Kandidati i pavarur në qarkun Dibrës Elton Debreshi në një deklaratë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve në Dibër, u shpreh se përpjekja e përbashkët nuk do të ndalet.
Debreshi fushatën e cilëson si një përpjekje që e gjithë vëmendja e Shqipërisë të kthehet tek minatorët.
“Kjo nuk ishte thjesht fushate elektorale, por një përpjekje e madhe e përbashkët për ta kthyer vëmendjen e gjithë Shqipërisë nga kauza e minatorëve dhe problemet e thella te qarkut tone. Kemi shkuar fshat me fshat dhe lagje me lagje, duke takuar mijëra bashkëvuajtës. Me berin tone prekem zemra dhe fituam respektin e një numri jashtëzakonisht te madh njerëzish, duke ngritur urat e një përpjekjeje te përbashkët te vazhdueshme”, tha Debreshi
Ai tha se në Dibër janë blerë vota nga të treja partitë. Për numrin e votave ai thotë se ishte më i vogël nga solidariteti dhe mbështetja që gjeti në Dibër gjatë fushatës.
Këtë e shpjegon me vjedhjen e votave dhe me pragun e pandershëm elektoral.
Por Debreshi nuk e sheh me pesimizëm këtë, ai shprehet se përpjekja nuk do të ndalet dhe lufta për të drejta do të thellohet.
“Prapëseprapë që prej fushatës për mbledhjen e firmave te Statusit te Minatorit kemi arritur te hedhim themelet e një organizimi dhe solidariteti te forte mes minatorëve, aktivisteve dhe te rinjve te Bulqizes”, shprehet Debreshi.
Ai ka shprehur falënderim minatorët e të rinjtë e Bulqizës që e mbështetën në fushatë. Po ashtu Debreshi ka falënderuar aktivistët e Organizatës Politike të cilët e kanë ndihmuar atë gjatë fushatës.
“Kjo përpjekje e përbashkët as duhet te ndalet, as mund te ndalet dhe as do te ndalet. Ne do ta thellojmë luftën tone politike per Statusin e minatorëve dhe te drejtat e punëtoreve anembanë vendit, me besimin e palëkundur tek e drejta dhe solidariteti shoqëror”, deklaroi Debreshi.