Dy persona u vranë në Elbasan në një atentat në dukje të mirëorganizuar.
Ardian Çollaku dhe Lulzim Bitri janë ekzekutuar pranë një pike karburanti në hyrjen lindore të qyetetit.
Pas vrasjes, një automjet i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët, u gjend i djegur në fshatin Balldre.
Çollaku dhe Bitri ishin persona me precedentë penal.
Në 2015, Ardian Çollaku, i njohur edhe me mbiemrin Subashi, u arrestua për t’u ekstraduar drejt Italisë ku ishte dënuar me 23 vite burg për “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Në 2018, OFL i dërgoi atij formularin e vetë deklarimin e pasurisë.
Lulzim Bitri ndërkohë rezulton i arrestuar në 2018 në Tetovë pasi dyshohej i përfshirë në një konflikt me armë ku një person u vra dhe dy u plagosën.
Megjithëse ndaj tyre rëndonin akuza të rënda është e paqartë se si ata kanë shpëtuar nga dënimi.
Çollaku sipas mediave kishte pak kohë që ishte rikthyer në Shqipëri pasi qëndronte jashtë vendit.