Pas publikimit nga BILD të 10 audio-përgjimeve të reja dje në mbrëmje, Kryeministri Rama, ish-ministri Tahiri dhe deputetët Qefalia dhe Manja i quajtën bisedat për zgjedhjet në Dibër, “biseda normale mes shokësh”, që nuk tregojnë asnjë fakt konkret për blerje votash.
Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në emisionin “Përballë” me Lutfi Dervishin, kur BILD publikoi audio-përgjimet. Komenti i tij ishte:
“Është shumë e rrezikshme loja e përgjimeve, mund të kthejnë komplet vemendjen e të vërtetën, duke u nisur nga biseda që dëgjohet në to. Muhabetet e telefonit mund të jenë një bazë për të shkuar te prova, por mund të jenë edhe jashtë konteksti. Pra, janë gjëra që duhen futur në rrugën e ligjit e të diskutohen vetëm në bazë të ligjit.”
Ndërsa sot në Kuvend, Rama u shpreh:
“Në atë bisedë që është dëgjuar e kam bërë dhe do ta përsëris. Biseda të tilla e kam bërë me të gjitha shtabet pa asnjë problem.”
Ish-ministri Saimir Tahiri, përmes një statusi në Facebook, u shreh:
“Biseda nuk ka lidhje aspak me vjedhjen e votave, blerjen e zgjedhjeve apo çdolloj manipulim tjetër, e po kështu asnjë veprim i imi, në një fushatë si ajo e Dibrës ku nuk kam marrë pjesë asnjë ditë, në cilëndo mënyrë.”
Deputeti Xhemal Qefalia, që në audio-përgjim dëgjohej t’i premtonte shefit të Policisë Dibër Robert Aga rritje në detyrë për ndihmën që i dha PS-së në zgjedhje, tha se:
“Të përgjosh dhe ta quash krim elektoral pse flet në telefon me një shok fëmijërie dhe shkolle madje ky shoku nuk është as kriminel as person pa integritet, por është ushtarak,oficer karriere!!!”
Ndërkohë Ulsi Manja, kreu i Komisionit të Ligjeve, nuk pranoi të komentonte, por tha vetëm: “Për çështje të drejtësisë flet drejtësia. Mos u nxitoni!”
Zëvendëskryeministri Erion Braçe mbrojti kolegët e tij duke thënë se:
“Në asnjë nga përgjimet e publikuara, qoftë në Durrës apo edhe në rastin e djeshëm, nuk flitet në asnjë formë për këmbim parash. Në asnjë rast qoftë Gjiknuri, qoftë Dako nuk është gjetur që të ketë komunikuar për çështje parash. Për secilin, përfshirë këta të dy, prokuroria duhet të bëjë hetimet, të provojë që ato para kanë blerë vota dhe gjithsecili të mbajë përgjegjësi. Në rast se identifikohen raste të tilla, të blerjes së votave, krimi është krim individual.”
Ish-ministri Gjiknuri dhe Ymer Lala, babai i deputetes Reme Lala, nuk kanë reaguar ende.