€76 milionë tender ndërkombëtar për 10 ditë! Ngutje apo korrupsion?

Nga Alba Mborja
€76 milionë tender ndërkombëtar për 10 ditë! Ngutje apo korrupsion?

Qeveria ka shpallur, para dy ditësh, disa procedurash me vlerë totale €76 milionë për rindërtimin e shtëpive të dëmtuar nga tërmeti dhe ndërtimin e konvikteve dhe shkollave.

Sipas dokumenteve të bëra publike nga Open Data Albania do të zhvillohet një prokurim prej 5,4 milionë lekë për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmet, një prokurim prej 1,2 miliardë lekë për ndërtimin e konvikteve dhe shkollave në Tiranë dhe 7 prokurime më të vogla për e shkollave dhe shtëpive në bashkitë e Kurbinit, Lezhës, Krujës, Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës, Kamzës, Vorës dhe Shijakut.

Për të prokuruar ndërtimet qeveria ka përdorur të ashtuquajturën “procedura të kufizuar” për këto tendera. Kjo procedurë zhvillohet me dy faza: në fazën e parë bëhet një thirrje publike për të gjitha kompanitë që kanë interes në parim që të deklarojnë interesin e tyre; në fazën e dytë nga lista e kompanive që kanë shprehur interes qeveria përzgjedh disa të cilave u kërkon të paraqesin ofertë dhe mes tyre zgjedh fituesin. Sipas ligjit, në secilën fazë lihet afat minimal 20 ditë.

Para tre ditësh qeveria shpalli hapjen e fazës së parë, por lejoi vetëm 10 ditë për 8 nga tenderat dhe 9 ditë për njerin. Kjo është shkelje e hapur ligjit, që kërkon afatin 20 ditor. Kjo shkelje kufizon shumë numrin e kompanive që mund të shpallin interes. Afati është edhe më kufizues nëse kihet parasysh se prokurimi po bëhet në një kohë krize nga koronavirusi ku shumë biznese janë në kohë krize.

Por ky afat prej 9 ditësh bën praktikisht të pavlefshëm një tjetër detyrim ligjor: sipas ligjit shqiptar prokurimet me vlerë më të madhe se 1 miliardë lekë duhet të zhvillohen me procedurë ndërkombëtare. Në zbatim të këtij detyrimi, qeveria e ka shpallur ndërkombëtare procedurën e mësipërme dhe ka bërë një njoftim në Financial Times. Por a mund të imagjinoni që brenda 8 ditë e gjysëm nga dalja e njoftimit në Financial Times deri në mbylljen e afatit për paraqitjen e interesit ndonjë kompani e huaj ka kohë të informohet, të vlerësojë dhe shprehë interesin?

Veçanërisht në kushtet e panikut të madh ndërkombëtar nga koronavirusi, përballë kërcënimit për humbje të mëdha, a mundet që një kompani e huaj të shohë me interes ndonjë projekt në Shqipëri?

Por pikërisht kjo pamundësi mund të hamendësohet se është edhe arsyeja se pse qeveria ka vendosur të shkelë ligjin duke dhënë afate në mënyrë qesharake minimale.

Mund të hamendësohet gjithashtu se është pikërisht kufizimi i madh në konkurencë, ajo që e ka shtyrë qeverinë gjithashtu të zgjedhë këtë lloj procedure prokurimi në vend të tenderit të hapur ndërkombëtar.

Ligji për Prokurimet përcakton se procedura e kufizuar mund të përdoret vetëm në dy raste:

— Kur bëhet fjalë për punë të ndërlikuar apo të veçantë dhe për këtë kërkohet një operator ekonomik i posaçëm;

— Kur është ekonomikisht e leverdisshme për autoritetin kontraktor, që të shqyrtojë kapacitetin e operatorëve dhe më pas t’i ftojë ata të japin ofertat e tyre.

Kështu mund të argumentohet lehtësisht se nuk kemi të bëjmë me asnjë nga këto kushte: ndërtimi është një aktivitet që kryhet rëndom nga qindra kompani shqiptare dhe mijëra rajonale dhe dhjetëra mijëra të tjera më gjërë, dhe nuk ka asnjë specifikë ekonomike që të kërkohet ndonjë vlerësim paraprak i aftësive të konkuruesve.

Përdorimi i kësaj procedure përtej rasteve taksative që përcakton ligji është tjetër shkelje serioze ligjore.

Sërish, ky veprim i qëllimshëm i paligjshëm mund të shpjegohet vetëm me interesa jo të ndershme.

Gjasat janë që qeveria po ndërmerr procedura të ngutura pasi ajo do të kufizojë konkurencën, me qëllim që të zgjedhë klientët e saj të preferuar, për zbatimin programit më të madh të ndërtimeve sociale që është kryer ndonjëherë me financim publik.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>