Ëndrra energjetike e qeverisë përplasi banorët me kompanitë e HEC-eve

Nga Geri Emiri
Ëndrra energjetike e qeverisë përplasi banorët me kompanitë e HEC-eve

Me të rënë muzgu i 10 qershorit 2014, Hasan Ibrahimi u bë gati të mblidhte kopenë e bagëtive për t’u kthyer në shtëpinë e tij në fshatin Valikardhë të Bulqizës, kur pa u nisur ende, hasi në një grup bashkëfshatarësh që po shkonin të protestonin kundër ndërtimit të një hidrocentrali në fshatin e tyre.

Kjo nuk ishte protesta e parë e banorëve të fshatit kundër HEC-it të Valikardhës, i cili ka si burim ujin e Liqenit të Zi, me të cilin banorët e fshatrave të Zerqanit vadisin tokat bujqësore. I moshuari iu bashkua bashkëfshatarëve të tij, por ndryshe nga protestat e mëparshme, tubimi ishte i tensionuar dhe përfundoi me shkatërrimin e kampit të punës dhe pëmbysjen e disa automjeteve të kompanisë ndërtuese.

“Protestuam vetëm për ujin vaditës, pasi bëmë disa kërkesa nëpër institucione dhe askush nuk mori parasysh asgjë,” kujton Hasan Ibrahimi, i cili endet prej 4 vitesh së bashku me shtatë bashkëfshatarë të tij dyerve të gjykatave, i akuzuar nga Prokuroria për shkatërrim prone. “Lekët e pensionit po shkojnë për gjyqet, pa pasur asnjë faj,” shton e indinjuar e shoqja Drita Ibrahimi.

Hasani është dënuar me 100 mijë lekë gjobë, por thotë se nuk ka marrë pjesë në shkatërrimin e mjeteve të kompanisë dhe ankohet se prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë se ai ka qenë i përfshirë. Ai së fundmi ka pajtuar një avokat për ta dërguar çështjen për gjykim në Gjykatën e Lartë.

Konflikti midis banorëve të komunës Zerqan dhe kompanisë ‘Teodori 2003’ për ndërtimin e HEC-it të Valikardhës nuk është i izoluar. Të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi nga Policia e Shtetit, Prokuroria dhe gjykatat tregojnë për dhjetra konflikte të ngjashme në të gjithë Shqipërinë gjatë dekadës së fundit, të cilat kanë prodhuar përplasje të banorëve me kompanitë koncesionare të HEC-eve, që shkojnë nga protestat paqësore e deri tek shpërthimet me eksploziv.

Aktivistët mjedisorë dhe ekspertët e tregut të energjisë në Shqipëri nënvizojnë që këto konflikte kanë si bazë shkeljen e të drejtave për ujë si dhe të drejtave të pronës, mungesën e konsultimit publik me banorët që preken nga investimet si dhe shkatërrimin mjedisor që sjellin një pjesë e projekteve – duke ndikuar direkt në të ardhurat nga bujqësia dhe turizmi.

Superfuqi energjetike rajonale

Nisma e qeverisë Berisha e vitit 2007 për t’a kthyer Shqipërinë në “superfuqi energjetike”, i hapi rrugën lejeve dhe koncensioneve për të ndërtuar mbi lumenjtë e vendit HEC-e për prodhimin e energjisë elektrike.

Akuzat e opozitës së kohës ishin të shumta: se këto HEC-e po i jepeshin personave pranë qeverisë dhe se po dëmtonin mjedisin. Por me ardhjen në pushtet në vitin 2013, qeveria e majtë e harroi premtimin se do të anulonte koncensionet për ndërtimin e disa prej këtyre HEC-ve dhe vijoi me dhënien e lejeve.

Prej vitit 2002 dhe deri më sot, rezulton të jenë firmosur 183 kontrata koncensionare për ndërtimin e 524 hidrocentraleve, me kapacitet 2165MW dhe me prodhim vjetor 9342,31 GWH. Nga këto leje të dhëna, 117 kanë përfunduar së ndërtuari, 43 janë në proces ndërtimi dhe 364 nuk kanë filluar ende të ndërtohen.

Praktikat e ndjekura për ndërtimin e HEC-eve ka qenë jo transparente dhe të pakonsultuara me komunitetet e prekura, duke çuar në konflikte të hapura midis banorëve, kompanive koncesionare dhe forcave të rendit.

Një studim vlerësues mbi konfliktet për ujin të lidhura me HEC-et në Shqipëri, i titulluar ‘Rastet e konflikteve ujore të lidhura me zhvillimin e hidroenergjisë në Shqipëri’ dhe i realizuar nga tre organizata mjedisore, nxori në pah 18 raste konfliktesh të lidhura me hidrocentralet që janë raportuar në Shqipëri gjatë periudhës 2012-2016, ku ka pasur 34 persona të arrestuar ose të shoqëruar nga policia.

Më tej studimi evidenton edhe një viktimë nga konflikti i lindur nga ndërtimi i një HEC-i dhe një tentativë vrasjeje. Sipas studimit, hidrocentralet e vegjël janë burimi kryesor i konflikteve, duke listuar si shkaqe nxitëse mungesën e konsultimeve dhe atë të informimit të komuniteve të prekura nga ndërtimi i HEC-eve, të drejtat e ujit dhe shkatërrimin mjedisor.

“Të drejtat e ujit janë shkaqet kryesore për konfliktet ujore lidhur me hidrocentralet në 36% të rasteve,” shkruan raporti. “Shkatërrimi i mjedisit dhe mungesa e informimit dhe e konsultimit janë gjithashtu ndër shkaqet kryesore me 29% dhe 21% të përgjigjeve,” shtoi ai.

Sipas gjysmës së të intervistuarve në studim (52%), komunitetet rurale janë ata që vuajnë më shumë pasojat e konflikteve, ndërkohë që komunitet e fermerëve dhe turizmi vendor shihen si aktivitetet më të prekura nga ndërtimi i hidrocentraleve.

Nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi, BIRN mblodhi të dhëna nga 13 prokurori, 12 gjykata rrethesh dhe 7 drejtori policie mbi banorët që janë përballur me sanksione ligjore për shkak të konflikteve të lindura si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve.

Nëpërmjet përgjigjeve me shkrim, prokuroritë e ndryshme bënë me dije se në vitet 2008-2017, rezulton të jenë dënuar 10 persona, 27 janë hetuar dhe 7 prej tyre janë arrestuar.

Gjykatat dhanë shifra të tjera, por edhe ato të larta, ku rezulton se janë dënuar 15 persona, 7 janë hetuar dhe sipas tyre nuk ka pasur asnjë person të arrestuar.

Mes personave të dënuar, sipas të dhënave të marra nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër figuron dhe 74 vjeçari Hasan Ibrahimi dhe 7 bashkëfshatarë të tij nga fshati Valikardhë në Bulqizë.

Gjykata e Elbasanit gjithashtu informoi se 3 banorë të fshatit Polis të Librazhdit u dënuan me gjobë dhe 4 të tjerë nga tre muaj heqje lirie. Banorët e dënuar u arrestuan pas një përballje me policinë me 31 korrik 2014, ku ata kundërshtuan ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin e Gostimës. Përballja e dhunshme e banorëve me policinë vinte pas më shumë se 1-viti protestash prej tyre kundër HEC-eve “Gurshpat 1” dhe “Gurshpat 2,” të cilët sipas tyre, po e linin fshatin pa ujë – gjë që e bën të pamundur rritjen e prodhimeve bujqësore me të cilat ata sigurojnë një mbijetesë të vështirë.

Sipas të dhënave të 7 drejtorive të policisë në qarqe, rezulton se në nëntë vite janë regjistruar 9 protesta me leje dhe 2 të paligjshme kundër HEC-eve, ndërkohë që 3 persona janë arrestuar dhe 28 janë dërguar për ndjekje penale.

Në rastet e raportuar nga drejtoritë e policisë përfshihet dhe procedimi penal për 21 banorë të fshatit Çidhën, njësia administrative Arras, të cilët me 24 gusht 2017 penguan punimet e kompanisë që po ndërton HEC-et “Seta 1+2, Seta 3 dhe Seta 4”.

Prej afro 1 viti, banorët e Çidhnës po kërkojnë nëpërmjet një padie civile ndalimin e punimeve për HEC-in Seta 4. Sipas banorëve, leja për ndërtimin e katër HEC-eve është lëshuar në në një zonë monument natyre, ku ndodhet edhe ujëvara e Sopanikës, që është shpallur zonë e mbrojtur me një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2002. Lugina njihet edhe për vlerat historike, për shkak të pranisë së një kalaje dhe të disa zbulimeve arkeologjike.

“Kemi disa muaj që kemi kërkuar të pezullohen punimet në gjykatë. E kemi dërguar në Gjykatën e Apelit, por edhe pse kanë kaluar më shumë se 4 muaj, ende nuk e kanë marrë në shqyrtim,” u shpreh për BIRN Mustafa Tola, njëri prej banorëve të Çidhnës.

“Kjo qëllimisht, që të zgjaten sa më shumë procedurat administrative dhe firma të avancojë me punimet për ndërtimin e HEC-eve,” shtoi ai.

Të dhënat zyrtare të bëra publike nga drejtoritë e policisë në qarqe pas kërkesëve për informacion të BIRN; megjithatë, nuk reflektojnë shkallën dhe ashpërsinë e vërtetë të konflikteve të gjeneruara nga ndërtimit i HEC-eve. Nga një kërkim i hapur dhe i detajuar i realizuar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, rezulton se konflikti për ujin ka sjellë edhe ngjarje me sfond kriminal. Në të gjithë vendin rezulton se në 7 raste në pronat e HEC-eve është vendosur eksploziv. Shpesh ato kanë mbetur pa autor, siç edhe na bën me dije Prokuroria e Kurbinit, për dy raste të vendosjes së eksplozivit në HEC-et në fshatrat Vinjoll dhe Gallatë.

Panorama e krijuar nga të dhënat e mbledhura nga policia tregon se konfliktet shtrihen edhe përtej marrjes së ujit, duke kaluar në çështje pronësie apo dëmtim prone, gjatë punimeve për ndërtimin e HEC-eve. BIRN evidentoi 10 raste të tilla vetëm nga deklaratat për shtyp të Policisë së Shtetit.

Konfliktet vazhdojnë

Protestat dhe përplasjet midis banorëve të zonave të prekura dhe kompanive që ndërtojnë hidrocentrale nuk janë një problem i së shkuarës. Vetëm pak javë më parë, banorët e fshatit Frankth të njësisë administrative Komsi në Mat ishin thirrur nga administratori i kompanisë “ELEKTRAL sh.p.k”, në një dëgjesë publike për ndërtimin e HEC-eve në zallin e fshatit të tyre. Por dëgjesa është kthyer nga banorët në protestë, duke i kërkuar administratorit të kompanisë që të largohej, pasi ujin në zallin e tyre ata e përdorin për të pirë dhe vaditje. Banorët kanë qenë të prerë se nuk do të lejojnë që uji të futet në tub.

Në protestë u kthye edhe një tjetër dëgjese publike e mbajtur në Klos në dhjetor 2017 nga kompania “Mati Hydro Power sh.p.k” dhe ministria së Mjedisit, në lidhje me ndërtimin e 3 hidrocentraleve të vegjël në lumin Mat. Për të shprehur kundërshtinë e tyre ndaj projektit, banorët me mbështetjen edhe të pushtetit vendor, bllokuan për një orë rrugën nacionale Tiranë – Peshkopi.

Sipas Olsi Nikës, drejtor ekezekutiv i Eco Albania, një organizatë mjedisore që ka lobuar me sukses kundër ndërtimit të digave në lumit Vjosë, shumica e konflikteve lindin prej mungesës së informacionit dhe konsultimeve me komuniteteve e prekura nga projektet energjetike.

“Në shumicën e rasteve, vendimet merren nga Tirana dhe as nuk e dinë se çfarë ndodh në terren, merren vendimet pa e njohur situatën dhe kështu fillojnë konflitet me banorët,” shprehet Nika. “Uji është e mirë publike dhe shteti është administrator i ujit dhe jo pronar”, shtoi ai.

Sipas Nikës, kur një investim është i mirëmenduar dhe i planifikuar siç duhet, nuk duhet të ketë konflikte, por përkundrazi duhet të ketë bashkëpunim nga ana e komunitetit.

“Problemi këtu është se banorët gjenden para faktit të kryer, hapin rubinetin e ujit të pijshëm dhe nuk kanë ujë, nuk kanë ujë në kanal për të vaditur tokat,” tha ai.

Aktivisti mjedisor, Xhemal Mato shprehet se koncepti i ujit si e mirë publike nuk është respektuar nga kompanitë që kanë ndërtuar HEC-e në Shqipëri.

“Është fakt se sot shumë basene ujëmbledhëse kanë filluar të pakësohen në sasinë e ujit, kjo sidomos në periudhën e verës ku janë në nivele shumë të pakta,” tha ai.

“Nga monitorimi ynë si shoqata mjedisore kemi konstatuar se shumë lumenj janë tharë plotësisht dhe detyrimi që një përqindje e caktuar e ujit duhet të lihet në shtratin e lumit, thuajse nuk respektohet fare,” shtoi Mato.

Nika nënvizon se sipas studimeve të bëra nga organizatat mjedisore, konfliktet për HEC-et nisin përgjithësisht atëherë kur projekti fillon të zbatohet në terren.

“Aktualisht jemi në shifrën e 20-25% të HEC-eve të planifikuara që janë në fazë zbatimi ose operimi,” tha ai. “Imagjino kur të fillojnë të zbatohen edhe planet e tjera dhe të shndërrohen në ndërtim, konfliktet kanë për të qenë edhe më të mëdha,” paralajmëroi Nika.

 

Botuar më parë në Reporter.al

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>