Shkencëtarë evropianë bëjnë atë që nuk bëjmë ne për të shpëtuar Vjosën

Nga Artan Rama
Shkencëtarë evropianë bëjnë atë që nuk bëjmë ne për të shpëtuar Vjosën

Shumë pak shqiptarë janë të vetëdijshem se Vjosa, lumi me i madh i Shqipërisë jugore është lumi i fundit në Evropë, i cili, deri tani, nuk e ka ndërruar rrjedhën e tij”, – thotë profesor Fridrich Shiemer, ekologjist i famshëm nga Universiteti i Vjenës, që sapo ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit.

Së bashku me Olsi Nikën, biolog mjedisi dhe aktivist i çështjeve mjedisore në Shqipëri, ata po presin në sallën e mbërritjeve tridhjetë shkencëtarë dhe ekspertë të tjerë të fushës, të mbledhur nga vende të ndryshme të Evropës. Destinacioni i tyre është Lugina e Vjosës në Poçem, atje ku qeveria ka miratuar marrëveshjen koncesionare për ndërtimin e një hidrocentrali, lartësia e digës të së cilit do të arrijë në 50 metra, ndërsa do të shtrihet në drejtim të të dyja brigjeve të lumit, në një gjatësi prej 200 metrash.

Shpesh përgjatë shekujve, me gjarpërimet e shumta dhe shpalosjet e befta të shtratit që hapej në luginë, përgjatë brigjeve rrëze malëve, mes kalimeve të ngushta nën shpatë, Vjosa ka tërhequr vizitorë të shumtë, të cilët, mrekullitë e këtij peizazhi piktoresk i kanë përjetësuar në vargje apo kujtime autorësh të famshëm. Por ky grup biologësh dhe ekologjistësh evropianë, që do të eksplorojë potencialin e këtij ekosistemi të pasur, është, sot, një ekspeditë alarmi.

Shkencëtarë dhe ekspertë të natyrës në ekspeditën e Vjosës. (Foto: A. Rama)

Për më pak se një javë grupet e punës do të eksplorojnë habitatin ndërkohë që një pjesë e të dhënave të grumbulluara do të ekzaminohen në laborator. Sidoqoftë, vëzhgimet e drejtpërdrejta në terren dëshmojnë për një pritshmëri të lartë.

“Kjo është një zonë e pastudiuar, kësisoj ne nuk i dimë pasojat që mund të shkaktoje ngritja e kësaj dige betoni. Pa dyshim që një pjesë e tokave do të përmbyten dhe shtrati do të ndryshojë. Diga do të bllokoje gjithçka. Bashkë me rrjedhjën do të ndalohet edhe jeta. Duhet pak më shumë kohë për ta lexuar natyrën dhe vendimet duhen të merren nga shkencëtarët e jo nga politikanët”, perfundon Ulrich Eichelmann nga RiverWach.

Një nga biologët duke eksploruar shtratin e Vjosës (Foto: A. Rama)

Një grup gazetarësh nga “National Geographic”, “Radio ORF”, “Le Courriers des Balkans” dhe “ARTE”, do të jenë të vetmit shoqërues në këte aventurë mjedisore ballkanike. Së bashku me shkencëtaret, kamerat e këtyre mediave të fuqishme do të dokumentojnë gjithçka. Mesa duket, mediat lokale janë të zëna me çështje më serioze.

Por të mërkurën në 26 prill, organizatorët kanë ideuar një aktivitet të veçantë. Pasdreke, në orën 15:00, aty ku mendohet të ndertohet diga, në mes lumit, në Vjosë, aty ku shtrati degëzohet e formon një prej ishujve të tij të shumtë përgjate trajektores, shkencëtarët, tamam mbi këtë ishullth, pra mu në mes të lumit, kanë vendosur të mbajnë një konferencë për shtyp, një konference nga më të çuditshmet, ku pjesëmarrësit, si rrallë herë, do të mbërrijnë me varkë! Ndoshta duke shpresuar se në këtë mënyrë, përmes kësaj gjetjeje do të tërheqin vëmendjen e munguar mediatike.

Shkencëtarët duke analizuar ekosistemin e Vjosës (Foto: A. Rama)

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>