Skema është e njejtë. Në fillim, kërkohet shpallja e emergjencës. Në tridhjetë vjet mungesë menaxhimi të mbetjeve urbane, çdo zgjidhje e skajshme gjykohet e pranueshme.
Më tej, synohet mbyllja e vend-depozitimit të ndotur, i konsideruar publikisht si i rrezikshëm. Në fund, mbetjet e përditshme dërgohen në incenerator.
I tërë operacioni financohet nga buxheti, ndërsa të ardhurat u shkojnë kompanive private. Nga djegia përfitohen edhe më shumë para.
Realisht, janë miliona euro që ndahen mes pak aksionerëve të përzjerë në biznese të përbashkëta.
Në vetëm pak kohë, kjo skemë alarmi ka përparuar si një epidemi, duke shtuar burimet për më shumë të ardhura.
Po kujt i shërben ky biznes i ri që kërkon gjithmonë më shumë mbetje? Për t’iu përgjigjur kësaj, le të kthehemi pas, atëherë kur nisi gjithçka, në vitin 2014.
Një fushatë dhe një propozim konkret
Paraditen e 8 shkurtit të vitit 2014, nën moton “Shqipëria është e të gjithëve, ta mbajmë atë të pastër”, 1000 forca ushtarake dhe 76 mjete të ushtrisë dolën në rrugë për pastrimin e akseve kombëtare. Aksioni ishte urdhëruar nga ministri i Mbrojtjes, në kuadër të shpalljes së emergjencës mjedisore tre ditë më parë, prej Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve (KMIM).
Ishin përpjekjet e një qeverisje të re, entuziaste, e cila po kujdesej të mbante premtimet e dhëna disa muaj më parë. Pastrimi i mbetjeve të pagrumbulluara për më shumë se dy dekada, pasojë e një konsumi dhe mosmenaxhimi në rritje, ishte një prej tyre.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, një ish qytet industrial, i pranuar gjerësisht si qyteti më i ndotur i vendit, e shfrytëzoi shpalljen e emergjencës në favorin e tij.
Ai dërgoi një kërkesë urgjente, e cila u protokollua në Ministrinë e Mjedisit në 8 korrik, ku i propozonte ndërtimin e një inceneratori që do të përpunonte mbetjet e Elbasanit. Dhe ndonëse sugjeronte bashkëpunimin me një partner privat, kërkonte nga ministria mbështetje financiare për realizimin e këtij projekti.
Pak më herët, kompania Integrated Technology Service (ITS) shpk kishte përgatitur një raport të përmbledhur për një incenerator të mundshëm në Elbasan, parametrat teknikë të të cilit përputheshin plotësisht me propozimin e Kryetarit të Bashkisë.
Ministria u përgjigj të nesërmen. Ministri Lefter Koka e pranoi kërkesën, duke e konsideruar projektin me rëndësi publike, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe kërkoi të dhëna teknike në favor të plotësimit të dokumentacionit.
Ditën tjetër u themelua Albtek Energy sh.p.k., i cili, në rolin e partnerit privat, në 11 gusht, trokiti në Ministrinë e Mjedisit për të paraqitur projektin në fjalë, me vlerë investimi 22 milionë euro, së bashku me raportin e tij teknik.
Një muaj më pas, Këshilli Bashkiak i Elbasanit, shpalli emergjencën mjedisore. Vendimi mbështetej në një tjetër vendim të mëparshëm të KMIM-it “Për shpalljen e emergjencës mjedisore në territorin e Republikës së Shqipërisë”, atëherë kur forcat e armatosura kishin dalë në rrugë.
Akti i shpalljes u konfirmua nga Prefekti i Qarkut në një kohë rekord dhe mbërriti në Ministrinë e Mjedisi brenda ditës. Misioni i bashkisë kishte përfunduar. Sinjali kishte mbërritur në Tiranë. Ishte data 22 shtator.
Tre javë me vonë, ministri njoftoi zyrtarisht ngritjen e komisionit me objekt dhënien e koncesionit të ndërtimit të inceneratorit, një grup me shtatë anëtarë, përfaqësues të katër autoriteteve publike, dy prej të cilëve nga Bashkia e Elbasanit.
Një vendim fantazmë
Shpesh, në një dinamikë të ngarkuar ngjarjesh, parashtrimi i fakteve sipas rendit kronologjik mund të ofrojë një shpjegim të logjikshëm, ose mund të ndriçojë një rrethanë jo shumë të qartë.
Përse i duhej bashkisë emergjenca, kur vetë autoriteti, Ministria e Mjedisit, e kishte dhënë pëlqimin për ndërtimin e inceneratorit dhe nuk e kishte kushtëzuar aspak shpalljen e saj prej Këshillit Bashkiak?
Le të qëndrojmë këtu, pasi siç do ta shohim më tej, emergjenca ishte mbështetja themelore, jo vetëm për ecurinë e koncesionit, por edhe për procedurën që u ndoq për të.
I kërkuam bashkisë relacionin shoqërues të draft-vendimit për shpalljen e emergjencës. Bashkia u përgjigj se shkresa ishte asgjësuar dhe dosja ishte pastruar nga kopjet e tepërta.
Por shpallja e emergjencës mbështetej edhe në një tjetër argument, në vendimin për shpalljen e emergjencës mjedisore kombëtare. Vendimi ishte marrë nga Komiteti i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve (KMIM), në 5 shkurt të vitit 2014. Të paktën, kështu ishte deklaruar publikisht.
Ia kërkuam edhe këtë dokument bashkisë, pasi ky vendim ishte në themel të bazës ligjore mbi të cilin mbështetej vendimi i Këshillit. Por bashkia më informoi se as ky dokument nuk ndodhej në arkivë.
Paraqitëm një kërkesë për vendimin e shpalljes së ermegjencës mjedisore kombëtare edhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Vendimi kishte qënë në themel edhe të urdhrit që kishte lëvizur Forcat e Armatosura drejt pastrimit të akseve kombëtare. Përgjigjja erdhi shpejt. As Mbrojtja nuk e dispononte, madje, nuk e kishte pasur asnjëherë më parë.
Mundësia e fundit mbetej vetë Komiteti (KMIM). Ky komitet ndërministror zëvendësministrash, i themeluar në tetor të vitit 2013 nga Kryeministri, kryesohej nga Zëvendësministri i Mjedisit, dhe duhej të ishte pikërisht ai përgjegjës për këtë vendim.
Iu drejtuam Ministrisë së Mjedisit dhe kërkuam të gjitha vendimet e mundshme të këtij Komiteti. Fillimisht Ministria refuzoi, por më pas, falë këmbënguljes, vendosi të përgjigjej.
Komiteti kishte marrë vetëm dy vendime. Asnjëra nuk lidhej me ndonjë shpallje të emergjencës kombëtare Mjedisore.
Pra, vendimi për shpalljen e emergjencës mjedisore në territorin e Republikës së Shqipërisë, vendimi që kishte lëvizur Forcat e Armatosura për pastrimin e rrugëve kombëtare; që kishte shtyrë Këshillin Bashkiak për të shpallur emergjencën në Elbasan nuk ekzistonte! Emergjenca nuk ishte shpallur, asnjëherë.
Jashtë ekspertizës, jashtë kontrollit
Por kishte dhe një tjetër problem. Këshilli Bashkiak nuk mund ta shpallte emergjencën. Këtë të drejtë e kishte vetëm Komiteti (KMIM). Bashkia mund t’ia propozonte Komitetit (KMIM), por jo ta shpallte vetë.
Kësisoj, Komisioni për dhënien e koncesionit, luajti mes dy emergjencave: një emergjencë prej bashkisë dhe një tjetër prej KMIM. Këtë të dytën e mori të mirëqënë.
Për të parën, pushteti vendor nuk legjitimohej që të shpallte emergjencë, as civile, as mjedisore. A ishte Komisioni kompetent? Anëtarët e tij nuk kishin njohuri, formim, apo përvojë në fushën e incenerimit të mbetjeve.
Në proces verbalet e mbledhjeve, anëtarët e Komisionit e pranonin mungesën e njohurive, duke pohuar se verifikimet për kostot financiare të inceneratorit, i kishin marrë nga interneti.
Mungesa e përvojës ishte një e vërtetë publike, përderisa vendi nuk kishte patur inceneratorë. Por Ministria mund të kontraktonte ekspertë të jashtëm. Ligji për koncesionet e parashikonte mbështetjen e Komisionit prej konsulentëve të jashtëm. Por Ministria nuk e bëri.
Në mbledhjen e katërt, Komisioni arsyetoi se situata mjedisore në Elbasan nuk mund të priste respektimin e procedurave të zgjatura të prokurimeve. Komisioni përgatiti një projekt vendim me dy pika kryesore dhe ia dërgoi për mendim Agjencisë së Prokurimit Publik (APP).
Pika e parë kishte të bënte me caktimin e Ministrisë së Mjedisit si autoritet kontraktor për dhënien e koncesionit (fillimisht për një periudhë 15-vjeçare; përfundimisht, u la për 7). Ndërsa pika e dytë, me zhvillimin e procedurës prokuruese “me negocim”.
Le t’i shohim të dyja, një nga një.
Në vitin 2014, zbatimi i projekteve për infrastrukturën e mbetjeve urbane dhe sigurimi i burimeve të financimit për trajtimin e tyre, nuk ishte përgjegjësi e Ministrisë së Mjedisit, por e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës. Ministria e Mjedisit kishte përgjegjësinë e monitorimit të mbetjeve, por jo përpunimin e tyre.
Pra, puna e Komisionit për dhënien e koncesionit dhe më tej, dhënia e të drejtës për ndërtimin e inceneratorit prej Ministrisë së Mjedisit, ishte e paligjshme, nëse nuk ekzistonte më parë një vendim i qeverisë i cili e caktonte Ministrinë e Mjedisit qartësisht si autoritet kontraktor. Komisioni duhej ta dinte këtë, ndaj dhe kërkoi ndihmën e Agjencisë së Prokurimit.
Çështja e dytë lidhej me procedurën e prokurimit. Komisioni përmendte procedurën “me negocim”, një procedurë e cila aplikohej rrallë dhe nën kushte të veçanta.
Për pikën e parë, lidhur me fushën e përgjegjësisë, Agjencia sugjeroi në mënyrë të përgjithshshme (teorike), se cilat subjekte mund të konsideroheshin autoritete kontraktore, por pa iu referuar rastit konkret, Ministrisë së Mjedisit, ndërsa për pikën e dytë, ajo këshilloi ministrinë se përzgjedhja e procedurës duhej të bazohej në pikën 3, të nenit 22 të ligjit për koncesionet, çka nënkuptonte se dhënia inceneratorit nuk mund të kryhej me procedura të mbyllura. Një kopje e kësaj përgjigje iu dërgua edhe Këshillit të Ministrave.
Në fakt, Komisioni veproi ndryshe, duke zbatuar një praktikë prokurimi, jashtëligjore.
Në mbledhjen e fundit, ai vendosi t’i paraqesë kompanisë Albtek Energy ftesën për ofertë për procedurën “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit” për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.
Në të njëjtën ditë, ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i kërkoi kompanisë plotësimin brenda katër ditëve të dokumentacionit, i nxitur, sipas pohimit të bërë në shkresë, prej situatës emergjente në terren. Në 16 dhjetor, në përfundim të afati, Ministria e Mjedisit nënshkroi kontratën me kompaninë “Albtek Energy”.
Një ditë më pas, kontrata për inceneratorin mori miratimin për mbështetjen financiare prej qeverisë, vendim, i cili rrjedhimisht e legjitimonte Ministrinë e Mjedisit edhe si autoritet kontraktor.
Është e paqartë se si dhe pse lejoi qeveria që Ministria të merrte një kompetencë të cilën nuk e kishte me ligj, dhe akoma më shumë, të mbështeste financiarisht një projekt, i cili u përzgjodh me procedura të paligjshme, kontrata e të cilit nuk u njoftua, as në Buletinin e Njoftimeve Publike të APP-së.
Vetë APP-ja, pak ditë më parë, e kishte njoftuar Këshillin e Ministrave se cila ishte procedura e drejtë, ligjore, e prokurimit për ndërtimin e inceneratorit.
Rregullat e prokurimit parashikonin përdorimin e kësaj procedure “në rastin e një emergjence mjedisore, të shkaktuar nga ngjarje e paparashikuar dhe që nuk i ngarkohen autoritetit kontraktor”.
Pra, jo vetëm emergjencë, por emergjencë që duhej të plotësonte dy kushte. Dhe ato ishin: ngjarja e paparashikuar dhe përgjegjësia e autoritetit kontraktor.
Është fakt publik, se situata e rënduar mjedisore në Elbasan nuk ishte pasojë e ngjarjeve ekstreme, të paparashikuara; as pasojë e moszbatimit të kërkesave ligjore nga bashkia.
Por, a vlen që të merresh me parashtrimin e kushteve, plotësimin, ose jo të tyre, kur kushti themelor që mund të justifikonte procedurën “negocim pa shpallje paraprake” që ishte emergjenca, nuk ekzistonte?! Ekzistenca, si një akt administrativ, nuk ekzistonte! Anëtarët e Komisionit e kishin marrë emergjencën të mirëqënë.
A ishte kjo një sjellje e qëllimshme, apo një veprim jokompetent, prej secilit anëtar të Komisionit?
Sido që të ishte, rezultati mbetej po njësoj.
Megjithëse një vendim-fantazmë, ai i shërbeu kaq mirë procesit për dhënien e koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, duke zgjedhur një procedurë të mbyllur, mbështetur në një fakt të rremë, me pasojë eliminimin e pjesëmarrjes së kompanive të tjera në garë, apo duke moslejuar aplikimin e teknologjive alternative për incenerimin e mbetjeve urbane.
Por çështja e të parit incenerator në Shqipëri, nuk ishte vetëm një procedurë e mbyllur, por dhe një përjashtim, i pashpjegueshëm, prej kontrollit të agjencive financiare të pavarura kushtetuese, të paktën deri tani.
Ligji për Koncesionet ngarkonte Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO) që t’i ndihmonte autoritetet kontraktore në vlerësimin e projekteve koncesionare. Asokohe, ndihma ishte fakultative, por Komisioni, ndonëse pranoi se kishte të bënte me një situatë komplekse, nuk e kërkoi këtë ndihmë.
Asnjë prej autoriteteve që kërkuan ndihmën e Agjencisë, të paktën gjatë vitit 2014, lidhur me projekte të mundshme koncesionare, nuk arritën të nënshkruajnë një kontratë përfundimtare.
Kontrolli i Lartë i Shteti (KLSH) nuk ka kryer asnjë auditim në Ministrinë e Mjedisit për inceneratorin e Elbasanit.
Kontrata koncesionare e inceneratorit të Elbasanit nuk ka qënë asnjëherë në proces verifikimi prej autoritetit kompetent për monitorimin e procedurave koncesionare, Agjencisë së Prokurimit Publik (APP), ndonëse procedura e prokurimit “negocim pa shpallje” nuk është përdorur në asnjë kontratë koncesionare gjatë dhjetë viteve të fundit.
Autoriteti i Konkurencës, një agjenci që mbron konkurrencën e lirë, nuk ka kryer asnjë hetim lidhur me kufizimin e mundshëm të konkurencës në tregun e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane, asnjë vlerësimi paraprak, apo rekomandim, ndonëse bëhet fjalë për një treg të ri e të pakufizuar.
Por, mbi të gjitha, Këshilli i Ministrave pranoi një procedurë prokurimi të paligjshme, të papërdorur më parë për kontratat koncesionare dhe që nuk u përdor më pas, asnjëherë.
Si për ironi, emergjenca mjedisore nuk u reflektua as në përmbajtje të kontratës koncesionare. Puna për ndërtimin e impiantit, në asnjë fazë të saj, nuk u kushtëzua prej rrethanave emergjente, aq shumë të përfshira gjatë procedurës përzgjedhëse të dhënies së koncesionit.
Madje, gjatë zbatimit të kontratës (siç rezulton në një raport të “Albtek Energy”), kompania kërkoi shtyrjen e punimeve me pesë muaj, për shkak të rreshjeve që kishin penguar punimet, kërkesë e cila u pranua nga ministri Koka.
Gjashtë muaj pas nënshkrimit të kontratës koncesionare, Bashkia e Elbasanit paraqiti një tjetër emergjencë, përmes dërgimit të një kërkese të re në Ministrinë e Mjedisit.
Bashkia kërkonte përsëri para. Këtë radhë, për mbylljen e venddepozitimit të vjetër të mbetjeve dhe zhvendosjen e mbetjeve në venddepozitimin e ri, pranë inceneratorit. Ministria ra dakort.
Tenderi u çel me procedurë të hapur.
Fituesi, kompania Ndërtim Montim Patos, që sot rezulton bashkaksionere në inceneratorin e Fierit meIntegrated Technology Service (ITS), e njejta kompani që hartoi të parin raport tekniko-financiar për inceneratorin e Elbasanit, mori 6 milionë euro për rehabilitimin e venddepozitimit të vjetër të mbetjeve të Elbasanit.
Rehabilitimi i venddepozitimit të vjetër ishte ndoshta mënyra më efikase për të zgjidhur “emergjencën” e mosmenaxhimit 30 vjeçar të mbetjeve urbane të qytetit të Elbasanit. Ai kushtoi më pak dhe zbatimi kërkoi vetëm gjysmën e kohës pë t’u realizuar.
Krahasuar me inceneratorin, zhvendosja e mbetjeve me procedurë të hapur, nga kërkesa fillestare deri në nënshkrimin e kontratës, zgjati më pak se ndërtimi inceneratorit me procedurë të mbyllur, për të njëjtën periudhë.
I vetmi që e mori seriozisht emergjencën ishte partneri privat, kompania Albtek Energy.
Përgjithmonë emergjencë
Katër vjet më vonë, në verë të 2018-s, një skenar i ngjashëm po ndodhte me mbetjet urbane. Skema ishte zhvendosur në “Porto Romano”, landfilli zyrtar i qytetit të Durrësit. Fusha ku depozitoheshin mbetjet ndodhej në prag të shpërthimit ekologjik.
Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, por edhe nën shtysën e një presioni qytetar në rritje, Këshilli Bashkiak vendosi t’i kërkojë Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve (KMIM) shpalljen e emergjencës mjedisore.
Ndërkohë që pritej shpallja e emergjencës, Agjencia Kombëtare e sapothemeluar e Mbetjeve (AKUM) filloi hartimin e një plani që synonte mbylljen e Porto Romanos dhe shndërrimin më pas në një park urban tematik. Sipas vlerësimeve paraprake, operacioni mund të kushtonte rreth 15 milionë euro para publike.
Tenderi me procedurë të hapur, për rehabilitimin e Porto Romanos, u çel pak përpara tërmetit të 26 nëntorit të 2019-s. Ai u anulua, pasi qeveria po tenderonte më përparësi vetëm nevojat emergjente të tërmetit.
15 milionë euro te paracaktuara për rehabilitimin e Porto Romanos, po qëndronin në pritje të rihapjes së procesit normal të prokurimit.
Por në 16 dhjetor, një Vendim i Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile (KMEC) çeli dritën jeshile për rehabilitimin e Porto Romanos, për shkak të emergjencës së krijuar. Po cilës emergjencë? Zyrtarisht, emergjenca ishte për shkak të tërmetit. Por si u lidh ajo me emergjencën mjedisore (ende të pamiratuar) të Porto Romanos?
Në fakt, në pikën e parë të vendimit të KMEC, ngarkohej Agjencia Kombëtare e Mbetjeve (AKUM) që të transportonte mbetjet inerte të krijuara nga tërmeti në Porto Romano dhe po aty, në pikën e dytë, AKUM-i duhej të rehabilitonte Porto Romanon me procedurë të përshpejtuar.
Në këtë mënyrë, duke bashkuar kërkesën për trajtimin e mbetjeve inerte nga tërmeti me kërkesën për mbulimin e Porto Romanos, në një kërkesë të vetme, Komiteti i Emergjencave (KMEC) i dha rehabilitimit të Porto Romanos, së pari, atributet e emergjencës së munguar dhe së dyti, të drejtën për zhvillimin e procedurave të përshpejtuara.
Kaq i mjaftoi AKUM-it që të aplikonte “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit”, e njëjta procedurën që u përdor, pesë vite të shkuara, për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit. Rrjedhimisht, kërkesa e Bashkisë së Durrësit për shpalljen e emergjencës ishte zhvlerësuar. Atë e kishte zgjidhur tërmeti.
De Mare Srl, një prej kompanive, e cila u shpall fituese, si bashkim operatorësh, e tenderit për rehabilitimin e Porto Romanos, kishte punuar në Elbasan, si nënkontraktore e kompanisë Albtek Energy dhe kompanisë tjetër, Ndërtim Montim Patos, e cila pesë vite më parë, kishte marrë përsipër zhvendosjen e mbetjeve në venddepozimin e vjetër të Elbasanit, e që tani ndodhej në bashkëpronësi me “Integrated Technology Service” në operacionin për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.
Ky ishte akti i parë i një historie të sapofilluar, pikërisht kur qeveria nisi ta merrte seriozisht trajtimin e mbetjeve urbane. Më shumë se një përpjekje për të zgjidhur emergjencën, kjo histori dëshmoi se ishte një operacion biznesi që me zgjidhje “deus ex machina” e përdori emergjencën në favor të zgjerimit të tij.
Në fare pak vite, menaxhimi i mbetjeve përparoi në favor të përqëndrimit të pronësisë mes bizneseve të ndërlidhura me njëri-tjetrin. Një grup i vogël përfituesish ia doli të kontrollojë miliona euro të ardhura nga biznesi i ri e i jashtëzakonshëm i mbetjeve.
Nën sloganin “Shqipëria është e të gjithëve, ta mbajmë atë të pastër”, fushat e djegura të mbetjeve u shndërruan në toka pjellore të ushqyera nga konsumi dhe paratë tona.
Nën kushte alarmi u ngrit një imazh shpëtimi, prapa të cilit duket se fshihet një skemë e thjeshtë përfitimi, që eliminoi konkurencën e që ende vazhdon të zgjerohet, sepse nuk duket se kontrollohet nga askush.