte e vërtetë. Bohne deklaroi se kishte dëgjuar fjalë se policia ishte e korruptuar dhe e urdhëruar nga lart për ta bërë këtë, kështu që ajo punësoi një avokat që ta ndihmonte për t’i shkuar deri në fund çështjes.
Madje ajo u padit penalisht me akuzën e “kërcënimeve të rrezikshme”, por çështja u rrëzua nga gjykata për shkak se ishte e pabazuar në fakte. Pasi nuk arritën ta heshtnin me kërcënime, autoritetet filluan të kontrollonin familjen Selimaj, në të cilën ajo jetonte prej shtatë vitesh, duke u përpjekur të gjenin parregullsi në punën e tyre dhe duke i kërcënuar me dënime e gjoba, pavarësisht se ata nuk ishin fajtorë për asgjë.
Së fundmi, OSSHE arrestoi disa banorë të zonës për “ndërhyrje në sahat dhe vjedhje të energjisë elektrike” dhe, si për rastësi, të arrestuarit sapo kishin dalë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë. Catherine Bohne u arrestua dhe u mbajt në komisariat për 72 orë, ndërsa të njëjtat portale që më sulmuan mua nisën një fushatë mediatike kundër saj.
Në një artikull, ku përshkruante përvojën e saj të keqe, Bohne pyeste “Sa shumë mund të durojë një qytetar i thjeshtë? Sa mund të presim nga ata, kur e dimë se çfarë do të na duhet të heqim? Kush do të jetë i gatshëm të ngrihet dhe kush nuk do të ngrihet? Dhe pse ata që do të ngrihen kundër, duhet ta bëjnë këtë?
Këto pyetje janë të vërteta. Unë njoh shumë shkrimtarë dhe gazetarë, të cilët janë shumë të frikësuar për të shkruar me emrin e tyre të vërtetë. Unë njoh të tjerë që refuzojnë të flasin ose i shmangin tema të caktuara nga frika për mirëqenien e tyre. Unë njoh avokatë që nuk do të dalin kundër individëve të caktuar për shkak të frikës se reputacioni i tyre do të shkatërrohet përmes gënjeshtrave e sulmeve të medias, dhe njoh shumë të tjerë që nuk marrin pjesë në protesta për shkak të frikës se çfarë mund t’i ndodhë atyre dhe familjeve të tyre.
Di shumë mirë, gjithashtu, se dhjetëra të huaj që jetojnë në Shqipëri, të cilët janë shumë të frikësuar të dalin nga shtëpitë gjatë ditëve të protestave, përfshirë dhe marshimet paqësore të grave, sepse ata besojnë se do të shënjestrohen, diskriminohen dhe se mund të kenë probleme me lejet e tyre të qëndrimit, nëse identifikohen afër zonës ku po protestohet.
Shënjestrimi i të drejtës ligjore për të banuar dhe marrja e masave të tjera të paligjshme ndaj grave të huaja që protestojnë duket se janë tashmë një fenomen në Shqipëri.
Përveç shqiptarëve, që janë tërësisht të frikësuar për të folur, tani edhe të huajt po sulmohen në mënyrë të vazhdueshme për ushtrimin e të drejtës së lirisë së mendimit, të shprehjes dhe të lirisë për t’u mbledhur dhe protestuar.
– Alice Elizabeth Taylor