Eksluzive: Si bandat shqiptare, marokene dhe kurde transportojnë emigrantët nëpërmjet Shqipërisë

Nga Alice Taylor
Eksluzive: Si bandat shqiptare, marokene dhe kurde transportojnë emigrantët nëpërmjet Shqipërisë

Trafikimi i emigrantëve të paligjshëm nga vendet e Lindjes së Mesme përmes Shqipërisë kryhet përmes bashkëpunimit të grupeve kriminale shqiptare, marokene dhe kurde, të gjithë me banim në Shqipëri.

Këto grupe punojnë së bashku për të marrë grupe migrantësh nga kufiri me Greqinë dhe për t’i transportuar ato përmes Shqipërisë, drejt vendeve të BE-së. Ky shërbim kushton rreth 250 euro për imigrant për ata që udhëtojnë në grupe. Për ata që dëshirojnë të udhëtojnë vetëm, çmimi mund të shkojë deri në mijëra euro.

Një anëtar i një grupi trafikantësh i tregoi Exit se: “Ne kemi kontakte, marrim vendndodhjet e sakta dhe kontaktojmë shoferët”. Roli i tij është të organizojë shoferë, të negociojë, të rregullojë pritjen e imigrantëve dhe të menaxhojë të gjitha pagesat për njerëzit e përfshirë.

Marrëveshjet që bëhen ndërmjet imigrantëve dhe ndërmjetësve

Emigrantët që dëshirojnë të transportohen drejt BE-së, zakonisht duhet të kalojnë përmes një “agjencie” në Janinë.  Ata paguajnë një tarifë për “agjentin” që i lidh  me shoferët në Shqipëri. Shoferi i pret emigrantët në kufirin shqiptaro-grek, ku ata kalojnë në mënyrë të paligjshme. Para kalimit të kufirit, njërit prej emigrantëve i jepet numri i shoferit që do t’i presë në kufirin shqiptar, në një vend të paracaktuar.

 

Imazhi 1: Diskutime për shmangien e policisë. Imazhi 2: Provat e origjinës arabe të migrantëve.

Udhëtimi kryhet në furgona ose me makina me qira. Kohët e fundit edhe kamionët e mallrave po përdoren si një mënyrë për të shmangur identifikimin nga policia.

Një makinë bosh ecën disa kilometra përpara makinës me emigrantë për të parë se ku ndodhet policia dhe ku janë vendosur postoblloqet.

Në raste kur ka policë, shoferi i zbret emigrantët në fshatin më të afërt dhe kalon postobllokun me makinën bosh. Disa kilometra më tej, ai i dërgon emigrantëve vendndodhjen e tij dhe i pret sa të vijnë.

Nëse ata arrijnë me sukses Tiranën, shoferi i lë në vendin e dakordësuar dhe i dërgon një foto dhe vendndodhjen një “agjenti” të agjensisë në Janinë, i cili më pas i dërgon pagesën përmes Western Union. Ndërmjetësi pastaj përdor djem të rinj, te paidentifikuar me të, për të tërhequr paratë nga zyrat e Western Union në mënyrë që të mos zbulohet identiteti i tij.

Në Tiranë emigrantët strehohen në një rrjet ‘banesash të sigurta’ në Laprakë. Aty ata shplodhen përpara udhëtimit tjetër.

Një shofer i intervistuar nga Exit tha se mori 50 euro për emigrant, për udhëtim. Ai bëri tre udhëtime të tilla para se të kapej nga policia. Arsyeja që ishte përfshirë në këtë punë ishte nevoja për para për të mbajtur familjen e tij.

Kur u pyet se çfarë kategorie njerëzish emigrojnë, ai shpjegoi se ata janë njerëz normal dhe ka shumë gra e femijë.

“Burra, gra, fëmijë, shumë gra dhe fëmijë,” tha ai, duke shtuar se ata janë thjesht “njerëz normalë” që po ikin nga lufta në vendet e tyre. Shoferi shtoi se ata kanë shumë frikë nga policia dhe kjo është arsyeja pse paguajnë për transportin me shpresën se nuk do të kapen.

Pavarësisht masave të marra nga policia gjatë vitit të kaluar, një numër i konsiderueshëm i emigrantëve ende po kalojnë me sukses përmes vendit nga Greqia në kufirin me Kosovën ose Malin e Zi. Destinacioni i tyre përfundimtar është një shtet anëtar i BE-së, kryesisht Italia, Austria ose Hungaria. Që nga viti 2018, Shqipëria ka qenë pjesë e një prej korridoreve kryesore të imigracionit të paligjshëm në Evropë.

Nga viti 2009 deri në vitin 2017 ka pasur midis 1000 dhe 3000 migrantë të kapur nga policia në Shqipëri. Pas vitit 2017, kjo shifër u rrit dhe numri aktual i emigrantëve është më shumë se 18,800.

Sipas të dhënave nga viti 2019, 30% vijnë nga Iraku, 28% nga Siria, 14% nga Maroku dhe 9% nga Algjeria. Pjesa tjetër vjen nga vendet e tjera të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.

Tani ka më shumë emigrantë të parregullt në vend, sesa të rregullt. Janë rreth 15,000 individë me leje qëndrimi që nga viti 2020, dhe më shumë se 18,800 të parregullt.

Në vitin 2019, kishte të paktën 6600 azilkërkues në Shqipëri, duke përfshirë rreth 765 familje. Midis viti 2015 dhe 2017, kishte 665 kërkesa për azil dhe 71 kësrkesa u miratuan. Nga viti 2018 dhe viti 2020, kërkesat për azil u rritën në 13,222, nga të cilat vetëm 44 u miratuan.

Ekzistojnë katër lloje të emigrantit të parregullt siç përcaktohet nga autoritetet; azilkërkuesit që mbahen në qendrat e azilit derisa të vendoset mbi çështjen e tyre, viktimat e trafikimit, të cilët mbahen në qendra të specializuara, emigrantët e parregullt, të cilët mbahen në një qendër të mbyllur ose të miturit e pashoqëruar që strehohen në qendrat sociale.

Aktualisht ka vetëm pesë qendra shtetërore në vend për migrantët. Disa individë largohen nga këto qendra dhe më pas përpiqen të udhëtojnë në vendet e BE-së përmes rrjeteve të trafikantëve kundrejt pagesës.

Një burrë i përfshirë në koordinimin e transportit të emigrantëve nga kufiri shqiptaro-grek i tha Exit News se disa emigrantë kapen nga policia, intervistohen dhe më pas lihen përsëri të lirë në kufi, pa dijeninë e autoriteteve greke. Ai tha se këta individë do të paguajnë sërish për të kaluar në një vend të BE-së.

Artikullin ne origjinal e lexoni këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>