E ‘stresoi’ Stresi protestën apo qeveria?

Nga Erblin Vukaj
E ‘stresoi’ Stresi protestën apo qeveria?

Figura kontraverse e Arkimed Lushajt (a.k.a Stresi) vështirë të simpatizohet për lëvizje sociale. Sidoqoftë e vërteta është se, – me mbi 675 mijë ndjekës në Instagram, – ai ishte ndër të parët dhe të vetmit, – nga personat publikë të spektaklit, – që mbështeti dhe bëri thirrje për protesta pas vrasjes nga policia të Klodian Rashës më 8 dhjetor.

Stresi nxiti grumbullimet e para përpara ministrisë së Brendshme. Ishte i zëshëm në kërkesat për dorëheqjen e ministrit dhe ndryshimin e drejtimit të policisë. Thirrja kryesore e tij ishte se vrasja e një qytetari nga policia s’duhej toleruar dhe aq më shumë kaluar paqtë pa reagim.

Nëse kërkojmë nga personazhe të tjera të spektaklit qasje të ngjashme, zhgënjehemi – zero Noizy (1.6 milionë ndjekës), zero Bes Kallaku (1.2 milionë), zero Ermal Mamaqi (1.1 milionë), zero Alketa Vejsiu (1 milionë) etj. Po kaq zero edhe nga bota e spektaklit nga Kosova.

Kjo tregon shumë për interesat që kanë këta persona publikë dhe mungesën e vetëdijes se roli i tyre mund të jetë më i madh se thjeshtë “postues/reklamues Instagrami”.

Nga ky aspekt Stresi u la vetëm. Kolegët e tij që në këngë apo qasje artistike fyejnë apo sulmojnë policinë thjesht për punën që bëjnë, – absurde pse jo për vrasjen e një qytetari, – heshtën. Në këtë mënyrë u legjitimua “bezdisja” e disave nga prania e Stresit në protesta.

Heshtja mund të argumentohet edhe nga përpjekja e partisë në pushtet për t’i përfshirë në radhët e saj si “influencer (ndikues)” në fushatën e ardhshme elektorale “artistët”. Kjo do të kuptohet më mirë pas pak muajsh, kur me siguri disa nga ata që heshtën do të bëhen të zëshëm dhe rëndomtë “këngëtarë apo humoristë fushate”.

Mungesa e mbështetjes nga kolegët bëri që pozita e Stresit si pikë referimi për t’i dhënë zë revoltës të zbehej. Paralelisht qeveria nisi një fushatë të kuruar mediatike duke zënë të gjitha studiot televizive me “gra të partisë”.

Blerina, Elisa, Evisi, Elona, Eglantina, Klotilda, Milva, Mirela dhe Vasilika zëvendësuan njëra-tjetrën në të gjitha studiot televizive. Mesazhi që përcollën ishte i njëjtë nën taktikën e komunikimit “mallëngje si nënë”. Kështu ato ia dolën të devijonin temën nga vrasja prej policisë e një të riu, te “problematika e fëmijëve në protesta”. Pasi devijuan temën nxitën gjuetinë e shtrigave se kush i nxirrte të rinjtë në protesta.

Pas Luftës së Dytë Botërore, teoricienë të komunikimit masiv si Paul Lazarsfeld dhe Elihu Katz – më vonë teoricienë të tjerë si Robert Merton – zhvilluan teorinë e ashtuquajtur “komunikimi me dy nivele” ku identifikohej si tejet i rëndësishëm roli i liderit të opinionit. Sipas tyre audienca nuk ndikohej më direkt nga media (gazeta, radioja etj) për të krijuar opinione, por pas marrjes së mesazhit të parë e bluanin atë pas interpretimit të një eksperti, apo personi të cilit mediat i atribuojnë besim – e në të tillë mënyrë e ngrenë si lider opinioni.

Nëse i kthehemi marifetit me publikun që bëri qeveria, ministret dhe deputetet e saj zaptuan nëpër studiot televizive pikërisht rolin e liderit të opinionit dhe mediat u shitën atyre besimin.

Në këtë mënyrë ata ushqyhen audiencën me tema që mbase nuk e ngopën nepsin e tyre, por që në tërësi u zunë barkun dhe në raste të tjera nxitën të vjellat prej sjelljes deri në majë të hundës së kësaj çështjeje.

Krahas kësaj, “liderë të tjerë opinioni” morën përsipër të sulmonin Stresin në rrjetet sociale, ndërsa opozita pa liderë qëndroi larg duke pasur frikë nga pasojat e përfshirjes edhe në organizimin e protestave lëre më të drejtonte mediatikisht debatin.

Kështu opinioni “pro” revoltës nisi të mos qarkullojë më dhe befas në ditën e shtatë të protestave nuk kishte më protestues – kjo sigurisht edhe prej dhunës sistematike dhe arrestimeve të policisë.

Prandaj shtatë ditë protesta për vrasjen nga policia të 25-vjeçarit Klodian Rasha fatkeqësisht s’nxitën dot reformë në forcat e rendit dhe as s’e zhveshën nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Jo se Stresi “i stresoi” protestat, por qeveria me mekanizmat e saj të propagandës dhe marrëdhënieve me publikun thartuan trutë e qytetarëve me çjerrje televizive dhe devijime me kast të çështjes.

Botuar më parë tek ErblinVukaj.blog.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>