Ashtu siç pritej, Erion Veliaj u shpall fitues i zgjedhjeve të 30 qershorit për Bashkinë e Tiranës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi mëngjesin e së martës tabelën përfundimtare të rezultatit ku edhe njëherë ajo që ra në sy ishte mungesa e transparencës dhe luhatja me shifrat.
Erion Veliaj ka marrë 152 230 vota, ndërsa kandidati tjetër Arben Skënderaj 9 364 vota. Kështu për të dy kandidatët ka pasur një total prej 161 594 votash. Por nëse kësaj shifre i shtojmë edhe votat e parregullta ajo e tejkalon numrin (paraprak) të raportuar nga KQZ për pjesëmarrjen.
Sipas këtij raportimi në Tiranë votuan 171 390 zgjedhës, ndërkohë që me mbi 10 740 vota të pavlefshme të raportuara se u gjetën vetëm në 11 njësitë bashkiake të qytetit, shifra i kalon 172 334 fletët. Kështu edhe Tirana rezulton me më shumë vota se votues. Të paktën 944 vota.
Edhe pse kanë kaluar mbi 38 orë nga përfundimi i zgjedhjeve, KQZ nuk raporton ende një shifër përfundimtare se sa ishte numri i votuesve. Në raportin e OSBE/ODIHR, pjesëmarrja raportohej duke iu referuar KQZ-ës, të ishte 21.6%, por me faktin se shumë Bashki të hënën rezultuan me më shumë vota se sa shifrat që raportonte KQZ bëri që kjo e fundit të dilte në një njoftim për mediat e të thoshte se shifrat ishin paraprake.
Deri pasditen e së hënës, Partia Socialiste numëronte 13 Bashki në të cilat kishte fituar me më shumë se 100% të votave, gjithmonë duke iu referuar të dhënave të KQZ-ës. Nga KQZ u tha se të dhënat ishin paraprake dhe u tregua se ato ishin përcjellë me telefon dhe jo me sistem elektronik, veprim të cilin Kryetari Klement Zguri e konsideroi paaftësi ose tregues të mundshëm parregullsie.