Qeveria hollandeze informoi para tre ditësh se numri i shqiptarëve që kërkojnë azil në Hollandë është rritur ndjeshëm. Vetëm në katër muajt e fundit të vitit 2015, aplikuan për azil rreth 750 shqiptarë duke e çuar numrin total të kërkesave për vitin 2015 në më shumë se 1 mijë.
Por asnjë shqiptari nuk i është dhënë leje qëndrimi në Hollandë vitin e shkuar pasi Shqipëria është konsideruar vend i sigurtë origjine.
Të premten e kaluar, qeveria hollandeze deklaroi se të gjithë azilkërkuesit shqiptarë, të cilëve u është refuzuar e drejta qëndrimit, do të kthehen në vendlindje. Për këtë qëllim, është arritur një marrëveshje me qeverinë shqiptare, e cila do të ndihmojë në përshpejtimin e kthimit të azilkërkuesve në Shqipëri.
Për ata që refuzojnë të kthehen vullnetarisht, qeveria hollandeze do të përdorë avionë shtetërorë, duke bërë të mundur kështu kthimin e tyre në në grupe të mëdha.