Komisioni i Lartë i Zgjedhje në Turqi anuloi sot zgjedhjet lokale në Bashkinë e Stambollit, ku më 31 mars fitoi kandidati i opozitës, Ekrem İmamoğlu. Komisioni vendosi datën 23 qershor për përsëritjen e zgjedhjeve. Partia Republikane e Popullit (CHP) e opozitës e quajti këtë një vendim “krejtësisht diktatorial”.
Ekrem İmamoğlu mori zyrtarisht certifikatën e fitores nga Komisioni i Zgjedhjeve më 17 prill, pasi u shqyrtuan ankesat e partisë AKP të Presidentit Erdoğan.
Stambolli ka qenë për 18 vite me radhë bastioni elektoral që e bënte krenar Presidenti Erdoğan. Ai vetë e kishte nisur karrierën politike pikërisht si kryebashkiak i Stambollit. Për këtë aryse, humbja e zgjedhjeve në Stamboll ishte e papranueshme për presidentin. Gazeta New York Times raporton se ai është nevrikosur jashtëzakonisht shumë mbrëmjen e zgjedhjeve dhe e ka ndaluar Kryeministrin Binali Yildirim që të pranojë humbjen. Sipas NYT, Erdoğan e ka urdhëruar atë të dalë përpara kamerave dhe të deklarojë fitore për AKP-në në Stamboll.
Partia e Presidentit Erdoğan i kërkoi Komisionit të Lartë të Zgjedhjeve që t’i anulonte dhe t’i përsëriste zgjedhjet në Stamboll. Ndërkohë qeveria arrestoi disa persona, përfshi punonjës të administratës lokale, për ndërhyrje në zgjedhje. Nën presionin e presidentit të vendit, institucioni më i lartë për zgjedhjet në Turqi vendosi sot përsëritjen e tyre në Stamboll.
Zgjedhjet lokale të 31 marsit u konsideruan si një humbje e madhe për Presidentin Erdoğan. Përveç Stambollit, ndër qytetet e mëdha partia e tij AKP humbi edhe kryeqytetin Ankara.