Dje, Kryeministri Edi Rama ka braktisur hapjen e një ekspozite të tij në Nevada, SHBA, për të shkuar urgjentisht në Rijad, Arabi Saudite, për të parë një garë me makina.
Rama ka qenë në SHBA prej ditës së martë. Të nesërmen, më 20 nëntor ai është pritur nga zëvendësguvernatorja e Nevadës, Kejt Marshall.
Më 21 nëntor, ora 18.00, Rama ka qenë i planifikuar për të mbajtur një bashkëbisedim me artistë dhe artdashës në Nevada. Por në mëngjesin e së njëjtës ditë, muzeu ka njoftuar pjesëmarrësit se Edi Ramës i kishte dalë një punë urgjente dhe nuk do të mund të merrte pjesë në takimin e mbrëmjes.
Më datën 22, kryeministri shqiptar shfaqet në një foto në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad, bashkë me Princin Muhamed Bin Selman.
Rama e vizitoi zyrtarisht Rijadin në janar të këtij viti. Në udhëtimin e sotëm, Rama ka qenë i pashoqëruar nga ndonjë pjesëtar tjetër i qeverisë. Për të nuk është organizuar asnjë pritje zyrtare nga autoritetet saudite.
Nisur edhe nga foto të tjera të Princit Bin Selman në këtë garë, që kanë botuar mediat, Rama dhe ai duket se janë takuar dhe kanë biseduar në këmbë, në tribunën pranë pistës së garës me makina, gjatë vizitës së princit atje.
Gara e makinave Formula Elektrike (FIA Formula E) është mbajtur sot. Ajo ka pasur jehonë në mediat më të mëdha botërore.
Përveç Princit Muhamed Bin Selman dhe Kryeministrit Edi Rama, i pranishëm në garën me makina elektrike ka qenë edhe Princi i Kurorës së Bahreinit, Selman Bin Hamed Al-Kalifa.
Kryeministri Rama nuk është shfaqur në publik që prej ditës së hënë. Në rrjetet sociale, përfshi faqen e tij në Facebook, janë bërë postime videosh informative në lidhje me punët e qeverisë, por nuk ka asnjë referencë për aktivitete të përditshme të Kryeministrit.
Edhe pse në vend ka një krizë në thellim në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, Kryeministri nuk ka bërë asnjë koment apo mbajtur qëndrim, qoftë përmes postimeve në rrjete sociale.
Gjatë kësaj jave, të gjitha qëndrimet politike të shumicës socialiste janë artikuluar në publik nga numri 2 i socialistëve, Taulant Balla.
Exit News kontaktoi me zyrën e informacionit dhe të marrëdhënieve publike të Kryeministrit, së cilës i drejtoi disa pyetje në lidhje me vendndodhjen dhe arsyet e udhëtimit jashtë vendit të Kryeministrit, por askush nuk u përgjigj.
Të dyja vizitat e tij private, në SHBA dhe në Arabinë Saudite, pozat e tij sot përkrah Princit Bin Selman, në një garë me makina, si dhe lajmi për braktisjen e hapjes së ekspozitës së tij në Nevada, shuajnë çdo hamendësim për vendndodhjen e Kryeministrit gjatë kësaj jave.