Elton Debreshi: Nuk shitemi për asnjë çmim, kemi problematika të mëdha në fushën e punëtorisë

Nga Exit News
Elton Debreshi: Nuk shitemi për asnjë çmim, kemi problematika të mëdha në fushën e punëtorisë

Elton Debreshi, kandidat i pavarur në Dibër në zgjedhje, u shpreh në emisionin “Me Pak Fjalë” se nuk do të shitet për asnjë lloj çmimi në rast se fiton mandatin e deputetit.

Debreshi kandidon për zonën e Bulqizës, ku punon si minator dhe është gjithashtu themelues i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar.

“Sindikata e Minatorëve të Bashkuar është krijuar nga vetë minatorët” tha ai pasi shprehu zhgënjimin nga sindikatat e vjetra të cilëat i akuzoi se nuk kanë punuar për interesat e minatorëve.

“Ne kandidojmë për hallet dhe problemet tona. Jemi të zhgënjyer për 30 vite nga partitë politike dhe nga sindikatat. Deputetët kanë menduar se e si ti marrin Bulqizës, malin, pyjet, lumenjtë dhe mineralet” u shpreh kandidati i pavarur.

Ai tregoi se kandidimi për deputet ishte një ide e vetë minatorëve për t’ju dëgjuar zëri

“Nuk e kam synimin për deputet por te hallet dhe problematikat që kemi në Bulqizë”, deklaroi Debreshi pasi shprehu keqardhjen që një zonë aq e pasur nëntokë është më e varfra ekonomikisht në Shqipëri.

Debreshi nënvizoi se minatorët nuk do të kenë asnjë ngjyrim politik dhe se do të luftojnë për kauzën e tyre. Por pavarësisht kësaj ai tha se “ne kemi problematika të mëdha në fushën e punëtorisë në të gjithë Shqipërinë, kemi probleme në fasoneri, tek naftëtarët, në call-centera.”

Ai deklaroi se do të ngrejë zërin edhe për problematika të kësaj natyre po theksoi se shpreson që kandidimi të nxisë të tjerë për tu organizuar në mënyrë që të luftojnë për problematikat e tyre.

“Nuk do të rrij në Tiranë të ha dreka e darka e të kollarisem. Nuk do shitemi për asnjë lloj çmimi. Unë do jem çdo ditë në Bulqizë me hallet dhe problemet që ka atje”, tha ndër të tjera Elton Debreshi.

Ai vuri në dukje edhe vështirësitë që sistemi zgjedhor paraqet për kandidatët e pavarur të cilët megjithëse kandidojnë vetëm në një qark duhet të mbledhin 1% të votave në rang kombëtar për t’u fituar mandatin e deputetit.

Nëse marrim për bazë zgjedhjet e 2017 ku morën pjesë rreth 1.6 milionë zgjedhës, atëherë, një kandidati të pavarur do ti duhen 16 mijë vota për të marrë mandatin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>