Elona Gjebrea dy herë mat

Elona Gjebrea dy herë mat

Opinion.al — Elona Gjebrea, ish-zevendësministrja e Brendshme dhe kryesuesja e listës së deputetëve socialistë për Tiranën, u bë personazh i njohur ditët e fundit pasi media aludoi se ajo është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për çështjen Tahiri. Sipas burimeve të cituara nga disa portale, zonja Gjebrea dyshohet të ketë udhëtuar së bashku me ish-shefin e saj për në Greqi në të njëjtat ditë kur makinën e kanë patur në përdorim vëllezërit Habilaj.

Ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda për shkak të sekretit hetimor nuk mundet as ta provojë por as ta përgënjeshtrojë këtë lajm, deputetja e PS me një fjalor aspak të denjë për një zonjë që ka qenë numri 2 i Ministrisë së Brendshme iu hakërrye gazetarëve për pyetjet që i drejtuan lidhur me këtë çështje duke preferuar të përdorë madje dhe gjuhën e shumë kritikuar të Kryeministrit për “median e kazanit”.

Zonja Gjebrea ndoshta nuk e di se është e detyruar t’u përgjigjet gazetarëve, qoftë edhe me fjalët e arta “nuk kam koment”dhe jo të fyejë ata që e pyesin për një shqetësim të ditës.

Aq më shumë ajo mban përgjegjësi për ato që ka bërë e kur ka qenë zëvendësministre sikundër dhe për veprimet e familjarëve të saj. Gjë qe zonja në fjalë nuk duket ta ketë bërë, ndërsa bashkëshorti i saj Arjan Hoxha nuk e ka kaluar dot “vetting”-un e dekriminalizimit, test i çdo punonjësi të administratës.

Nëse për momentin askush nuk mund të vërtetojë apo të hedhë poshtë faktin nëse ajo është thirrur për të dëshmuar tek Krimet e Rënda, të paktën për bashkëshortin e zonjës deputete letrat zyrtare flasin më qartë ndërsa ka fshehur faktin se ka qenë i dënuar me 8 muaj burg për mashtrim dhe falsifikim të dokumentave zyrtare.

Arian Viktor Hoxha, bashkëshorti i zonjës deputete është deklaruar fajtor për veprën penale të falsifikimit të dokumentave shtetërorë dhe gjykata e ka dënuar me 8 muaj e 25 ditë heqje lirie.

Por kjo do të kishte ndoshta asnjë efekt për karrierën e zonjës Gjebrea nëse bashkëshorti i saj nuk do të punonte rreth tre vite më parë si këshilltar i ministrit Gjiknuri dhe me këtë rast i është dashur të dorëzojë formularin e vetëdeklarimit. (dokumenti më poshtë )

Pikërisht në këtë moment, zoti Hoxha është bërë subjekt verifikimi nga sektori i dekriminalizimit ,ku pas verifikimit është konstatuar se ai nuk e ka deklaruar dënimin,sipas detyrimit ligjor që kanë të gjithë zyrtarët e administratës publike. Dosja e tij i është përcjellë më tej Prokurorisë së Tiranës,ndërsa dy vitet e fundit bashkëshorti i deputetes Gjebrea punon për një projekt shumëmilionësh të Bankës Botërore me OSSHE. Pra përveç se i dënuar,bashkëshorti i zonjës Gjebrea ka mashtruar me vetëdeklarimin,akt që ka çuar në heqjen e mandatit për disa deputetë apo kryetarë bashkie.

Zonja Gjebrea është deputete e re e Kuvendit të Shqipërisë dhe në këto pak muaj punë të parlamentit nuk ka qenë shumë aktive në debatet e zhvilluara athe. Ndoshta emri i saj dhe gënjeshtrat e bashkëshortit do të mbeteshin të panjohur për publikun nëse nuk do të përflitej për udhëtimin e famshëm me Audin 003. Megjithatë, për sa kohë një pjesë e shtypit dhe opozita e akuzojnë për këtë fakt,ish zëvendësministrja duhet të paktën të ketë mirësinë të përgjigjet me seriozitet dhe pa batuta. Ndoshta këtë herë për veten dhe një herë tjetër edhe familjarët e saj të afërt.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>