Unë e dua këtë vend! E dua, edhe pse kush me sheh e më dëgjon, do thotë që gënjej, sepse ankohem shumë. Ankohem për vështirësitë e përditshme që kam. Nga mungesa e ngrohjes të përshtatshme në shtëpinë ku banoj, edhe pse është objekt “modern”.
Ankohem për ujin që ngriu për disa ditë para do kohe apo për “të fshehtat” që mësoj gjatë ushtrimit të profesionit.
Ankohem për vrapin e përditshëm të mëngjesit, që pavarësisht përllogaritjeve të orës dhe kohës kur dal prej shtëpisë, sërish do të jem vonë.
Ankohem që nuk po i argëtoj ashtu si unë dëshiroj fëmijët e mi, sepse mungojnë hapësirat e duhura, sepse mungon parku tek lagjja, sepse, sepse, sepse…. Uf sa shumë sepse që më bëjnë të ankohem pa fund.
Por unë sërish kam zgjedhur të jetoj këtu.
Kam zgjedhur të rrisë fëmijët e mi këtu. Dhe këtë nuk e bëj nga pamundësia për të qenë kund tjetër, as nga fakti se e kam sensin e mbijetesës shumë të fortë.
Kam zgjedhur të jetoj këtu sepse e dua këtë vend!
E dua këtë vend, jo se jam krenare për nivelin e korrupsionit që kemi; as për drejtësinë në të gjitha format dhe përmbajtjet; as për cilësinë e arsimit dhe mjekësisë; as për nivelin e pagave dhe kontratat e punës apo atmosferat nëpër kompani.
E dua këtë vend sepse mendoj që nëse unë nuk hedh plehra mbi të, ai do të jetë më i pastër. Nëse unë buzëqesh më tepër, do të ketë më pak fytyra të vrenjtura rreth meje.
Nëse unë jap më shumë dashuri, ata që do ta marrin do të kenë forcë për t’ju dhënë dashuri atyre që kanë pranë dhe kështu dashuria do të shtohet.
E dua këtë vend edhe për dhimbjen e madhe që ka.
Për historitë e dhimbjes dhe frymëzimit të prindërve, gjyshërve dhe katragjyshërve tanë. E dua edhe për mundësinë që kam për të telefonuar një të afërm apo mik thjesht për ti dëgjuar zërin pa asnjë “arsye të fortë”.
E dua edhe për dasmat e rrëmujshme plot gëzim. E dua edhe për bisedat në kafen e lagjes me komshien që nuk i di as emrin. E dua edhe kur marr përsipër të kërkoj falje para bashkëshortit për të gjitha “gabimet” që ka vendi im. Apo edhe kur iu shpjegoj fëmijëve të mi se ky vend është mëmëdheu i tyre. Edhe pse atdheun e kanë shumë më të madh, shumë më të bukur, shumë më të zhvilluar. Ata, fëmijët e mi duhet të punojnë shumë fort për ta bërë edhe mëmëdheun aq të mirë sa atdheu. Ndaj e dua këtë vendin tim qaraman, ashtu sikundër unë jam një prej qaramanëve.