Edi Rama flet shumë rrallë për investimet e huaja, pasi gjatë më shumë se katër vjet e gjysëm pushtet ai nuk ka mundur të tërheqë asnjë investitor të ri në Shqipëri. Maksimumi që ai ka bërë kanë qenë pretendimet sipërfaqësore se kishte përmirësuar kontratën që qeveria e mëparshme kishte lidhur me investitorë të hershëm si ata të gazsjellësit TAP apo hirocentralit të Devollit.
Në të njejtën vazhdë, Kryeministri Rama ka ditë që përpiqet që kompaninë e naftës Shell, e cila ka zgjeruar aktivitetin e saj në Shqipëri, ta përdorë për të propaganduar se nën drejtimin e tij investitorët e huaj po gjejnë besim dhe kushte për të investuar në vend.
Dy ditë më parë Kryeministri botoi në faqen e tij në Facebok një koment ku shprehej:
“Shpirag, Berat – Një kontratë e re për një tjetër investim të madh të huaj në Shqipëri. Kompania e mirënjohur SHELL nis kërkimin edhe në Bllokun 4 dhe vijon programin e zbulimit të naftës, mbi bazën e pritshmërive të larta që janë krijuar nga kërkimet e deritanishme në Blloqet 2 dhe 3”.
Më tej, duke kapitalizuar për efekt propagandistik gërmat e emrit të kompanisë, ai shtoi:
“Me këtë marrëveshje Shqipëria do të shikohet e plotë kështu siç është dhe jo e pjesshme a thua se këtu ka vetëm krim të organizuar. [..] Prania e një kompanie si SHELL përbën një arsye më shumë për kompanitë e tjera, siç përshkruhet në media të ndryshme në Europë, apo siç ëndërrojnë eksponentë të forcave politike që mendojnë ndryshe. Përderisa SHELL sheh një atmosferë shumë miqësore për të bërë biznes, ka mundësi ta shohë kushdo”.
E vërteta është se Shell ka hyrë në Shqipëri falë politikave dhe marrëveshjeve të qeverisë së mëparshme. Fillimisht Shell u fut në Shqipëri në vitin 1994 për të zhvilluar kërkime në dy blloqe naftëmbajtëse në jugperëndim të Shqipërisë. Në vitin 1997, kompania u largua nga vendi për shkak të trazirave, dhe dy blloqet e kërkimit iu dhanë kompanisë Petromanas dhe Bankers Petroleum.
15 vjet më vonë, më shkurt 2012, Shell u rikthye në Shqipëri dhe bleu 50 përqind të aksioneve të kompanisë Petromanas që kishte koncesionin e shfrytëzimit të dy blloqeve që Shell kishte siguruar në fillim të viteve 1990-të. Në qershor të vitit 2013, Shell e rriti pronësinë e saj në Petromanas në 75 përqind të aksioneve.
Shell rifilloi kërkimet në dy zonat në qershor të vitit 2012 dhe pasi në nëntor 2013 arriti rezultatet e para pozitive, filloi vlerësimin e depozitave të zbuluara.
Në mars 2016, kompania Shell bleu nga kompania Petromanas pjesën e mbetur të aksioneve duke u bërë pronare e vetme e koncesionit për të drejtën e plotë të shfrytëzimit në dy zonat naftëmbajtëse.
Në vitin 2017, Shell dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore firmosën një marrëveshje për kërkimin në një tjetër bllok naftëmbajtës të titulluar Shpiragu 4, në zonën e Nëmërçkës, në afërsi të kufirit të Shqipërisë më Greqinë. Investimi në këtë operacion të ri të Shell vlerësohet se do të arrijë në 72 milionë dollarë amerikanë.