Mjetet e rënda u rishfaqën gjatë fundjavës dhe gërmimet e ekskavatorit kthyen në një pirg gurësh, një pjesë të mureve të bastionit fortifikues të shek. XVII dhe ngrehinës së periudhës osmane, që u ripërdor më shumë se një shekull më parë si konaku i Princ Vidit – i cili për 6 muaj në vitin 1914 u ngrit në fron si mbret i shqiptarëve.
Thyerja e mureve të bastionit nxori në dritë objekte të reja arkeologjike, si kapitele, një bazament altari dhe objekte monumentale prej mermeri, një pjesë e të cilave datojnë sipas arkeologëve që në periudhën romake.
Rifillimi i punimeve për të ashtuquajturin projekti ‘Veliera’ – një mamuth betoni në hyrje të qytetit bregdetar, i shtrirë mbi një zonë arkeologjike të kategorisë “A” me shtresëzime që shkojnë deri në antikitetin e vonë, erdhi pas një vendimi të Gjykatës Administrative të Apelit.
Sipas ligjit për Trashëgiminë Kulturore dhe rregullores së administrimit të zonës arkeologjike A dhe B, punimet që kryhen në qytetin e Durrësit duhen monitoruar nga arkeologët – nëpërmjet një marrëveshje trepalëshe që lidhet midis investitorit, kompanisë zbatuese të punimeve dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.
Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pas rifillimit të punimeve me bekimin e gjykatës, një marrëveshje e tillë nuk ekziston. Ndërkohë, Drejtoria Kulturës Kombëtare Durrës vetëm të hënën ka nxjerrë një urdhër për mbikëqyrjen e punës së kompanisë kontraktore “Everest’ Sh.a.
“Ditën e djeshme kemi nxjerrë një urdhër për monitorimin e punimeve që po kryhen. Megjithatë edhe në ditët e kaluara, punimet janë monitoruar nga arkeologët,” tha për BIRN Alban Ramohitaj, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës.
Lidhur me shembjen e një pjese të mureve, Ramohitaj u shpreh se këto janë “detaje teknike” dhe nuk mund t’i konstatojë, duke lënë të kuptohet se nuk do të nisë verifikim për konstatimin e dëmtimeve, sipas detyrimeve ligjore të DRKK-së.
Një zëdhënës i bashkisë Durrës i tha BIRN se punimet që po kryhen këto ditë janë në zbatim të projektit të ndryshuar të ‘Velierës’, i cili i ruan zbulimet arkeologjike dhe se ato vijnë pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, e cila nga ana e saj nuk specifikon asgjë për mënyrën se si do të veprohet me gjetjet arkeologjike.
Ndërkohë, administratori i kompanisë ‘Everest’, Sokol Çupi i tha BIRN nëpërmjet telefonit se kompania nuk kishte marrëveshje me autoritetet për monitorim arkeologjik të punimeve, ndërkohë që pranoi se një pjesë e mureve ishin dëmtuar.
“Ajo pjesa që është prishur, është e detyrueshme për shkak të konstruksionit,” tha Çupi. “Nuk bëhet ndërtimi pa atë ndërhyrje,” shtoi ai.
Më shumë për projektin Veliera dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në Durrës mund të lexoni këtu, këtu dhe këtu.