Elton Debreshi takime me banorët në Dibër, 12 prill

Nga Exit News
Elton Debreshi takime me banorët në Dibër, 12 prill

Kandidati i pavarur për deputet Elton Debreshi zhvilloi të hënën takime me banorët në zonën e Dibrës.

Ai i njohu ata me programin e tij dhe i tregoi arsyet e kandidimit të tij për deputet. Programi i tij ka 4 shtylla kryesore: Statusin e minatorit, problemet lokale si rrugët, pyjet e lumenjtë, të drejtat e punëtorëve dhe të drejtat shoqërore.

Debreshi ishte në fshatin Shtushaj të Shupenzës. “Pata një takim të përzemërt me banorët, të rinj dhe ish-minatorë”, njofton Debreshi përmes faqes së tij zyrtare.

Ai tregon se Shtushaj ka qenë një fshat me shumë banorë, me ujë, me dyqan, me qendër shëndetësore, por sot nuk ka asgjë. “Rruga është e shkatërruar. Sepse deputetet e partive te vjetra kane ardhur, gënjyer e nuk janë dukur me”, thotë Debreshi.

Ai shprehet se nuk jep premtime as për rrugë dhe as spitale, “por jap fjalën se do ta shkund ëparlamentin me kërkesat për një jetë më të mirë për banorët e këtij fshati piktoresk e të krejt Dibrës”.

Ai ishte të dielën në fshatin Dragun.

“Jam para një brezi që ka kontribuar shumë për këtë vend, burra të vjetër në moshë me babin tim, minatorë shembullor bashkëvuajtës por të ndershëm”, u shpreh Debreshi para banorëve të Dragunit.

Ai i prezantoi ata me programin e tij dhe folën për problemet e tyre të përbashkëta që kanë në minierë dhe si banorë të qarkut të Dibrës.

Të hënë ai ishte gjithashtu në Urxallë, ku u takua me banorë dhe ish-minatorë.

Urxalla, ashtu si dhe fshatrat e zonës kane të njëjtat halle: braktisje masive, rruge te shkatërruara, shërbim shëndetësor minimal etj, thotë Debreshi në njoftimin e tij.

“Por problemi me i madh është vjedhja e lumenjve për ti futur ne tubat e hidrocentraleve.

Pas takimit, na mikpriti në shtëpi Abdi Toçi, aktivist ne mbrojtje te lumenjve, familjar i patriotit Shahin Toçi, i cili refuzoi te shkelte mbi flamurin shqiptar ne mes te Romes, duke e paguar me jete veprimin e tij”, thuhet në njoftimin e tij.

Ai thotë se u dha fjalën banorëve se do te flas fort në mbrojtje të pyjeve e lumenjve.

Debreshi ishte edhe në Klos, ku së bashku me banorët folën për minatorët dhe minierën.

“Miniera është e këtij komuniteti, por prej vitesh ajo i shërben një grupi të vogël njerëzish që pasurohen në Tirane. Ka ardhur koha ta ngremë zërin edhe të kërkojmë atë që na takon me të drejtë”, tha Debreshi në Klos në takimin e tij me banorët e zonës.

Debreshi ka njoftuar se të martën13 prill, ora 11:00, së bashku me mbështetësit e tij do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese një padi.

Bëhet fjalë për një pjesë të Kodit Zgjedhor i cili vendos një prag elektoral kombëtar 1% për kandidatët e pavarur.

“Ky prag është i padrejtë dhe diskriminues për aq kohe sa kandidatet e pavarur mund të votohen brenda vetëm një qarku, ndërsa pragun e kanë kombëtar”, tha Debreshi përmes një njoftimi për mediat.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>