E shkuara si hetues e kryetarit dëmton integritetin e SPAK

Nga Erblin Vukaj
E shkuara si hetues e kryetarit dëmton integritetin e SPAK

E shkuara si hetues gjatë diktaturës e Zotit Arben Kraja ka vënë në diskutim integritetin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe reformës në drejtësi. Ajo ka nxjerrë në pah cektësinë e vlerave morale me të cilat u krye procesi i kualifikimit të anëtarëve të sistemit të ri të drejtësisë dhe mangësitë institucioneve për të verifikuar figurën e zyrtarëve 30 vite pas rrëzimit të diktaturës.

Ish-drejtuesi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) Agron Tufa denoncoi faktin se gjatë fundit të regjimit diktatorial, Zoti Kraja, i zgjedhur kryetar i SPAK, kishte marrë pjesë si hetues në procese gjyqësore politike.

Një vit më parë, Zoti Tufa kishte ngritur me shqetësim mungesën e kritereve përjashtuese nga sistemi i drejtësisë të ish-prokurorëve, ish-gjyqtarëve apo dhe ish-hetuesve të diktaturës, të cilët asokohe ishin pjesë e strukturave që shtypnin liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

Tridhjetë vite pas rrëzimit të diktaturës, një ish-zyrtar i strukturave të saj, drejton strukturën që propagandohet se do ta nxjerrë vendin nga tranzicioni duke hetuar në nivele të larta krimin dhe korrupsionin.

Tridhjetë vite pas rrëzimit të diktaturës, Kryetari i Kuvendit dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave janë ish-ministra të atij regjimi.

Tridhjetë vite pas rrëzimit të diktaturës antikomunistët vazhdohet të persekutohen. Ish-Drejtuesi i ISKK-së, Zoti Tufa është në Zvicër si azilkërkues pas kërcënimeve për shkak të detyrës dhe advokimit publik për rishikim të historisë, vlerësim të pasojave dhe dënimit të krimeve që u kryen nga diktatura.

Rasti i Kryetarit të SPAK Arben Kraja

Përpara emërimit si anëtar në SPAK, më 21 shkurt 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) i kërkoi Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) verifikimin nëse dispononte informacione, të dhëna apo dokumente për cilësitë etike, morale dhe profesionale të figurës së Zotit Kraja.

Pas 27 ditësh zyrtare pune, më 3 prill 2019, AIDSSH i u përgjigj se nga verifikimet e bëra “deri në atë moment nuk kishin rezultuar materiale në emër të tij në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit”. AIDSSH madje interpretoi edhe gjetje arkivore jo të Sigurimit për të treguar se ato nuk shkelnin cilësitë etike, morale apo profesionale të figurës së Zotit Kraja.

AIDSSH konfirmoi se gjatë viteve të fundit të diktaturës ai ka qenë hetues në Shkodër, por tha se nga dokumentat që kishte shqyrtuar, ai kishte “hetuar një çështje penale kalimi të paligjshëm të kufirit”. Për këtë hetim, AIDSSH i paraqiti KLP-së një interpretim ligjor, sipas së cilit hetimi që kishte bërë asokohe Zoti Kraja, nuk kishte qenë për vepër politike, por administrative.

Rasti ka të bëjë me arrestimin e dy personave në Vorë për tentativë arratisjeje pas ngjarjes së ambasadave më 2 korrik 1990.

Në një reagim në Facebook, studiuesi Kastriot Dervishi kujtoi se ligji për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve njeh si “vepër politike” edhe “kalimin e paligjshëm të kufirit”, ndërsa AIDSSH me interpretimin që i bëri rastit të Zotit Kraja, ka rënë ndesh me këtë ligj.

Por përveç këtij rasti – që sipas AIDSSH-së, mund të interpretohet – Zoti Tufa, publikoi një procesverbal të 27 korrikut 1990, ku Zoti Kraja, si hetues, urdhëronte arrestimin e një personi nga Shkodra për “vepra që bien në kundërshtim me normat e moralit komunist”.

Sigurisht, fakti se – me 27 ditë kërkime nga AIDSSH – nuk ka të dhëna që Zoti Kraja të ketë qenë pjesë e strukturave të Sigurimit është lehtësues për pozitat e tij. Por të dhëna të tjera arkivore – si ato të vendimmarrjeve të hetuesisë – që tregojnë se në kohën e diktaturës ka marrë pjesë në procese politike, ia vendosin seriozisht në diskutim cilësitë e tij etike dhe morale.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>