Si reagim ndaj shkrimit të Exit News me titull “Porto Romano dërgon gas në Siri, thyen embargon e SHBA dhe BE”, datë 30 dhjetor 2020, kompania AV International Group sh.a. ka sjellë këtë reagim, të cilin po e botojmë të plotë në vijim.
Reagimi i Kompanisë AV International Group sh.a.
Në vijim të artikullit tuaj në lidhje me shoqërinë “AV International Group” Sh.a., dhe më konkretisht me pronarin e saj Z. Piro Bare, të datës 31.12.2020, në të cilën hulumtoni për disa shkelje të pabazuara në lidhje me tregtimin e produkteve hidrokarbure gaz i lëngshëm në drejtim të një shteti i cili është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare, po ju informojmë juve dhe përmes jush lexuesit tuaj se bazohet në fakte të pavërteta.
Ky sqarim nga ana e shoqërisë tregtare “AV International Group” Sh.a. ka si qëllim bindjen tuaj për të publikuar një lajm përgënjeshtrues dhe në mënyrë emergjente, përderisa:
a) Artikulli juaj nuk përmban asnjë të dhënë të vërtetë dhe as nuk shoqërohet me fakte apo me prova dhe dokumente referenciale, të cilat të jenë të afta të vërtetojnë versionin tuaj të ngjarjeve. Artikulli nuk ka autor. Për rrjedhojë, iniciativa juaj gazetareske cenon Kodin e Etikës së Gazetarit, pika 1, ku thuhet: “ Saktësia dhe Ndershmëria e Informacionit. Saktësia. Gazetari duhet të verifikojë informacionin përpara botimit me qëllim që të sigurohet që është i saktë, i bazuar në fakte dhe i besueshëm. Të gjitha të dhënat dhe informacionet i duhen nënshtruar shqyrtimit të kujdesshëm: qoftë kur është përftuar nga burime njerëzore, qoftë nga dokumentet. Gazetarët duhet të bëjnë gjithmonë të qarta rastet kur informacioni nuk është i konfirmuar. Media nuk duhet të çorientojë publikun. Media duhet të bëjë të qarta rastet kur janë përdorur tekste, dokumente, imazhe dhe tinguj të manipuluar”.
P.sh., fakt i gënjeshtërt: Anijet e përmendura në artikull nuk janë marrë asnjëherë me qera nga kompanitë e Z.Piro Bare, ndryshe nga ç’thuhet në artikull, lehtësisht e verifikueshme, etj.
b) Ju informojmë se shoqëria jonë është një shoqëri tregtare e themeluar në mënyrë ligjore dhe të gjithë aktivitetin e saj e kryen dhe e ka kryer në zbatim të ligjit Kombëtar dhe Ndërkombëtar. Si pasojë, vetë aktiviteti ynë tregtar zhvillohet në përputhje me ligjin dhe në mbikqyrjen e organeve ligjore të administratës publike. Në to përfshihet Policia Kufitare, Antikontrabanda, Autoriteti Portual Durrës, Dogana e Durrësit, etj. Rezultati i gjithë aktivitetit tonë tregtar është i monitoruar në mënyrë ligjore dhe të plotë, gjithashtu, edhe nga organizatat ndërkombëtare ligjzbatuese në fushën e detarisë.
Deri sot nuk ekziston asnjë raport negativ nga agjencitë ligjzbatuese dhe monitoruese vendase dhe të huaja lidhur me aktivitetin kombëtar dhe ndërkombëtar të shoqërisë tregtare “AV International Group” Sha dhe personit fizik Piro Bare. Rasti juaj është një përjashtim nga rregulli i mënyrës së vlerësimit nga jashtë të modulit të operimit të kësaj kompanie në treg prej mbi 15 vjetësh.
Ju informojmë juve se shoqëria “AV International Group” Sha dhe vetë personi fizik Z. Piro Bare nuk janë dhe nuk është përfshirë në asnjë aktivitet tregtar të jashtëligjshëm, i cili të ketë përfituar apo të ketë shkeluar ndonjë sanksion Kombëtar apo Ndërkombëtar. Kjo është e sigurt dhe, nëse do të verifikonit faktet që keni paraqitur në shkrim edhe nga burime të tjera (gjë që e keni detyrim), do të konfirmoni informacionin tonë.
c) Botimi i një përgënjeshtrimi imediat në median tuaj do të konsiderohej nga ana e shoqërisë “AV International Group” Sh.a. dhe personi fizik Piro Bare si një mënyrë reflektimi nga ana juaj për një shkrim tërësisht të pavërtetë dhe që në qendër të tij ka imazhin e shoqërisë në fjalë në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar. Qartazi, e kuptoni që me shkrime të kësaj natyre, ku paraqiten fakte të pasakta dhe vlerësime haptazi të pabazuara në realitetin e fakteve, dëmtohet interesi i shoqërisë tregtare “AV International Group” Sha, gjë që nuk do të tolerohet nga ana e shoqërisë.
Në pritje të reagimit tuaj, nga ana e shoqërisë tregtare “AV International Group” Sha dhe personit fizik Piro Bare po mbahet e ngrirë inisiativa e një kallëzimi penal për ju pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë (neni 120 i Kodit Penal), sikurse edhe një padi gjyqësore për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë (neni 608 i Kodit Civil).