Emigracioni i lartë, arsyeja kryesore pse Hollanda kërkon rivendosjen e vizave me Shqipërinë

Emigracioni i lartë, arsyeja kryesore pse Hollanda kërkon rivendosjen e vizave me Shqipërinë

Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve në Hollandë. Shqiptarët janë, gjithashtu, ata që përdorin më shumë Hollandën si rrugë kalimi për të kaluar në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Deri në maj të këtij viti, në Hollandë kanë kërkuar azil të paktën 440 shqiptarë. Shifra mbetet e lartë edhe pse duket më e ulët se në vitin 2016. Sipas të dhënave të qeverisë hollandeze, në vitin 2016 në Hollandë kërkuan azil rreth 1 700 shqiptarë ndërsa, në vitin 2015, kërkuan mbi 1 000 qytetarë shqiptarë.

Në ditët e para të gushtit 2017, mediat hollandeze pohuan se në portet e Hollandës është duke u rritur numri i shqiptarë që përpiqen të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme për në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas tyre, mbi 90 për qind e emigrantëve të paligjshëm që enden në dy portet kryesore hollandeze janë shqiptarë.

Ndeshur me këtë situtatë, qeveria hollandeze ka ndërmarrë disa nisma për të ndaluar emigracionin e paligjshëm të qytetarëve shqiptarë.

Në prill 2017, Ministri i Punëve të Jashtme të Hollandës, Bert Koenders, vizitoi Tiranën dhe diskutoi për emigracionin dhe riatdhesimin e qytetarëve shqiptarë me homologun e tij. Ai u shpreh se “qëllimi ynë është të shkurajojmë qytetarët shqiptarë nga ndërmarrja e udhëtimit të pafrytshëm për në Hollandë. Në vazhdim, Hollanda dhe Belgjika do të rregullojnë udhëtime direkte nga Evropa për në Shqipëri për të riatdhesuar azil kërkuesit shqiptarë për në atdheun e tyre.”

Sipas njoftimit të qeverisë hollandeze, mesazhi kryesor i Ministrit të Jashtëm Koender ishte se Shqipëria ka përparuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE por ka ende shumë rrugë për të bërë.

Në Tiranë ai u shpreh se Shqipëria “ka ende shumë pengesa në rrugën drejt anëtarësimit” duke shtuar se:

“Shqipëria duhet të rrisë përpjekjet e saj për refromën në drejtësi dhe në qeverisje, luftën kundër korrupsioni dhe krimit të organizuar dhë në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Nëse këto çështje nuk adresohen siç duhet, Holanda nuk do të jetë dakord për hapjen formale të bisedimeve për anëtarësim.”

Gjithashtu, Koenders lajmëroi se Hollanda më 20 korrik do të nisë një fushatë informimi për të bindur shqiptarët të mos emigrojnë drejt Hollandës sepse nuk kanë asnjë të ardhme në Hollandë.

Ndërkohë, pritet që, në ditët e ardhshme, Hollanda në bashkëpunim me Belgjikën të organizojë udhëtime çarter për riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë për në Shqipëri.

Shqipëria—njësoj si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor—është në listën e vendeve të sigurta, pra konsiderohet vend i sigurtë për qytetarët e saj, ndaj ata nuk mund të konsiderohen se kanë arsye për azil në vendet europiane.

Qytetarët e vendeve të sigurta të origjinës riatdhesohen pothuajse automatikisht nga institucionet e emigracionit të vendeve pritëse dhe, në përgjithësi, me detyrimin për t’u larguar menjëherë prej tyre.

Në parim, azilkërkuesit e refuzuar mund ta apelojnë vendimin e zyrës së emigracionit, dhe këto persona duhet të qendrojnë në Hollandë deri në shqyrtimin e çështjes. Në rast të një përgjigje negative atyre i ndalohet hyrja në vendet e BE-së për dy vjet.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>