Emërimi i Vitore Tushës në krye të KLSH-së do të bllokonte formimin e institucioneve të drejtësisë – Exit shpjegon

Emërimi i Vitore Tushës në krye të KLSH-së do të bllokonte formimin e institucioneve të drejtësisë – Exit shpjegon

Presidenti Meta ka përzgjedhur Vitore Tushën si propozimin e tij për kryetare të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pasi kryetarit aktual Bujar Leskaj i përfundoi mandati.

Në njoftimin zyrtar, presidenca shkruan:

“Presidenti, pas realizimit të një procesi transparent dhe objektiv, ka arritur në konkluzionin se, Doktore e Shkencave Juridike znj.Vitore Tusha plotëson kushtet dhe kriteret ligjore, si dhe është kandidatura më e përshtatshme për t’u zgjedhur në këtë pozicion kushtetues.”

Sipas ligjit, kandidatura e Tushës duhet të kalojë për votim në kuvend.

Vitore Tusha është një ndër dy anëtarët e vetme të Gjykatës Kushtetuese që kaloi vetingun dhe u konfirmua në detyrë. Anëtari tjetër i Kushtetueses që ka kaluar vetingun është kryetari i saj, Bashkim Dedja, për të cilin ONM dhe Komisionerët Publikë kanë kërkuar shkarkimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Miratimi nga Kuvendi i Vitore Tushës si kryetare e KLSH-së do të shkaktonte një ngërç më shumë në procesin, tashmë të vonuar, për formimin e Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve të tjera të drejtësisë.

Më poshtë Exit.al shpjegon ngërçin për formimin e Gjykatës Kushtetuese dhe dëmin që do të shkaktonte emërimi i Tushës në krye të KLSH.

Një nga qëllimet kryesore të reformës në drejtësi ishte dhe krijimi i marrëdhënieve të ndërvarësisë mes institucioneve të reja të drejtësisë, si një mënyrë për të pasur sa më shumë balancë dhe kufizim të pushtetit mes tyre.

Kështu, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që ka rolin kushtetues të vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve për anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese, – duhet të ketë në përbërjen e tij 9 anëtarë nga institucione të niveleve të ndryshme të sistemit të drejtësisë.

Në bazë të nenit 149/(3) të Kushtetutës, KED duhet të përbëhet nga nëntë anëtarë të shpërndarë si më poshtë:

  • Dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese
  • Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë
  • Një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme
  • Dy gjyqtarë nga Gjykatat e Apelit
  • Dy prokurorë nga prokuroritë e Apelit
  • Një gjyqtar nga gjykatat Administrative

Siç e thamë më sipër nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, vetëm dy, Tusha dhe Dedja, e kaluan vetingun, mjaftueshëm sa për të mos penguar formimin e KED-së që më pas ka rol kyç në formimin e gjithë institucioneve të reja të drejtësisë (KLP, KLGJ, ILD), përfshirë dhe vetë Gjykatën Kushtetuese.

Duke qenë se KED kërkon dy anëtarë nga Gjykata Kushtetuese për tu formuar dhe për të emëruar anëtarët e tjerë të institucioneve të drejtësisë, do të bëhet teorikisht e pamundur të formohet Gjykata Kushtetuese, KLGJ, KLP dhe ILD , nëse Vitore Tusha emërohet në krye të KLSH-së dhe Bashkim Dedja nuk konfirmohet në detyrë nga Kolegji i Apelimit.

Kjo do të thotë që Vitore Tusha dhe Bashkim Dedja duhet të mbeten gjykatës në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të jetë në gjendje të zgjedhin kolegët e ardhshëm. Përndryshe është ligjërisht e pamundur që të vazhdojë formimi i gjithë institucioneve të reja të drejtësisë pa u ndryshuar edhe një herë Kushtetuta.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>