Edi Rama si Don Kishot: Serbia nuk do anëtarësohet para Shqipërisë në BE

Nga Redaksia
Edi Rama si Don Kishot: Serbia nuk do anëtarësohet para Shqipërisë në BE

“Serbia nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian përpara Shqipërisë, edhe pse Beogradi është pararojë në garën për anëtarësim.” Këtë i ka deklaruar Kryeministri Rama gazetës Politico në Bruksel.

Duket një deklaratë pak realiste. Serbia, së bashku me Malin e Zi, kanë disa vjet që kanë filluar negociatat me BE-në dhe në Strategjinë për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Europian ato përcaktohen si dy vendet pararojë që mund të anëtarësohen brenda vitit 2025, ndërkohë që për asnjë vend tjetër nuk jepet objektiv kohor.

Shqipëria ende nuk ka marrë vendimin për hapjen e negociatave dhe me gjasa ato nuk do të hapen këtë vit. Në muajin prill Komisioni Europian do të publikojë raportin e tij për Shqipërinë ku pritet që ai do të rekomandojë hapjen e negociatave, por Këshilli Europian—krerët e qeverive të vendeve anëtare—që do të mblidhet në qershor pritet të mos vendosë pro hapjes së tyre. Kjo gjë ndodhi edhe në vitin 2016 kur fillimisht Komisioni dha rekomandim pozitiv, por Këshilli nuk mori vendim.

Pikërisht këtë gjë ka shpehur Kryeministri për Politico duke shprehur se “ne besojmë fort se raporti i Komisionit do të jetë pozitiv. “Për Këshillin është luftë deri në sekondën e fundit—ne duhet të bindim çdokënd që kjo është gjëja e duhur për t’u bërë”.

Politico.eu i referohet diplomatëve shqiptarë të cilët janë shprehur se Franca, Gjermania dhe Hollanda kanë shprehur skepticizëm për të hapur negociatat me Shqipërinë. Sikurse ne kemi shpjeguar më parë Hollanda ka shqetësim kryesor krimin shqiptar, Franca emigracionin shqiptar—të dhënat e Eurostatit të para dy ditëve tregojne se shqiptarët mbeten azilkërkuesit me numrin më të lartë në Francë—ndërsa Gjermania është e pakënaqur me përmbushjen e kritereve nga Shqipëria, veçanërisht luftën kundër drogës dhe krimit.

Por, sipas Edi Ramës, edhe pse Serbia është përpara Shqipërisë ajo nuk do të pranohet në BE para Shqipërisë për shkak të çështjes së marrëdhënieve me Kosovën. Në mënyrë arrogante Kryeministri Rama i ka thënë Politico-s:

Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE-së përpara Shqipërisë. Kjo është një gjë që ne e dimë me siguri. Serbia duhet të kalojë përmes procesit të dhimbshëm të njohjes së Kosovës ose të paktën (të zgjidhë) problemin e Kosovës. Unë besoj fort që duhet të ndodhë diçka magjike—e cila nuk do të ndodhë—që ata të hyjnë në BE përpara nesh.

Nga njëra anë duket e ekzagjeruar që Kryeministri Rama flet me siguri se gjatë 7-8 viteve të ardhshëm Kosova dhe Serbia nuk do të arrijnë marrëveshje mes tyre, por nga ana tjetër është qesharake që me këtë “profeci” ai duket se ndjen kënaqësi “fëminore” për pengesat apo vështirësitë e të tjerëve.

Kryeministri ka ripërsëritur tezën, të cilën ai fillimisht e hodhi në publik përmes Ambasadores së BE-së Romana Vlahutin, se “ në disa drejtime Shqipëria është më përpara në rrugën e anëtarësimit në BE se Serbia dhe Mali i Zi, sepse ajo ka ndërmarrë një refomë madhore në sistemin e drejtësisë, e hartuar për të shfarosur korrupsion e kudo gjendur.”

Por Politiko në komentin e tij e hedh poshtë këtë pretendim të Kryeministrit Rama duke kujtuar se, në Strategjinë për Ballkanin Perëndimor, BE theksoi haptazi sa  larg anëtarësimit janë vendet e rajonit, duke theksuar së në të gjitha këto vende kanë “lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes.”

Përgjigjja e Ramës për Politico-n ka qenë riprovimi i tezës së historitë e krimit shqiptar janë steriotipe të zakonshme që BE ka përdorur edhe për vende të tjera:

Rama e pranon se vendi i tij duhet të përballet me këto problem. Por gjithashtu ai flet kundra steriotipeve, ai thotë se shpesh ato zbatohen tek vendet që aspirojnë të hyjnë në BE:

Kur Bullgarët deshën të hynin, ato ishin vendi që u përpoq të vriste papën. [Ky perceptim] ishte kudo. Rumunët ishin vendi që ishin në në një farë mënyre fajtorë që e riprezantuan Evropën me prostitucionin. Ne tani duhet të përballemi me këtë nocionin e një gjëje të veçantë në ADN-në tonë që lidhet me krimin.

Në fund të artikullit, Politico i bën një përshkrim personal Ramës, duke e qaujtur mik të Tony Blair, i cili ka ndërtuar jashtë Shqipërisë reputacionin si politikan pragmatist i qendrës së majtë, që ka qenë objekt i disa portreteve lëvduese në media. Duke ju referuar kritikëve, Politico shprehet se Rama është kritikuar se nuk ka bërë mjaftueshëm për të shkëputur politikën nga kontrolli i oligarkëve, dhe se ka përçmuar punën e gazetarëve në një vend ku gazetarët përballen me probleme serioze kur hetojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Politico i referohet një hetimi nga organizata Reporterët pa Kufinj dhe BIRN që ka gjetur se “përçmimi ndaj medias është karakteristikë e shpeshtë e retorikës së Ramës.”

Rama ka mohur për Politico-n që t’i ketë quajtur gazetarët “kazanë plehrash” dhe “armiq publik”. Ai është shprehur:

Ajo që unë përdor zakonisht… ne kemi një fjalë turke e cila është shumë e përshtatshme sipas meje … është version shqiptar i “lajmeve ffalco”, e cila është “kazan”.

Politico e mbyll artikullin duke vërejtur se gazetarët shqiptarë shprehen se komentet përçmuese të Ramës ishin qartazi të drejtuara ndaj gazetarëve dhe mund të minojnë besim e publikut në punën e tyre./Exit.al

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>