“Shqipëria, për fat të keq, vazhdon të jetë nën ndikimin e lëvizjes Gyleniste.”
Kështu u shpreh presidenti turk Erdogan teksa fliste përpara studentëve të huaj në Turqi, lidhur me zhvillimet e fundit të shkollave turke në gjithë botën.
Presidenti Erdogan tha se gjithsesi, fondacioni Maarif, i krijuar nga ai vetë për të marrë nën kontroll institutet arsimore të organizatës së Fethullah Gylen, FETO, po avancon në Shqipëri:
“Ne avancojmë çdo ditë, Fondacioni ynë Maarif në Shqipëri vazhdon procesin e marrjes së kontrollit ndaj institucioneve të atjeshme arsimore.”
Presidenti Erdogan i quajti arritjet e Maarif si tregues se Turqia do të jetë gjithnjë një shtet i fortë, pavarësisht tentativave për ta rrëzuar atë, si grushti i shtetit i vitit 2016, për të cilin deri më tani është akuzuar Fetullah Gulen dhe organizata e tij FETO.
Në Shqipëri, deri më tani dihet se fondacioni Maarif po hap disa institucione të reja arsimore dhe po merr ato që kanë qenë nën kontrollin e lëvizjes gyleniste. Disa burime kanë konfirmuar për Exit.al se Fondacioni Maarif është në procesin e marrjes dhe të disa universiteteve private të mëdha në Shqipëri, përfshi Universitetin Luarasi dhe Canadian Institute of Technology (Instituti Kanadez i Teknologjisë).
Po ashtu në Shqipëri, janë marrë masa dhe nga Ministria e Arsimit, e cila në shkelje të Kushtetutës, i ka ndaluar shkollave turke të përdorin flamujt dhe simbole të tjera turke.
Ndërsa në nivel global deri më tani, fondacioni Maarif ka konfiskuar 76 shkolla turke të lidhura me lëvizjen gyleniste.
Sipas një raporti të agjencisë së lajmeve Anadolu të Turqisë, fondacioni shumë shpejt do të vërë nën kontroll të gjitha institutet arsimore që menaxhonte më parë lëvizja gyleniste.