Presidenti turk Erdogan është njohur gjithnjë për prirjen e tij për të kontrolluar median, por vitet e fundit ai ka përdorur të gjithë pushtetin e tij për të nënshtruar gazetarët dhe kontrolluar raportimet e shkrimet në çdo redaksi të mediave tradicionale.
Atë që para disa vitesh e bëri me median tradicionale, muajt e fundit Erdogan po kërkon ta bëjë dhe me median online duke miratuar një ligj i cili do të heshte përfundimisht çdo zë të mundshëm kundër tij.
“E gjitha ka të bëjë vetëm me kontrollin. Pasi vuri nën kontroll gazetat, televizionet, sistemin e drejtësisë, tani po i vihet pas internetit” deklaroi për New York Times, Kerem Altiparmak, një avokat i të drejtave të njeriut dhe medias.
Ironik është fakti se Erdogan është përgjegjës për zhvillimin ekonomik që e ka bërë sot Turqinë një vend me një klasë të mesme të shumtë në numër, të edukuar dhe të përparuar sa mund të përballojnë celularët smart dhe internetin.
Grushti i shtetit në korrik 2016 ishte një moment sa kyç aq dhe ironik për marrëdhënien Erdogan-media-internet.
Megjithëse mbrëmjen e grushtit të shtetit më 15 korrikut 2016 Erdogan përdori internetin dhe rrjetet sociale për t’i bërë thirrje mbështetësve të tij që të luftonin për të, sapo mori sërish në kontroll situatë dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ai bllokoi të gjitha rrugët e komunikimit online.
Më shumë se 150 media u mbyllën dhe u arrestuan qindra gazetarë, duke e renditur menjëherë Turqinë në dytën në botë për numrin e lartë të gazetarëve të burgosur. Në vend të parë renditet Kina e cila ka një popullsi shumë herë më të lartë se Turqia.
Po ashtu, agjencitë e kontrollit i vunë gjoba të mëdha tatimore atyre pak mediave që mbeten, duke i detyruar që të shisnin të gjithë pronat. Më pas shtyu sipërmarrësit besnikë të tij, që t’i blinin ato dhe të merrnin në drejtim mediat.
Në vitin 2002, kur Erdogan u bë kryeministër, bizneset pro-qeveritare zotëronin më pak se një të katërtën e mediave turke, në vitin 2011, ata zotëronin rreth 50 për qind, dhe në vitin 2017 shumica e mediave kryesore ishin tashmë në duart e tyre. Këto të dhëna janë bërë publike në raportin “Sulltani i Ri:Erdogan dhe kriza e Turqisë modern” nga Soner Cagaptay, drejtori i programit turk kërkimor pranë Institutit Ëashington.
“Tani Erdogan mund të ndryshojë shumë lehtë realitetin“, tha Cagaptay në një intervistë.
Tani me disa ndryshime të reja në ligjin tatimor, Erdogan po përgatitet të vërë nën kontroll dhe ato pak media online që kanë mbetur kritike.
Ligji do të detyrojë cdo media online të licensohet dhe përmbajtja e tyre do të kontrollohet nga Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit. Po ky këshill do të kontrollojë dhe çdo transmetim të drejtëpërdrejtë online dhe ka të drejtë t’i vërë gjobë mediave në rast se gjykon se kanë përmbajtje të papërshtatshme.
Ahmet Arslan, ministri për transport dhe komunikim, i cili mohon se ka censurë në Turqi, mbrojti ligjin përpara gazetarëve gjatë një aktiviteti për Ditën e Internetit të sigurtë.
“Ne duhet të marrim masa për transmetimet në radio dhe television, nëse ka ndonjë shqetësim për sigurinë kombëtare dhe dicka që bie në kundështim me vlerat etike të vendit“, tha ministri Arslan.
“Qëllimi ynë është të vëmë rregull me anë të ligjit dhe të parandalojmë gabimet”, shtoi ai. “Nuk kemi për qëllim të ndërhyjmë në ndonjë transmetimi korrekt, apo në ato punë që bëhen në harmoni me vlerat tona”.
“Nëse ka ndonjë gabim, natyrisht duhet të ketë një ndërhyrje”, përfundoi ministri Arslan. “Ky është qëllimi i ligjit”.
Garo Paylan, anëtar i Parlamentit për Partinë Demokratike Popullore pro-kurde dhe anëtar i komisionit që studjon projekt-ligjin, paralajmëroi se qeveria kishte për qëllim të kufizonte internetin në të njëjtën mënyrë që kishte kufizuar televizionet dhe gazetat.
“Vetëm përkrahësit e Erdogan do të jenë në gjendje të marrin një licencë për të transmetuar online,” sqaroi ai.
Efektet e kësaj nisme kanë nisur të ndihen: shumë prej intelektualëve dhe gazetarëve që kishin mbetur të lirë, po largohen nga Turqia.