Disa ekspertë ndërkombëtarë të trashëgimisë kulturore i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama ku i kërkojnë që të ndal punimet e ndërtimit të Bypassit në Gjirokastër.
Sipas tyre ndërtimi i Bypasir rrezikon trashëgiminë kulturore të Gjirokastrës dhe statusin e qyteti si pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ekspertët shprehen se Shqipëria “duhet të adoptojë një plan mobiliteti për Gjirokastrën përpara implementimit të çdo projekti, plan ky i kërkuar në mënyrë të përsëritur nga UNESCO”.
Përmes letrës ekspertët kërkojnë një Vlerësim të Ndikimit Mjedisor si dhe një Vlerësim të Ndikimit në Trashëgimisë, bazuar në ligj.
“Humbja e statusit të UNESCO-s, mund të ishte një goditje e rëndë ndaj turizmit kulturor shqiptar në zhvillim, dhe mund të njolloste reputacionin e fituar me vështirësi të Shqipërisë si një partner ndërkombëtar i besueshëm”, shprehen ekspertët.
Letra është iniciuar prej Stephan Doempke, ish-kordinator programi i UNESCO/UNDP mbi trashëgiminë kulturore në Shqipëri, i cili ka jetuar katër vite në Gjirokastër.
Ndërsa tani është kryetar i World Heritage Watch, një rrjet global i 180 organizatave jo qeveritare, i cili monitoron Vendet e Trashëgimisë Botërore dhe raporton në UNESCO.
Rasti është denoncuar edhe nga kandidati për deputet në Gjirokastër Kreshnik Merxhani.
Ai ka thënë Projekti i Bypass-it jo vetëm që duhet anuluar por “paret e mara borxh, duhet të shkojnë në restaurimin e monumenteve të kulturës të cilat janë vlerat e vërteta”.
“S’ka ndonjë dyshim këtu e as ka pasur. Fondet e mara borxh që do ti paguajmë të gjithë ne, duhet të shkojnë në ndihmë të komunitetit duke përmirësuar rrjetin e brendshëm të lagjeve si dhe duke çuar shërbime të munguara”, ka deklaruar Merxhani.