Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka propozuar dy variante për mënyrën se si mund të regjistrohen emigrantët shqiptarë në zgjedhjet e 25 prillit.
Varianti i parë kërkon që emigrantët që duan të votojnë nga shteti ku jetojnë, duhet të regjistrojnë adresën e tyre të banimit në Regjistrin e Gjendjes Civile. Kjo procedurë do të kryehet në portalin “e-albania”.
Pas regjistrimit të adresës, emigrantët mund të deklarojnë vullnetin e tyre për të ushtruar të drejtën e votimit në zgjedhje. Kjo do të bëjë që emri i tyre të futet te lista e shqiptarëve që do të votojnë jashtë vendit dhe do të hiqet nga listat e votuesve në Shqipëri. Afati për përfundimin e këtyre procedurave sipas KQZ -së është 16 marsi.
Në variantin e dytë është menduar, që në KQZ, të ngrihet një sistem për regjistrimin dhe administrimin e kërkesave nga shtetasit shqiptarë me vendbanim të përhershëm jashtë territorit. Kjo nënkupton se regjistrimin do ta bëjë vetë KQZ duke iu kërkuar shqiptarëve me vendbanim të përhershëm jashtë vendit të dhënat identifikuese si pasaportën dhe adresën në shtetin ku jetojnë.
Afati për përfundimin e procedurave sipas variantit të dytë është 11 marsi. Deri në këtë datë duhet të bëhet pranimi i kërkesave për regjistrim jashtë vendit dhe deri më 16 mars, shqiptarët që kanë kërkuar të votojnë nga jashtë Shqipërisë do të hiqen nga listat e votuesve brenda vendit.
Zgjedhja e njërit prej varianteve është hapi i parë për të mundësuar votën e emigrantëve. Afatet kohore janë të ngushta dhe puna që duhet bërë është e madhe pasi ende nuk është specifikuar mënyra e votimit të emigrantëve dhe administrimi i votës së tyre.
Ndërkohë, partive politike sipas ligjit iu kërkohet që të regjistrohen në KQZ si pjesëmarrës në zgjedhje brenda datës 15 shkurt. Më pas ato do të kenë afat deri më 6 mars për të depozituar listat me kandidatët për deputetë.