Epidemiologu Simaku shpjegon hapat për bërjen e tamponit: Pse tamponi bëhet ditën e 4-t?

Nga Exit News
Epidemiologu Simaku shpjegon hapat për bërjen e tamponit: Pse tamponi bëhet ditën e 4-t?

Epidemiologu Artan Simaku shpjegoi, të martën, të gjitha hapat që qytetarët duhet të ndjekin për të bërë tamponin për të zbuluar nëse janë apo jo të infektuar me Covid, nga Instituti i Shëndetit Publik.

Në një intervistë për emisionin ‘Me pak fjalë’ në Euronews, Simaku sqaroi se ‘nëse një qytetar ka shenja ose simptoma në lidhje me sëmundjen, ose do të telefojë direkt numrin 127 ose do të lidhet me mjekun e familjes.’

Ai theksoi se ndjekja e pacientit bëhet nga mjeku i familjes, i cili përveç se e referon pacientin tek Njësia e Kujdesit të Shëndetit për marrjen e tamponit, i jep pacientit dhe trajtimin sipas gjendjes ku ndodhet.

Simaku sqaroi se përse tamponi merret me disa ditë vonesë, pas telefonatës së qytetarëve.

Epidemiologu sqaroi se tamponi duhet t’i merret qytetarëve të dyshuar si të infektuar në ditën e katërt ose të pestë të simptomave, pasi kjo siguron një shanc më të lartë që tamponi të japë përgjigjen e saktë:

“Tamponi merret në ditën 4 ose të 5 sepse ndryshe del rezultat fals negativ.”

Lidhur me vendimin për karantimin apo rikthimin në punë të të infektuarve, Simaku sqaroi se i takon mjekut të familjes të vendosë për këtë gjë:

“Vendimi merret nga mjeku i familjes edhe të personit me simptoma edhe të familjarëve të tij. Mjeku i familjes jep vërtetimin për vetëizolim, karantinim ose rikthim në punë, në varësi të gjykimit të mjekut.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>