Edi Rama mbron instalacionin e Parrenos, shkatërron trashëgiminë kulturore

Edi Rama mbron instalacionin e Parrenos, shkatërron trashëgiminë kulturore

Një nga aktet e para simbolike të Kryeministrit Edi Rama ishte heqja e gardhit rrethues të kryeministrisë sapo erdhi në pushtet. Por mesa duket, disa muaj përpara zgjedhjeve gardhet janë rikthyer.

Në pritje të protestës së opozitës së 18 shkurtit, njoftuar nga lideri i PD-së Lulzim Basha, kryeministri Rama ka vendosur të fortifikojë “Marquee Tirana”, instalacionin e artit të Philippe Parrenos në fasadën e Kryeministrisë.

Hyrja e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) dhe instalacioni i artit janë mbuluar sot nga skela dhe pëlhura të zeza.

Në të kaluarën, instalacioni i dhuruar nga artisti francez, ky i fundit është dhe anëtar i bordit të COD, ka qenë target i protestave anti-qeveritare.

Gjate protestes se PD-se, dhjetor 2015 – Foto Gazeta Shqip

Kujdesi i shfaqur nga Kryeministri Rama për punën e mikut të tij, që në fakt është një ndërhyrje e paligjshme në fasadën e një Monumenti Kulturor të Kategorisë II siç është fasada e kryeministrisë, duket ironike po të kemi parasysh se Qeverinë Rama nuk e ka vrarë ndërgjegja për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në gjithë vendin.

Shembulli më i fundit është projekti i sheshit Veliera në Durrës, i cili po zbatohet kundër të gjithë rregullave për trashëgiminë kulturore e po kërcënon të shkatërrojë trashëgimi arkeologjike shekullore.

Një shembull tjetër, por projektuar nga i njëjti arkitekt italian, është dhe shkatërrimi i stadiumit Qemal Stafa, dhe ky Monument Kulturor i Kategorisë II.

Rrënojat e basorelievit socialist–realist në grumbullin e rrënojave të ish–Stadiumit Qemal Stafa. (Foto nga llogaria në Facebook e Edi Ramës)

Së fundmi, është dhe rasti i Gjirokastrës, ku punimet e projektit të bypassit, menaxhuar nga miqtë e Kryeministrit Rama, po shkatërrojnë trashëgiminë kulturore të qytetit të brojtur nga UNESCO.

Duket qartë se cilat janë prioritetet e Kryeministrit Rama kur është fjala për kulturën: karriera e tij personale dhe veprat e artit dhuruar nga miqtë e tij. E ndërsa trashëgimia kulturore shqiptare po shkatërrohet në të gjithë vendin, qyterarëve do t’i ngelet instalacioni artistik i Parrenos.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>